Mbreti Charles III dhe Mbretëresha Camilla do të kryejnë vizitë shtetërore në Itali dhe Vatikan, duke përfshirë planet për një takim me Papa Françeskun.

Papa vijon trajtimet në spitalin Gemelli të Romës dhe mjekët ende nuk kanë dhënë një afat kohor se kur ai do të mund të lërë spitalin. Por Pallati Buckingham në një deklaratë ka bërë të ditur se udhëtimi do të vazhdojë siç ishte planifikuar, nga 7-10 Prill, me disa aktivitete në Romë dhe Ravena.

Mbreti i kishte dërguar privatisht një letër Papës, kur ai u sëmur. Vizita synon të tregojë lidhjen simbolike midis Kishës Katolike Romake dhe Kishës së Anglisë, ku Mbreti Charles është Guvernatori Suprem.

Përveç takimit me Papën, Mbreti do të marrë pjesë në një shërbim në Kapelën Sistine. Vizita shtetërore do të ketë edhe një dimension personal, pasi udhëtimi në Romë përkon me 20-vjetorin e martesës së Mbretit dhe Mbretëreshës.

Mbreti do të takohet me presidentin dhe Kryeministren e Italisë Giorgia Meloni dhe do të bëhet monarku i parë i Mbretërisë së Bashkuar që do t’i drejtohet të dy dhomave të parlamentit italian.

Klan News