Ish-Presidenti amerikan Barack Obama dhe bashkëshortja e tij Michelle Obama mbajtën fjalim në Konventën e Demokratëve në SHBA, duke u bërë thirrje qytetarëve amerikanë që të mbështesin Kamala Harris për Presidente.

“Ne nuk kemi nevojë për 4 vite të tjera rrëmujë, trazira dhe kaos. E kemi parë atë film më parë dhe të gjithë e dimë se vazhdimi zakonisht është më i keq”, tha Obama para delegatëve në ditën e dytë të Konventës në Çikago.

“Amerika është gati për një kapitull të ri, është gati për një histori më të mirë. Ne jemi gati për Presidenten Kamala Harris”, theksoi Obama.

Ish-kreu i Shtëpisë së Bardhë hodhi akuza ndaj kandidatit republikan Donald Trump, si dhe vlerësoi Presidentin aktual Joe Biden, i cili u tërhoq nga gara presidenciale e këtij viti duke i hapur rrugë Kamala Harrisit.

“Historia do ta kujtojë Joe Biden si një president që mbrojti demokracinë në një moment rreziku. Jam krenar që e quaj presidenti im, por akoma më shumë që e quaj miku im”, u shpreh Barack Obama.

Bashkëshortja e tij, Michelle Obama, e cila është në krye të preferencave të demokratëve që të kandidojë për presidente të ardhshme, tha se me kandidaturën e Kamala Harris, shpresat për Amerikën po kthehen sërish. /tvklan.al