Valët e forta të Covid-it ia kanë lënë vendin nënvarianteve që shfaqen me problematika  më të zakonshme: rrufë, kollë apo dhimbje fyti. Mjeku Ilir Alimehmeti thotë në “Aldo Morning Show” në Tv Klan se rritja e këtyre virozave është pasojë e nënvarianteve të reja të Omicron-it.

Alimehmeti sqaron se nuk bëhet fjalë për grip pasi sëmundja e ka të pamundur të zhvillohet në temperatura kaq të larta, por s’ka vend për panik. Megjithatë, si me çdo virozë, protokolli shëndetësor nuk ndryshon. Për shenjat lehtësisht të menaxhueshme duhen ndjekur këshillat për hidratimin, përdorimin e paracetamolit  në rast nevoje dhe shmangien e kontaktit me njerëzit.

Ilir Alimehmeti: Kemi disa variante të reja që po shkaktojnë këtë lloj rritjeje nga njëri krah.

Aldo: Variante të reja Covid-i po thua?

Ilir Alimehmeti: Po, që janë nënvariante të Omicron-it sepse ky Omicron mbetet, u bënë vite që është shumë ‘fit’ për njerëzit.

Aldo: Pra po bashkëjetojmë.

Ilir Alimehmeti: Po bashkëjetojmë patjetër, por nuk i lë hapësirë një varianti  tjetër sepse duhet, ky është mbrojtja e parë që ne kemi, lufta  brenda llojit të viruseve.

Aldo: Qenka variant egoist.

Ilir Alimehmeti: Të gjithë viruset egoiste janë dhe e tillë është jeta, por ky nuk po na shkakton diçka të re. Mbetemi tek e njëjta logjikë që nuk është se kemi shumë raste të rënda.

Aldo: Me çfarë mund të ngatërrohet ky?

Ilir Alimehmeti: Me gjithçka, me çdo lloj viroze respiratore, një kollë, një dhimbje gryke etj, janë simptoma shumë të përgjithshme.

Aldo: Kur i kanë njerëzit këto tani në kulmin e vapës që dhjetëfishohen, çfarë të bëjmë ne?

Ilir Alimehmeti: Virozë është. Si çdo virozë do të thotë mbështetje, kujdes mos ftohesh më shumë, kujdes kondicionerin se i rrimë përballë nga vapa e madhe, do të shkaktojë rënien e imunitetit se ajo ftohja nuk është fiziologjike për trupin, ftohja aq e madhe, e menjëhershme, lëngje patjetër sepse në mesin e vapës duhen gjithsesi se kemi shumë dehidrim, paracetamol dhe si gjithmonë, kujdes të tjerët. Parimi që je i sëmurë, ki kujdes të tjerët që mos të shkojmë t’i puthim e t’i përqafojmë./tvklan.al