#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Emisioni politik më i ndjekur dhe më i preferuar në ekranet shqiptare. “Opinion” vjen në katër takime çdo javë – e hënë, e martë, e mërkurë dhe takimi tradicional i të enjtes mbrëma.

Më 11 Maj 2025 shqiptarët u drejtohen kutive të votimit, për zgjedhjet elektorale që do të zhvillohen në vend. Të gjitha partitë janë të përqendruara për programin e tyre sa i përket fushatës elektorale. Mbrëmjen e kësaj të enjteje në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan përfaqësuesit e partive të reja, që janë risi në këto zgjedhje, të cilat njëkohësisht janë në garë njësoj si partitë e tjera, diskutojnë për zgjedhjet elektorale, programet e strategjitë politike.

Akuzat e Arlind Qorit, Fevziu i përgjigjet ashpër: S’ka Perëndi në botë të më diktojë kë marr e kë heq

Gazetari dhe drejtuesi i emisionit “Opinion”, Blendi Fevziu, është përfshirë në një debat me kreun e partisë “Lëvizja Bashkë”, Arlind Qori, pasi ky i fundit e akuzoi se ka mbi 1 vit që nuk ftohet në emision.

Fevziu u shpreh se “s’ka Perëndi në botë të më diktojë mua kë do marr e kë do heq” në lidhje me të ftuarit në emisionin e tij.

Ai renditi hierarkinë e shtetit shqiptar nga të cilët janë ftuar vetëm 1 herë në vit kryeministri dhe kreu i opozitës, po aq sa Qori.


Pjesë nga debati

Arlind Qori: Edhe nga pikëpamja sociale dhe ideopolitike, jemi kërcënim për partinë në pushtet, për oligarkinë ekonomike dhe kjo është arsyeja pse nga njerëzit politikë në Shqipëri unë jam më pak i pranishmi në mediat e mëdha në televizionet e mëdha. Në televizionin po aq të madh sa tuajin unë kam po 1 vit e 8 muaj pa marrë asnjë ftesë. Kjo tregon në gjykimin tim frikën që ka qeveria, pushteti politik dhe oligarkia ekonomike nga Lëvizja Bashkë.

Blendi Fevziu: Ti bën një akuzë tani ndaj meje. Ta them këtu ta dish ti dhe çdo njeri në Shqipëri që s’ka Perëndi në botë të më diktojë mua kë do marr e kë do heq. S’ndodh. E para. E dyta.

Arlind Qori: Ky është gjykimi im.

Blendi Fevziu: Ky është mendimi yt, por do rrish këtu tani se po bën një akuzë. Tani po t’i marr një për një unë, kryeministri sa herë ka qenë vitin e fundit?

Arlind Qori: Ma thuaj ti, ku di unë?

Blendi Fevziu: 1 herë.

Arlind Qori: Ka dashur të vinte dhe nuk e ke ftuar?

Blendi Fevziu: E ftoj unë.

Arlind Qori: Unë pranoj çdo ftesë. Unë ngrihem nga gjumi në 3 të mëngjesit po më pyeti mua dhe vij në televizion më kupton? Top Channel ka bërë emisione për pensionet dhe nuk ka ftuar asnjë përfaqësues të Lëvizjes Bashkë. Ka bërë emisione, ne kemi bërë 7 protesta për pensionistët dhe nuk ka ftuar përfaqësues të Lëvizjes Bashkë dhe kjo është skandaloze.

Blendi Fevziu: A mund të mbaroj se nuk të jap llogari për Top Channel fare. Do rrimë një herë këtu. Sa herë ka qenë kryetari i opozitës vitin e fundit?

Arlind Qori: Ma thuaj.

Blendi Fevziu: Një herë, në datën 8 Dhjetor.

Arlind Qori: Edhe ata kanë dashur të vijnë?

Blendi Fevziu: Nuk ka rëndësi, nuk duan ata se nuk varet dëshira e tyre fare. Sa herë ka qenë zv/kryeministrja e Shqipërisë? Asnjëherë.

