#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan
Seanca plenare këtë të enjte nisi me tensione dhe përplasje në parlament. Deputetët e opozitës u përplasën me gardën jashtë ambienteve të parlamentit, pasi kjo e fundit kishte vendosur një gardh metalik për të mos lejuar në seancë deputetë e përjashtuar. Gjatë përplasjeve opozita pretendon se një punonjës i policisë ka tentuar t’i nxjerrë armën deputetit të PD, Luan Baçit. Ndërkohë tensionet vazhduan dhe brenda sallës, ku deputetja Elda Hoti hodhi një material të lëngshëm drejt deputetëve të mazhorancës. Fillimisht u mendua se mund të ishte benzinë, por deputetja shprehet se ishte parfum. Të gjitha zhvillimet e kësaj të enjteje të sferës politike në vend diskutohen në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan.
Të ftuar: Ornela Çuçi, Agron Shehaj, Mark Marku, Plarent Ndreca, Preç Zogaj, Tomor Alizoti
Fevziu nxehet me Alizotin: Kam 28 vjet, këtu jam unë Zoti i kësaj studioje….
Duke folur për pamjet nga Parlamenti, kur shiheshin qartazi deputetët e opozitës që “kacafyteshin” me gardën Tomor Alizoti në “Opinion” u shpreh se është ndërtuar një formë spektakli.
Ishte pikërisht kjo frazë e cila nevrikosi gazetarin Blendi Fevziu, i cili në debat e sipër tha: “Nuk ke ç’i bën gomarit dhe i bie samarit. Vini këtu dhe i bini medias.”
Blendi Fevziu: Alizoti çfarë po ndodh?
Tomor Alizoti: Me gjithë respektin, kam përshtypjen se e gjitha është ndërtuar në një formë spektakli.
Blendi Fevziu: Në një formë spektakli?! Pse ti do të më tregosh mua se si do ta ndërtoj emisionin.
Tomor Alizoti: Do më lesh të flas apo jo?
Blendi Fevziu: Jo s’të lë të flasësh. Ti fillon të flasësh për mua “është ndërtuar në formë spektakli”. Po pse mo unë e bëra spektaklin? Po çfarë duhet të jap?
Tomor Alizoti: A mund ta them përgjigjen time?
Blendi Fevziu: Jo more nuk mund ta thuash, për sa kohë e nise me mua.
Tomor Alizoti: Por, jo nuk e nisa me ju. Po e them në perceptimin publik, nuk ka të bëjë me ju.
Blendi Fevziu: Ti nuk je perceptimi publik. Ti je person që flet për veten tënde.
Tomor Alizoti: Siç e shoh unë perceptimin publik.
Blendi Fevziu: Po jo more zotëri se nuk mund të thuash si e sheh ti perceptimin publik për emisionin tim. Do të t’i heq këto pamjet, çfarë do të bëj?
Tomor Alizoti: Jo more mos i hiq.
Blendi Fevziu: Hajde këtu ti në vendin tim dhe mbaj fjalim.
Tomor Alizoti: Të lutem zoti Fevziu! Pse e more kaq emocionale?
Blendi Fevziu: E mora se ka një taktikë të vazhdueshme të politikanëve që vijnë dhe intimidojnë gazetarët, “pse jepni këtë dhe nuk jepni këtë”. Unë jap çfarë mendoj unë se pëlqen publiku dhe kam 28 vjet që e jap. Kështu që herës tjetër nise emisionin siç është për t’u nisur, mos e nis me mua.
Tomor Alizoti: Patjetër! Nisa një fjalim, unë nuk besoj se… Ne kemi bërë shumë emisione bashkë…
Blendi Fevziu: Ne jemi edhe miq bashkë, por unë nuk të lejoj që ti ta nisësh emisionin me mua. Jemi miq jashtë pimë kafe, këtu Zoti i kësaj studioje jam unë, jo ti po kushdo qoftë.
Tomor Alizoti: Mbase e ndjeve ti ashtu, por nuk ka lidhje me këtë punë. Unë kur them “perceptimi publik” nuk them në lidhje me ju. I gjithë perceptimi publik sot…Mendimi im, ky është mendimi im, ky është këndvështrimi im, siç e shoh unë mund të jetë edhe gabim. Gjithë perceptimi publik sot në Shqipëri dhe jo tek emisioni juaj e shikon çështjen e demokracisë në Shqipëri si një çështje estetike dhe kjo nuk ka të bëjë me emisionin tuaj, harroje këtë punë. Është një bisedë që po bëjmë, unë po e bëj me koncept, nuk po e bëj në lidhje me emisionin. Pse, sepse në momentin që në një vend nuk funksionon institucioni që është më i rëndësishëm që është Parlamenti, e gjithë media në Shqipëri, nuk po them me dashje, por po them që merret me estetikën e gjërave.
Blendi Fevziu: Kemi bërë emisione pa fund këtu, se çfarë po ndodh në Parlament.
Tomor Alizoti: Nuk është debat mes nesh ky.
Blendi Fevziu: Jo more edhe me median.
