Autoritetet në Paraguai njoftuan sekuestrimin e sasisë më të madhe të kokainës në historinë e vendit, pasi zyrtarët shtangën kur zbuluan më shumë se 4 ton drogë të futur brenda ngarkesave me sheqer, me destinacion Europën.
Presidenti Santiago Peña u tha gazetarëve se zbulimi rekord, i koduar “Operacioni ëmbëlsira”, i shtohet një serie ‘episodesh të trishtueshme’ në Paraguai, që e kanë transformuar vendin me pozicion strategjik, në një pikë kyçe të trafikut të drogës në rajon.
Peña tha se shpresonte që kapja e drogës së nisur drejt Belgjikës, me një vlerë prej rreth 240 milionë dollarësh, do të ndërpriste tregtinë e kokainës. Ai shtoi se policia është në kërkim të personave përgjegjës.
“Mendoj se i dërgon një sinjal bandave të krimit të organizuar për të mos përdorur Paraguain si vend transit: ata do të përballen me autoritete të vendosura dhe që punojnë në mënyrë të koordinuar”, tha Peña, teksa premtoi forcim të sigurisë në porte. “Bandat nuk do të jenë në gjendje që të shmangin të gjitha kontrollet që po implementojmë”.
Të hënën, agjentët nga agjencia antidrogë e Paraguait, të njohur si Senad, nisën të hapnin kontejnerët të mbushur me 40 kilogramë pako me sheqet në Puerto Caacupemi, një port lumor në kryeqytetin Asunción. Të martën ata ishin ende duke ndarë dhe peshuar kokainën e fshehur brenda në ngarkesë.
Nuk është ende e qartë origjina e drogës. Ndryshe nga shtetet fqinje, Bolivia, Kolumbia e Peruja, Paraguai nuk prodhon kokainë. Por gjatë viteve të fundit, shteti i vogël që nuk ka dalje në det është kthyer në një ‘parajsë trafiku’ për cigare e të mira luksoze, por dhe drogës, pasi bosët e karteleve gjejnë rrugë të reja për të arritur tregjet. Kjo ka shkaktuar korrupsion, e madje edhe dhunë, në një vend të pamësuar me dhunën për shkak të drogës.
Disa prej sekuestrimeve më të mëdha të kokainës në Europë, veçanërisht në portin e Antwerp në Belgjikë, janë gjurmuar në portet lumore të Paraguait ku dërgesat e dyshimta mund të kalojnë nën radar.
“Gjeografikisht, Paraguai ka një pozicionin strategjik për krimin e organizuar, në sensin që ne jemi të vendosur pranë prodhuesve më të mëdhenj të kokainës në botë”, tha zëdhënësi i Senad, Francisco Ayala nga porti, ku autoritetet inspektuan sasinë e kokainës së kapur. “Ka një sistem trafiku lumor të njohur globalisht… është i përsosur”, shtoi ai./tvklan.al