Arlind Qori: Unë nuk e di kush është zv/kryeministrja e Shqipërisë.

Blendi Fevziu: Ti s’e di, por prit do rrimë këtu tani. Sa herë ka qenë ministri i Financave? Asnjëherë në tre vitet e fundit.

Arlind Qori: Po të pyesim publikun si e kanë emrin këta, asnjëri nuk e di!

Blendi Fevziu: Nuk ka rëndësi si e kanë emrin. A po më thua për politikanë? Sa herë ka qenë nënkryetari apo Sekretari i Përgjithshëm i partisë? Asnjëherë në intervistë. Këtu te unë. Ata që janë. Pse ti thua unë jam ata nuk janë. Sa herë ka qenë kryetari i kuvendit në këtë studio në 8 vjetët e fundit? Asnjëherë. Sa herë ka qenë presidenti në këtë studio? Asnjëherë. Ti thua unë s’jam ftuar ndërkohë që unë po të them që gjithë kjo hierarki e këtij shteti, president, kryetare e kuvendit, kryeministri dhe kryetari i opozitës kanë qenë dy herë, në qoftë se e merr listën dhe e sheh aq sa ke qenë ti kanë qenë edhe këta të dy.

Për më shumë se një orë, në studion e “Opinion” u ndez një debat lidhur me hapësirën televizive që kanë përfaqësuesit e partive të reja. Ishte Arlind Qori i “Lëvizjes Bashkë” që hodhi akuza se nuk është thirrur aq sa duhet nëpër emisione dhe se protestat që ai ka zhvilluar nuk janë transmetuar.

Përpos Fevziut, një përgjigje për të e dha edhe kryeredaktori i lajmeve në Tv Klan Fatos Hakorja. Ky i fundit tha se asgjë nuk mund të imponohet, e aq më tepër kur je në pozicionin e një personi që nuk ka “një peshë speficike politike”.


Fatos Hakorja: Është dëshpëruese, është për të ardhur keq, përpjekja e partive të reja për t’u imponuar… Për të marrë vëmendje të publikut… Është dëshpërues imponimi i gjithçkaje, imponimi për të marrë vëmendje, për të drejtuar prozhektorët nga vetja, viktimizimi për heroizëm në një shoqëri me 68 televizione, 800 portale…

Endrit ShabaniNe kemi rrjetet sociale, s’na duhen fare…

Fatos HakorjaTë kërkosh vëmendje duke mos qenë askushi në spektrin politik, sepse nuk je i votuar, nuk ke asnjë votë në Parlament. Ke një parti politike, më vjen keq që e ke aq të vogël, po aq e ke! Nuk jeni të përfaqësuar në spektrin politik, dilni bëni protesta siç mund të bëjë një shoqatë, dy shoqata, dhjetë shoqata dhe i caktoni vetes relevancën. Pra, unë jam i rëndësishëm dhe protesta ime ka shumë rëndësi, t’i duhet të më nxjerrësh mua në Parlament. Unë kam 20 vjet në këtë profesion, unë s’e kam dëgjuar asnjëherë asnjë gazetar të vijë të më thotë që zoti Qori ka bërë një protestë dhe gjëja që ka thënë është shumë  e rëndësishme sepse ka taban. Unë kisha një pyetje për zotin Qori dhe ju të gjithëve. Ju do t’i imponoheni medias?! Për të kërkuar vëmendje?

Blendi Fevziu: Në cilat media botërore bëhet lajm një protestë me 10 veta?

Fatos Hakorja: Çfarë përfaqësoni o burrë i dheut? Kush është realisht pesha juaj specifike në politikën shqiptare dhe si e mat? Kush jeni ju?

Arlind Qori-Blendi Fevziut: T’i kam rënë ndonëjherë numrit të telefonit për të të thënë aman më fto? Kurrë!

Blendi Fevziu: Askush s’guxon! Askush s’guxon! Të guxojë njeri të thotë, unë do vij në emision!

