Armando Sulejmani, personi në foto, është i mbijetuari i vetëm i atentatit të së dielës në Vlorë ku mbetën të vrarë Arjan Hasani dhe Orest Rexho. 43-vjeçarit i është komunikuar masa e arrestit në Spitalin e Vlorës për akuzën e armëmbajtjes pa leje. Policia gjatë kontrollit të kryer ndaj të plagosurit ka gjetur një pistolete të cilën ai e mbante me vete.
Sulejmani i njohur me nofkën “Çipuri” ka marrë dy plumba por që ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Për ngjarjen e rëndë policia shoqëroi disa persona por që janë lënë të lirë disa orë më vonë. Nga dëshmitë e tyre nuk është përfituar asnjë element që mund te çojë në zbardhjen e kësaj ngjarje. Objektiv i atentatit ka qenë Sulejmani, i cili ishte ulur në sediljen e pasme të automjetit tip “Volkswagen Passat”. Makina drejtohej nga 45-vjeçari Arjan Hasani i cili mbeti i vdekur nga të shtënat me kallashnikov së bashku me Orest Rexhon.
Makina e autorëve me targa të falsifikuara u gjet e djegur në Babicë. Brenda saj u gjetën tre kallshanikovë, të cilët mendohet se u përdorën në atentat. Armando Sulejmani dyshohet se është përfshirë në disa ngjarje te rënda kriminale të ndodhura në Vlorë gjatë dy viteve të fundit dhe kjo i bën hetuesit të dyshojnë se kemi të bëjmë me një hakmarrje.
Në vitin 2016, “Çipuri” i shpëtoi një tjetër atentati pranë shtëpisë në lagjen “Pavarësia”, ku mbeti i plagosur. 43-vjeçari, ish-anëtar i bandës së Gaxhait, kishte vetëm pak kohë që kishte dalë nga burgu, pasi kishte përfunduar dënimin për një vrasje. Megjithatë pista kryesore që ka grupi hetimor është ajo e larjes së hesapeve mes grupeve rivale në Vlorë, të cilat janë të përfshira në trafikun e drogës. Ngjarja dyshohet se është vazhdimësi e atentateve të ndodhura në qytetin bregdetar apo edhe jashtë tij në 2 vitet e fundit.
Tv Klan