Tomor Alizoti: Ky është një debat pricipal që ndodh në shumë demokraci të reja, mos e keqkupto nuk ka lidhje me ne kjo punë.
Blendi Fevziu: Jo kjo mua më kujton një shprehje të popullit “nuk ke ç’i bën gomarit dhe i bie samarit”. Vini këtu dhe i bini medias, po çfarë bën media. Këto janë pamje që i keni publikuar ju në rrjetet sociale! Ne i kemi marrë nga deputetët e PD-së!
“Ç’a duan të dënuarit aty?!”, Ndreca për opozitën: Këta kanë vetëm një qëllim
Sipas socialistit Plarent Ndreca i gjithë aksioni opozitar ka një qëllim të vetëm, bojkotimin parlamentar. Sonte në studion e “Opinion” Ndreca u shpreh se eksponentët e së djathtës po krijojnë një lloj “viktimizimi artificial” në prag zgjedhjesh.
Plarent Ndreca: Unë nuk e shoh të përputhet fytyra e zotit Alizoti me atë të udhëheqësit politik. S’kanë përputhje! Që këta janë grup me ide të qarta, nuk përfaqësojnë atë që kanë në udhëheqje, kanë një konfuzion të plotë në ide, qasje. Këta flasin për demokraci dhe parlamentarizëm, ndërkohë që kanë marrë votat të jenë në parlament, jo në rrugë. Nuk mund të dëgjohesh për gjithçka thua! Nëse ka një fakt që tregon krizën reale të opozitës, ky spektakli mediatik, por që në fakt këta me qëllim të plotë e kanë bërë për të dhënë një mesazh. Po një pyetje e thjeshtë, ç’a duan këta deputetë aty?!
-A është normale të ndalosh 60 ditë deputetët kur je në prag zgjedhjesh?
Plarent Ndreca: Është vendim i marrë duke zbatuar rregulloren e Kuvendit. Mos të merremi me teknikalitet. Pa ju futur kësaj historie, deri kur ky vendim të rrëzohet nga një organ kompetente, cduan këta deputetët e dënuar? Këtu bëjnë viktimizimin artificial, vijnë godasin Gardën dhe thonë nuk na lejojnë të futemi në Kuvend.
Agron Shehaj: Unë nuk e bëra interpelancën sepse kishte deputetë të PD të papërjashtuar që nuk i lejonin të futeshin brenda.
Plarent Ndreca: Qëllimi është i qartë, të mos lejojnë zhvillimin e Parlamentit. Vetëm mosbindje civile nuk është!
Benzinë apo parfum? Deputetja Hoti i dërgon mesazh sqarues Fevziut
Deputetja e PD Elda Hoti i ka dërguar mesazh Blendi Fevziut gjatë emisionit “Opinion”, lidhur me përplasjet sot brenda sallës së Kuvendit. Shishja që krijoi alarm se përmbante benzinë, sipas deputetes ishte thjesht parfum.
Blendi Fevziu: Kam një mesazh nga deputetja Elda Hoti. Zonja Hoti më thotë që me një grup të strukturuar kriminal, mund dhe do të ketë vetëm përballje. Sot ky grupim që e quan veten mazhorancë, por në fakt është një sekt kriminal që kërkon të dhunojë opozitën për të mbajtur një pushtet që ka zhvatur Shqipërinë. Sqarim: Nuk kam hedhur benzinë, por parfum si shenjë revolte pas dhunimit të deputetëve nga ana e Gardës, të cilët e theksoj nuk ishin të përjashtuar. Me urdhër të Spiropalit ne nuk jemi futur dot për 30 minuta, na u mohua ushtrimi i detyrës sonë të drejtë të cilën nuk na e kanë dhënë këta të korruptuar, por qytetarët e ndershëm të këtij vendi. Kjo është e paprecedentë, nuk mjaftoi kjo…Në shkelje të rregullores dhe çdo ligji futën Policinë në Kuvend dhe kërcënuan deputetët. Tentativë për të trembur opozitën, Edi Rama nuk do t’ja dalë!
Kujtojmë se shishen me lëng e ‘ekzaminuan’ në Kuvend 3 ministra. Më pas kryeparlamentarja Elisa Spiropali e përjashtoi demokraten duke i thënë se me “të do të merret SPAK.”
Shehaj e thotë troç për Ndrecën: Ka shkuar në SPAK para 2 muajsh, është nën hetim?
Kryetari i partisë “Mundësia” Agron Shehaj ka rreshtuar sonte në “Opinion” ato që sipas tij janë skandale të kësaj qeverie vetëm në muajt e fundit. E teksa u ndal te korrupsioni, ai iu drejtua socialistit Plarent Ndreca duke i thënë se ka shkuar në SPAK dy muaj më parë. Ky i fundit argumentoi se është nënkryetar i një komisioni hetimor dhe si i tillë ka për detyrë të japë llogari dhe të përgjigjet sa herë thirret nga prokurorët.
Agron Shehaj: Mirë opozita qenka kaq e mbaruar, po mazhoranca kaq e paparë qenka?! Thjesht mendova skandalet e muajve të fundit.
-Pa numëroji!
