Disa kohë më parë, stilistja e njohur Katerina Zoto ishte e ftuar në programin “Rudina” në Tv Klan për të na treguar për pritjen e ëmbël, në muajin e gjashtë të shtatzënisë. Këtë herë, ajo kthehet me vogëlushen e saj, Leorën në krahë e cila është 9-muajshe.
Stilistja tregon sa shumë gëzim ka sjellë Leora në familje, madje i është kthyer në një shoqe sepse kalojnë orë të tëra bashkë edhe në atelienë e Katerinës. Rikthimi në punë ka ndodhur shumë shpejt për të, që ditën e dytë pas daljes nga materniteti.
Katerina Zoto: Që ditën e dytë që kam dalë nga materniteti, kam shkuar te puna bashkë me Leorën në mënyrë që t’ua lija punën gati vajzave që punojnë me mua.
Rudina Magjistari: Që ditën e dytë që ke dalë nga materniteti ke shkuar në punë?
Katerina Zoto: Që ditën e dytë. Edhe pse kam bërë një lindje me operacion dhe ishte pak e pamundur, kam shkuar dhe kam ndenjur goxha orë në këmbë që ta lija punën në rregull.
Rudina Magjistari: Sakrificë e madhe!
Katerina Zoto: Doja më shumë t’i tregoja vetes që unë mundem.Pastaj, pas dy javësh jam kthyer sërish në punë, bashkë me Leorën.
Leora erdhi në jetë përmes ndërhyrjes për shkak të një komplikacioni, por gjithçka ka shkuar shumë mirë. Katerina tregon se e vetmja vështirësi që hasi ishte shërimi pas operacionit.
Katerina Zoto: Pjesa e lindjes m’u duk goxha e thjeshtë se nuk mora vesh gjë, thashë ua, po qenka më e thjeshtë se të shkosh te dentisti, kisha edhe një vajzë infermiere aty që po më mbante me muhabet flokësh dhe nuk e di, në dy fjali Leora doli dhe aq mbaj mend. Pastaj, rikuperimi, ato tri ditët e para në maternitet ishte goxha e vështirë sepse nuk më kishte folur dikush që të është kaq e vështirë pjesa që ti duhet të ngrihesh në këmbë…
Rudina Magjistari: Në fund fare është operacion.
Katerina Zoto: Nuk ia kisha haberin kësaj gjëje dhe as nuk e çoja ndërmend që ishte aq e vështirë aq sa mendoja unë s’do të bëhem më njeri, le më të kthehem në punë siç dua unë pas disa ditësh. Por aq ishte, tri ditë dhe pastaj isha shumë në formë. Tani mund të shkoj jo më këmbë, por me taka.
Rudina Magjistari: Pse vendose të lindësh me operacion?
Katerina Zoto: Leora kishte një kordon tri herë rreth qafës dhe mjeku tha që nuk ia vlen të rrezikojmë./tvklan.al