“I vetmi yll polar i imi, instinkti i gazetarit…” Fevziu: Ndryshe s’do isha 27 vjet në këtë studio

Emisioni i sotëm i “Opinion” ishte parashikuar që të flitej mbi partitë e reja në Shqipëri, ku 4 liderët e tyre ishin ftuar në studio.

Por debati u ndërpre për shkak të akuzave të kreut të “Lëvizjes Bashkë”, Arlind Qori, i cili pretendoi se nuk është ftuar në emisionin “Opinion” prej më shumë se 1 viti.

Gazetari dhe drejtuesi i emisionit, Blendi Fevziu u shpreh se në studion e tij ka ftuar njerëz të kategorive të ndryshme, që nga ata të thjeshtët e deri tek miliarderë.

Ai theksoi se i vetmi yll polar që e ka orientuar në punën e tij ka qenë instinkti i gazetarit që të ketë audiencë. “Ndryshe nuk do isha 27 vjet në këtë studio dhe ta mbaja ende”, tha ai.

Fevziu u shpreh se është e papranueshme dhe askush nuk guxon t’u imponojë gazetarëve si të bëjnë detyrën e tyre.


“Po në këtë vend vidhet, po në këtë vend ka abuzim, po në këtë vend politikanët u ngrenë zërin gazetarëve dhe i urdhërojnë se çfarë duhet të bëjnë, po në këtë vend politikanët janë drita, dielli dhe kur s’janë politikanë janë normalë, kur bëhen politikanë fillojnë me të njëjtën arrogancë. Jo mor jo, nuk guxon asnjeri dhe nuk ka njeri në këtë botë që t’u imponohet gazetarëve për atë se çfarë do bëjnë, si do ta bëjnë dhe pse e bëjnë. Nuk ka asnjë njeri në botë që të imponohet. Çdo njeri e ka integritetin e tij të matshëm me punën e tij. Unë kam 27 vjet në këtë studio, kam njohur politikanë nga më të rëndësishmit, kam njohur politikanë nga më të zakonshmit, kam njohur njerëz që kanë qenë në fatkeqësi, kam njohur njerëz që kanë qenë në kulmin e tyre. Kam futur në studio miliarderë dhe njerëz që vuanin për bukën e gojës, që kanë ardhur këtu për të ndihmuar. Ky është pak a shumë një lloj pazëlli i madh i Shqipërisë.

Në këtë Shqipëri natyrisht kishim shumë shpresë që të rinjtë të jenë ndryshe. Çfarë ndodh? Në vitin 2008 kam zhvilluar një emision që titullohej politikanët e rinj. Debat që shumë veta e mbajnë mend ku më shumë sherr se sa në politikën paraardhëse u bë në atë studio. Pastaj u kthye në artikuj. Shih çfarë ndodh, nisesh me idenë për t’ju bërë një prezantim normal, pak më ndryshe nga përditshmëria në mënyrë që të tregohet që ky spektër politik ka dhe ofertë tjetër, nuk është kaq i varfër dhe shihe ku mbërrin debati. Bëhet një debat ku kërkesa kryesore është pse s’më fton dhe sa më fton dhe maten ditët e ftesave. Në këtë studio mund të kenë qenë rreth 10 mijë persona, se disa kanë qenë me dhjetëra herë, sepse kam marrë një vendim që politikanë të jenë më pak. Ndërkohë që politikanë, pjesa më e madhe nuk kanë qenë fare prezentë. Një herë në vit kryeministri, një herë në vit kryetari i opozitës. Njerëz deputetë vijnë kur ka ngjarje në parlament sepse emisioni nuk varet nga njerëzit, emisioni bëhet nga ngjarja e ditës. Dhe ngjarjen e ditës e përcaktoj unë në bazë të shikueshmërisë, nuk ma përcakton askush. Politikanët thonë pse nuk e bën emisionin vetëm politikë. Njerëzit që takoj në rrugë thonë pse merresh me politikanët, bëje me lëvizjet për Shqipërinë, bëje me artizanë, të shohim njerëz normal thonë. Unë po e bëj me të gjithë se kam një instinkt si gazetar që të kem audiencë. Ky ka qenë i vetmi yll polar i imi dhe i vetmi që më ka orientuar, ndryshe nuk do isha 27 vjet në këtë studio dhe ta mbaja ende.

