Teksa mandati i Jean-Claude Juncker shkon drejt skadimit, kandidati kryesor për të marrë udhëheqjen e Komisionin Evropian është Manfred Weber, i mbështetur fort nga kancelarja gjermane Angela Merkel.
‘Corriere Della Sera’ shkruan se me emërimin e tij në krye të Komisionit, PPE synon të kthehet në një forcë konservatore me orientim të qartë në të djathtë dhe në gjendje për të tërhequr një numër në rritje të qytetarëve evropianë të dominuar nga “sirenat e sovranitetit”.
Sipas gazetës, Weber dëshiron politika më të ashpra të emigracionit dhe kundërshton multikulturalizmin. Në këtë kuptim ai është një kandidat ideal për të shërbyer si një urë me të djathtën që përfaqësohet nga liderë konservatorë si Viktor Orban.
Kancelarja Merkel ka vendosur të mbështesë Manfred Weber, si kandidatin kryesor të Partisë Popullore Evropiane për zgjedhjet evropiane në vitin 2019. Vendimi i kancelares për të mbështetur përfaqësuesin e CSU-së bavareze e vë atë në një pozitë të avantazhuar për të marrë udhëheqjen e Komisionit Evropian.
Zgjedhja e një gjermani në krye të Komisionit Europian konsiderohet si një objektiv strategjik për kancelaren Merkel, e cila i ka përqendruar të gjitha përpjekjet e saj për të marrë udhëheqjen e ekzekutivit të BE-së. Analistët thonë se zgjedhja e Weber është edhe një test për kancelaren nëse është akoma në gjendje të imponojë agjendën e saj.
Tv Klan