Mijëra persona janë mbledhur në të gjithe Britaninë në pritje të arkivolit që do të dërgohet në Pallatin Buckingham
Në të gjithë Londrën, njerëzit kanë bërë nderimet e tyre për Mbretëreshën Elizabeth II. Mijëra persona kryen homazhe dhe vendosën lule, ndërsa disa të tjerë zgjodhën artin e rrugës.
Njerëzit ndalojnë të bëjnë fotografi ndërsa artisti me shkumës Julian Beever krijon një portret të mbretëreshës në trotuaret e Sheshit Trafalgar. Ndërkohë në Green Park qindra mijëra persona vendosën kartolina duke shprehur ngushëllimet e tyre.
Radhët e njerëzve kanë filluar që të shtohen në Londër përpara mbërritjes së Mbretëreshës dhe më pas do të dërgohet në Pallatin Buckingham.
“Thjesht ndjeva se duhej vërtet të vija, shpresoj të vij të hënën gjithashtu. Ajo ishte e mahnitshme, pas saj vjen Charles dhe do të jetë një Mbret i shkëlqyer”.
“Unë kam ardhur nga jashtë Cardiff, vetëm për t’i bërë nderimet e mia mbretëreshës për gjithçka që ajo ka bërë për vendin tonë, përpjekjet që ajo ka bërë, ajo ishte monarkja më jetëgjatë dhe unë thjesht doja të bëhesha pjesë e kësaj”, ishin disa nga deklaratat që kanë thënë njerëzit.
Fëmijë të vegjël dhe të rritur, disa të veshur me kravata të zeza në shenjë zie, ecën të qetë drejt hyrjes së Katedrales, ndërsa oficerët e policë ishin vendosur për të shmangur ndonjë incident të mundshëm.
Dhjetëra mijëra njerëz dolën po ashtu në Skoci për t’i bërë nderimet e tyre Mbretëreshës Elizabeth II, me mijëra të tjerë që vizituan Katedralen e Giles ku arkivoli po qëndron përpara se të dërgohet në Londër.
Ndërkaq trupat, grupet marshuese dhe kuajt morën pjesë në një provë për kortezhin e Mbretëreshës herët në mëngjes. Para agimit, anëtarët e të tre forcave të armatosura të Mbretërisë së Bashkuar morën pjesë në stërvitjen për procesionin e së mërkurës pasdite.
Arkivoli do të vendoset në një karrocë armësh dhe do të dërgohet në Pallatin e Westminsterit. Mbreti dhe anëtarët e tjerë të familjes mbretërore do të ecin në heshtje. Më pas do të qëllohet me armë në Hyde Park dhe do të bjerë zilja e famshme e Big Ben-it. Trupi i saj do të qëndrojë për katër ditë deri në ditën e varrimit, i cili është caktuar të bëhet të hënën, më 19 Shtator.
Klan News