Përveç studios kam ndërtuar një rrjet social që ndoshta sot është ndër më aktivët në Shqipëri. Mjafton t’ua hap për ta parë që çdo muaj kam 19 milionë shikime, vetëm këtë muaj që flasim tani dhe mbi 2.2 milionë unique followers që më ndjekin çdo muaj. Natyrisht rrjetet sociale nuk i kam ngatërruar me politikën, por kur ti vjen për të bërë një gjë dhe gjëja kthehet në një situatë të tillë është absolutisht e papranueshme dhe unë po them, s’ka njeri në botë dhe s’guxon askush t’u bërtasë gazetarëve. Gjithsecili ka rrugën e vet, ka karrierën e vet, por nuk i jep leksione për punën e vet. Secili e bën punën e tij si do”, tha Fevziu.

“Luftën e kam me Ramën”, Lapaj ngrihet në këmbë: Nëse shqiptarët s’më duan…

Në studion e “Opinion” në Tv Klan këtë të Enjte “plasi” një debat që u iniciua nga disa akuza të Arlind Qorit sa i takon hapësirës televizive që i është dhënë vitet e fundit. Duket se ai që e tejkaloi më lehtësisht 1 orë e 15 minuta ‘tension’ ishte Adriatik Lapaj i cili nuk hezitoi të citojë objektivat e tij për zgjedhjet e 11 Majit.

“Këtu nuk ka as të majtë, as të djathtë. Në këto 34 vite, e kanë ndarë popullin në tifozë, gjasme këta janë të majtë… Ç’lidhje ka e majta me një kryeministër që mban avion personal? E majta është kursim, apo jo?! Kjo ndarja në tifozë, ti je ballist ose ti je komunist është fiktive. Nuk është e vërtetë! Përtej kamerave nuk është ajo ndarje. Kur fiken kamera nuk e kanë atë konfliktin. Lufta nuk është mes të majtëve dhe të djathtëve, është mes pengmarrësve që e kanë marrë peng këtë vend dhe e trajtojnë me procedurë këtë Republikë dhe një populli të marrë peng.”


Teksa thotë se “derën e ka të hapur” për partitë e reja, shkon te thelbi. Lapaj thekson se “luftën” e ka vetëm me kryeministrin e vendit Edi Rama, të cilin e ka ftuar edhe për debat.

“Me këtë e kam unë luftën, s’e kam me këta! Nëse shqiptarëve nuk ju pëlqej unë, por e duan ndryshimin, le të votojnë këta!”, shtoi Lapaj.

Kryeredaktori i lajmeve në Tv Klan Fatos Hakorja i drejtoi pyetjen se pse “kreu i qeverisë duhet të dalë përballë tij në debat?”

Lapaj dha këtë përgjigje: Unë si person fizik e juridik flas, kërkoj e përgjigjem për veten time! Unë i kam thënë kryeministrit, zotëri është standard botëror. Kryeministri, presidenti që garon për të mbajtur postin duhet të garojë me rivalët e vet politikë, a jam unë, a janë këta? Caktojeni edhe ju gazetarët që bëni ftesat, e caktojnë edhe sondazhet. Zotëri, unë tek sondazhi i Euronews unë dal 46% pëlqyeshmëri, s’mund të më trajtosh si anonim. Ky është fakt!

Kryetari i “Shqipëria bëhet” e mbylli retorikën e tij duke thënë “se do e shohim pas zgjedhjeve”.