Agron Shehaj: Skandali i mikrokredive, mbi 100 mijë qytetarë janë vjedhur. Janë vjedhur fondet e BE. Drejtuesi i bankës vazhdon të jetë aty, ministry aty. Trafiku i plehrave, këto janë skandale që kanë ndodhur vetëm muajt e fundit. Këta fitojnë zgjedhjet sepse imagjino të kesh një thes të jashtëzakonshëm me para që vazhdimisht mbushet. Se këto skandalet që përmenda unë, nuk është se këta janë të këqinj e nuk duan njerëzit. Thjesht, çështje parash! Ju duhen para sepse kjo është mënyra që mbajnë pushtetin. Është një sistem i ngritur, ndërkohë opozita me shpatulla pas murit. Skandali tjetër është Onkologjiku.
Doli një rast, çmenduri. Një zotëri ka marrë live një television dhe ka lënë me gojëhapur prezantuesit. Ka thënë djali im ishte me tumor, po kurohej te Onkologjiku dhe një ditë të bukur i thanë kanë mbaruar ilaçet. Nuk kemi, do të të marrim në telefon kur të vijnë prapë. Dhe tha “djali im vdiq sepse i ndërprenë kurën”, me emër dhe me mbiemër. E kam bërë publike në Parlament dhe në rrjete sociale. Zotëria ishte i trembur, nuk donte…Kur trembet një njeri që ka humbur djalin, se mund të jetë në kushte të vështira ekonomike. Kjo është arsyeja pse këta fitojnë, paratë dhe frika. Nuk ka nevojë për shpëtimtarë, janë zgjedhjet. Këtu korrupsioni është gjithandej, zotëria që më kundërshton mua këtu është pjesë e Komisionit Hetimor mbi Shëndetësinë. Zotëria ka qenë te SPAK-u para dy muajsh dhe mediat raportojnë se është nën hetim. Unë nuk e di, nuk është sqaruar kjo gjë.
Plarent Ndreca: E çfarë problemi ka këtu?
Agron Shehaj: Kryetari i komisionit është thirrur…
Plarent Ndreca: E para jam nënkryetar se zemërohet Albana. Është çështje nën hetim dhe nuk është çudi fare. Njerëzit që kanë punuar zotëri…
Agron Shehaj: Edhe kanë vjedhur! Ç’a banaliteti është ky?!
Plarent Ndreca: A e hodhe shashkën? Mos më trego mua se unë jam jurist. A e hodhe o zotëri? Mua s’ma shpjegon dot. Për këtë e kemi krijuar SPAK-un që të gjithë njerëzit që kanë firmosur të shkojnë e të japin llogari për çfarë kanë firmosur. Ata që janë papunë s’kanë çfarë bëjnë në SPAK se nuk i thërret njeri. Unë do jap llogari si çdo qytetar dhe shyqyr që ia arritëm kësaj dite. Unë dhe kushdo tjetër të shkojmë në SPAK sa herë të na thërrasin. Fakti që përbën lajm lidhet me kulturën e mëparshme se nuk shkonte kush, nuk ekzistonte kjo. Ki durim zotëri!
“Është nën hetim për…” Fevziu lexon mesazhin e Bardhit live, Ndreca e mohon: Nuk është e vërtetë
Gjatë emisionit ‘Opinion” gazetari Blendi Fevziu lexon mesazhin që i vjen nga kreu i grupit parlamentar i PD. Gazment Bardhi i cili akuzon socialistin Plarent Ndreca se është nën hetim me procedim penal, pasi akuzohet sipas tij për shkelje të barazisë në tender.
Nga ana tjetër Ndreca mohon çdo akuzë që pretendon Gazment Bradhi, duke thënë se ai nuk është në hetim nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe se nuk ka shkaktuar dëm në arkat e shtetit.
Blendi Fevziu: Kryetari i grupit parlamentar i PD, se ky i di të gjitha, Gazment Bardhi më thotë: meqenëse na thotë se nuk ka vjedhur, Plarent Ndreca është person nën hetim bazuar në një kallëzim të bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, akuzuar për shkeljet në barazisë në tender kryer në bashkëpunim, me abuzim miliona euro për rikonstruksionin në disa godina të komisariateve. Qartësisht SPAK ka dalë në konkluzionin që Plarent Ndreca, sekretar i përgjithshëm, ka shkelur ligjin në paracaktimin e kompanisë fituese.
Plarent Ndreca: Do ma çosh atë mesazhin mua!
Blendi Fevziu: E lexova këtu.
Plarent Ndreca: Jo ma ço se nuk është e vërtetë!
Blendi Fevziu: S’është e vërtetë! Konfirmim, që s’është e vërtetë. Zoti Bardhi s’është e vërtetë thotë Ndreca.
Plarent Ndreca: S’është e vërtetë. Zero kallëzim për mua, zero lekë të shpenzuara nga buxheti i shtetit.
Blendi Fevziu: Zero kallëzim për ty.
Plarent Ndreca: Nuk jam kallëzuar unë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Zero lekë nga buxheti i shtetit. Duhet të ketë durim se edhe Gazment Bardhi nuk ndryshon nga këta përballë ore, atë do ai.
/tvklan.al