Kryeministri Edi Rama zgjodhi t’i drejtohej ndjekësve të tij në rrjetet sociale me një video pas miratimit nga Senati italian të marrëveshjes për pensionet. Pasi shpreh se bëhet fjalë për një nga dy marrëveshjet më të vështira, Rama falenderoi kryeministren italiane për finalizimin e saj.
“I jam falenderues Giorgia Melonit pa të cilën kjo punë nuk do të merrte fund dhe mund të merrte vite e vite të tjera”, tha Rama.
Tashmë synimi i qeverisë shqiptare është finalizimi i marrëveshjes për pensionet me Greqinë. Rama u shpreh se ka besim që në mandatin e katërt pensionet e shqiptarëve në Greqi do të njihen ligjërisht. Por jo vetëm këtu. Rama thekson se në këtë mandat duhet të vendosen pikat mbi “i” për të gjitha çështjet e dakordësuara mes palëve dhe ndër to foli për heqjen e ligjit të luftës.
“Tani qershia mbi tortë për t’u vënë dhe për të mbyllur të gjithë këtë cikël mbetet marrëveshja me Greqinë. Qielli është hapur përsëri nga retë që siç e dini u mblodhën prapë për arsyen që dini dhe vendosmëria ime është të mbyllim të tëra çështjet ende të hapura me po atë vizion, me po atë vullnet, me po atë ndjenjë respekti e bashkëpunimi që së bashku me kryeministrin Mitsotakis kemi ndarë qysh se jemi takuar për herë të parë. Unë kam shumë besim që mandati ynë i katërt do të jetë mandati i pensioneve të ligjëruara të shqiptarëve të Greqisë, ashtu siç duhet të jetë patjetër mandati i heqjes së ligjit të luftës dhe i vënies mbi “i” të të gjitha pikave të dakordësuara mes nesh. Shqipëria 2030 do të jenë së bashku në BE dhe do të kenë lënë pas çdo hije të së shkuarës duke ofruar më shumë se kurrë për të mirën e përbashkët të të dy popujve, por edhe me bindjen që në këtë botë gjithmonë e më të trazuar së bashku jemi shumë e shumë më të fortë”, tha Rama./tvklan.al