#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #tvklan

Emisioni politik më i ndjekur dhe më i preferuar në ekranet shqiptare. “Opinion” vjen në katër takime çdo javë – e hënë, e martë, e mërkurë dhe takimi tradicional i të enjtes mbrëma.

Te ftuar: Floriana Garo, Anuela Ristani, Nikola Kedhi, Gjergj Bojaxhi, Ujeza Doshlani

Duket se hyrja e Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe firmosja e urdhrave të parë ekzekutiv që ai ka nënshkruar si Presidenti i 47-të i SHBA-ve ka krijuar një lloj turbullimi për gjithë politikën. Pjesa më e madhe e botës priste që veprimet e Donald Trump të ishin disi kontroverse, por natyrisht janë hapur shumë “piketa” për të cilat nuk ngelet gjë tjetër vetëm se të pritet për të parë se çfarë po ndodh. Trump përveç veprimeve të para që ka deklaruar është fokusuar në mënyrë të menjëhershme tek lufta mes Rusisë dhe Ukrainës. Ndërkohë nga ana tjetër marrëdhëniet e tij me liderët e vendeve të BE-së dhe vetë Evropën vazhdojnë të mbeten të tensionuara. Për të gjitha këto pikëpyetje të mëdha sa i përket ndikimit të Trump në politikën globale diskuton paneli i të ftuarve në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan.

“Se ça bën në dhomën e gjumit puna jote”, Bojaxhi bie dakord me Trump vetëm për një gjë

Nga sot ka vetëm dy gjini! Kështu u shpreh Donald Trump menjëherë pasi mori detyrën si presidenti i 47 i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kjo është një gjë prej të paktave me të cilat bie dakord me Donald Trump edhe Gjergj Bojaxhi. Ai u shpreh gjatë emisionit “Opinion” se atë që çdo person bën në dhomën e tij është puna e tij, por nuk është dakord me idenë e gjinive të treta apo të katërta.

“Me thënë të drejtën kjo është një nga gjërat nëse unë do të thosha që mund të bie dakord me dy tre gjëra që ka bërë Trump kjo është një nga gjërat. Për mua personalisht kjo puna e gjinive të treta, të katërta, të pesta më është dukur gjithmonë një idiotizëm. Nuk e kuptoj pse e majta në Amerikë e kishte përqafuar këtë gjë. Për mua është OK, se çfarë bën çdo individ në dhomën e gjumit është puna e tij, por në shoqëri ke martesa. Martesa është mes një burri dhe gruaje. Do të bësh bashkëjetesë? Vër një emër tjetër”, tha Bojaxhi.

Tani që u rikthye Trump, “dëbohen” emigrantët shqiptarë? E sqaron analisti

Rikthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë ka trazuar “ujërat” në Amerikë e mbarë globin. Një prej urdhrave ekzekutivë më të rëndësishëm që ai ka nënshkruar është ai për emigrantët.

E padyshim, interesi ynë për të ditur më shumë rreth këtij urdhri është i madh, duke marrë parasysh shqiptarët që jetojnë e punojnë atje. Analisti gjeopolitik Nikola Kedhi saktësoi sonte në studion e “Opinion” se dëbimet masive janë specifikisht për “emigrantët që kanë kryer krime në SHBA”.

Nikola Kedhi: Edhe një korrigjim për dëbimet masive, sepse krijohet përshtypja se dëbime masive edhe të shqiptarëve. Bëhet fjalë për dëbime të emigrantëve të paligjshëm që kanë bërë krime në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kriminelët që kanë vrarë….

Blendi Fevziu: Çfarë do lloj rekordi!

Nikola KedhiMirë, por do niset me kriminelët e dhunshëm.

Mbi dy gjini në SHBA, Floriana Garo: Më ka shqetësuar shumë, axhenda po shtyhej edhe drejt fëmijëve

Çështja e gjinive në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u kthye në një problem për Floriana Garon. Gjatë emisionit “Opinion”, ajo u shpreh se kjo gjë e ka shqetësuar shumë. Madje axhenda e më shumë gjinive, sipas saj po shtyhej edhe nëpër kurrikula te fëmijët.

“Ka një problem real që ka qenë në SHBA që më ka shqetësuar shumë. Shumë më ka shqetësuar. Më ka shqetësuar jo vetëm mua, edhe miqtë e mi sidomos nëpër qendra të mëdha urbane si Nju Jorku, metropole e të tjera, ku kjo axhendë po shtyhej me shumë qëllim edhe tek fëmijët e vegjël. Fëmijët e vegjël kishin kurrikula për këtë gjë se si t’i përfshijmë transseksualët, si të jesh transseksual është OK”, tha Garo.

“Janë aty nga frika…”, Blendi Fevziu i “kundërvihet” Gjergj Bojaxhi: Ç’ke më këta të pasurit

Në inaugurimin e Donald Trump si Presidenti i 47-të i SHBA-ve të pranishëm ishin shumë figura botërore. Krah tij qëndruan dhe miliarderët më të mëdhenj të botës si Elon Musk, Mark Zuckerberg, Jeff Bezos, Sundar Pichai dhe Tim Cook.

Pak ditë pas ceremonisë së inaugurimit vëmendje nuk tërhoqën vetëm vendimet ekzekutive të Trump, por pikërisht dhe prania e këtyre figurave në ceremoni, që qëndronin krah Presidentit të SHBA-ve.

Në emisionin “Opinion” në Tv Klan duke folur pikërisht për këtë, këndvështrimet e të ftuarve ishin të ndryshme. Këndvështrimet të cilat sollën dhe një lloj “përplasje” në studio siç mund të cilësohet e tillë kundërshtimi mes batutash e Blendi Fevziut dhe analistit Gjergj Bojaxhi. Ky i fundit duket se ka një “problem” me të pasurit dhe kjo nuk i shpëton Fevziut, i cili nuk e lë pa një përgjigje.

Nikola Kedhi: Gjithë këta kanë qenë nga ana e majtë e qeverisë amerikane, të administratës së majtë dhe unë nuk e kam parë këtë shqetësimin e madh as me vizitat e shpeshta të Alexander Soros në Shtëpinë e Bardhë. Prandaj nuk kishte asgjë për t’u shqetësuar. Për t’u shqetësuar ishte bashkëpunimi i tyre me administratën Biden dhe me të gjithë të majtën botërore për të censuruar kundërshtarët ideologjikë të së majtës.

Blendi Fevziu: Në administratën e kaluar amerikane një prezencë kaq e fuqishme, unë nuk e di se sa miliarda dollarë janë dhe se kaq prezencë botërore nuk ishte kaq evidente.

Nikola Kedhi: S’ka qenë vizive.

Blendi Fevziu: Po vizive po them, shiko se dhe vizivja është mesazh.

Nikola KedhiAta vazhdojnë të jenë të majtë.

Blendi Fevziu-Gjergj Bojaxhi: Ti ç’ke me këta të pasurit?

Gjergj Bojaxhi: Nuk kam asgjë me të pasurit unë. Unë thashë nuk kam problem që ata janë aty. Janë nga frika aty, përveç Musk-ut që është. Ata të tjerët nga frika jo nga qejfi, kështu që mua më shqetëson fakti se përse ata duhet të kenë frikë, nuk më shqetëson fakti që ata janë aty në vetvete.