Presidenti Ilir Meta u shpreh besimplotë se Këshilli i Bashkimit Europian do të ndezë dritën jeshile për Shqipërinë pas rekomandimit  të Komisionit për çeljen e negociatave. Ajo që kreu i shtetit thotë se mbetet për të bërë deri në qershor është përmbushja e reformave që i janë lënë Shqipërisë si detyrë shtëpie.

 “Duhet t’i gëzohemi rekomandimit pozitiv të Komisionit Evropian, sepse ky është një hap mjaft i rëndësishëm. Dhe së dyti duhet të përqendrohemi në thellimin e reformave të 5 prioriteteve kyçe, sidomos për të treguar më shumë vullnet dhe rezultate përsa i takon sundimit të ligjit. Jam i bindur se i kemi të gjitha mundësitë që Këshilli të mbështesë plotësisht këtë rekomandim pozitiv për çeljen e negociatave për Shqipërinë”.

Nga Përrenjasi, Meta e ftoi klasën politike të evitojë polemikat e panevojshme, siç ishin ato mes kreut të opozitës Lulzim Basha e kryeministrit Rama për qëndrimet kritike të kreut të komisionit për çështjet europiane në parlamentin gjerman Gynter Krishbau, që e cilëson të parakohshme hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë.

 “Në këto momente është shumë e rëndësishme që të evitojmë çdo lloj polemike dhe të përqendrohemi te demonstrimi i rezultateve në ditët, në javët që vijnë, sepse besoj se kjo do të ishte rruga më e mirë që ky rekomandim i Komisionit të kthehet në mënyrë të sigurt në një vendim pozitiv të vendeve anëtare”.

Komisioni Europian rekomandi çeljen e negociatave pa kushte për Shqipërinë pak ditë më parë, por vendimi  pritet të merret në samitin e krerëve të bashkimit Europian në 28 dhe 29 Qershor.

Tv Klan