4 partitë e reja shkojnë bashkë në zgjedhje? Pyetja që u ‘harrua’ në “Opinion”

Këtë të Enjte në studion e “Opinion” kanë qenë të ftuar 4 përfaqësuesit e partive më të reja. Agron Shehaj, Arlind Qori, Endrit Shabani dhe Adriatik Lapaj shkojnë drejt 11 Majit me synimin për marrjen e sa më shumë mandateve. Por sa e mundur do të jetë kjo, duke marrë parasysh se binomi PS-PD ka qenë gjithmonë dominues? Nisur nga kjo, analistët Baton Haxhiu dhe Fatjona Mejdini drejtuan pyetjen: Pse nuk bashkoheni për zgjedhjet e ardhshme parlamentare?

Teksa dukej se do merrnim përgjigje të qarta prej secilit, diskutimi përshkallëzoi në debat për një temë krejt tjetër. Megjithatë në ato pak minuta, para se pyetja të lihej në harresë, u la të kuptohet se “këto 4 parti nuk shkojnë në zgjedhje me koalicion”.

Shabani dhe Lapaj ishin të vetmit që thanë fjalë për fjalë “derën e kemi të hapur”, por siç duket s’ka pasur përpjekje mjaftueshëm nga të gjithë.


Baton Haxhiu: Nga gjithë hapësira politike, të 4-ërt nuk e arrijnë shifrën e duhur të mbështetjes përveç zotit Lapaj…që kap ndonjëherë shifrën 7%. Pse e nisa me këtë?

Agron Shehaj: Na trego burimin njëherë…

Baton Haxhiu: Unë jam burimi! Dy arsye, për arsye se ende nuk është kontestuar binomi PS-PD, sepse për një kohë të gjatë janë poralizuese dhe mbajnë narrativën e tregut politik. Partitë e majta dhe sidomos ato social-demokrate nuk tërheqin asgjë nga Rama. Pse nuk bashkoheni në këtë fazë sepse 4 parti të reja s’do arrini asnjë sukses?

Agron Shehaj: Batoni duhet dëgjuar me shumë vëmendje se është shumë domethënëse se çfarë thotë. Ti po merresh me mua o Baton, unë s’të ndërpreva. Sapo tha se kush nga ne ka më shumë mbështetje dhe na tha se ne e kemi të kotë se vota mund të marrim vetëm nga PD-ja, Ramën nuk e prekim. Ne flasim për bashkim, kemi 30 vjet. Nuk flasim për vërtetësi, për një opozitë të vërtetë. Nëse ka një gjë nga e cila vuan opozita sot, nga vërtetësia. Qytetarët mendojnë se nuk ka opozitë. Shqipëria ka nevojë për një opozitë të vërtetë! Këtu nuk merret vesh asnjë gjë, ka korrupsion pafund, opozita gjoja e lufton si askush më mirë e më shumë dhe njerëzit kanë kuptuar se është një teatër i madh.

Blendi Fevziu: Ju flisni si ata, pyetja ishte bashkoheni a jo?

Agron Shehaj: Si do bashkohemi, duhet të bashkohemi pas kauzave!

Endrit Shabani: Padyshim nuk jemi njësoj, por këto debate duhet t’i bëjmë në Parlament jo në podcaste. Unë jam i idesë që të rinjtë duhet të bëhen bashkë për të rritur numrin e përfaqësimit në Parlament. Në këtë moment, nevoja historike është që të rinjtë të bëhen bashkë kundër të vjetërve. S’kam koalicion me asnjë parti të vjetër! Nuk arrij dot t’ua imponoj të tjerëve, dera është e hapur.

Arlind QoriSondazhi më i mirë publik një javë para zgjedhjeve lokale mua më ka nxjerrë 2% mbështetje, unë kam marrë 5% si kandidat për bashkinë Tiranë. Jemi kërcënim për partinë në pushtet, oligarkinë ekonomike dhe nga njerëzit politikë në Shqipëri unë jam më pak i pranishëm. Kjo tregon frikën që ka pushteti politik nga Lëvizja Bashkë.

Adriatik Lapaj: Unë derën e kam të hapur për të gjithë. Luftën nuk e kam me këta, por me Edi Ramën.

E.D/tvklan.al