Një tjetër kantier në ndërtim është ai i Kampusit të Ri të Akademisë së Forcave të Armatosura, të cilin kryeministri Edi Rama bashkë me ministrin e mbrojtjes Pirro Vengu e inspektoi këtë të enjte.

I shtrirë në një hapësirë prej 10 HA, ky investim është konceptuar të jetë më standardet më të larta të NATO-s, që nga godina mësimore, konvikti, terrenet sportive, ato të stërvitjes ushtarake etj. Nga godina e Fakultetit të Sigurisë dhe Mbrojtjes, shefi i qeverisë kërkoi cilësi në punime, të cilat pritet të mbyllen brenda vitit.

“Unë them në të gjitha rastet të kapim patjetër korrikun, por me cilësinë. Në tetor për vitin akademik mbase bëhet gati. Nuk duhet të nxitohemi, duhet bërë çdo gjë perfekt. Është gjithë ky investim, duhet të jetë perfekt. Arkitektura është e bukur, hapësirat janë të bukura, koncepti i brendshëm është i bukur. Unë them që 6 muaj të mira i do kjo që të jetë tamam”, tha Kryeministri Rama.

Për kryeministrin me përfundimin e plotë të punimeve, Kampusi i ri do të shëndërrohet në një pikë referimi për të gjithë ushtrinë.

“Ky kampus shpresojmë të mbarojë në dy vitet e ardhshme komplet dhe të jetë një pikë referimi për të gjithë ushtrinë, s’është puna vetëm e studentëve, po edhe e ushtarakëve që të jetë një kampus i standardeve më të larta, të kampuseve të NATO-s, pastaj mbase edhe avancimi i projektit që kemi për ata akademinë që duam të sjellim nga vendet aleatë, do jetë super pastaj dhe do të mund pastaj që ne të japim shërbime për të tjerë që të sjellim të ardhura në buxhetin e mbrojtjes. Plus me industrinë jemi duke ecur mirë dhe kemi vënë disa baza të mira për të ndërtuar një industri të re ushtarake, prodhimi e armatimi. Dhe komponenti i tretë Ministria e Mbrojtes në mbështetje nga turizmi për të vendosur një sërë asetesh në dispozicion të turizmit që Ministria e Mbrojtjes të mbajë një pjesë të pronësisë, duke marrë të ardhura”, tha Rama.

Kampusi i Ri i Akademisë së Forcave të Armatosura do të përmbajë edhe kinema, palestra, pishinë duke ndjekur modelin e një prej akademive më të mira në SHBA, West Point.

Tv Klan