#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Emisioni politik më i ndjekur dhe më i preferuar në ekranet shqiptare. “Opinion” vjen në katër takime çdo javë – e hënë, e martë, e mërkurë dhe takimi tradicional i të enjtes mbrëma.

E ftuar: Linda Rama

Mbrëmjen e kësaj të mërkure në studion e emisionit “Opinion”në Tv Klan e ftuar është Linda Rama bashkëshortja e kryeministrit të vendit Edi Rama. Në një intervistë ekskluzive ajo nuk do të flasë për politikën, apo postin e bashkëshortit të saj. Linda Rama vjen me statusin e autores së parathënies së librit të Kamala Harris. Përballë gazetarit Blendi Fevziu ajo do u përgjigjet një sërë pyetjesh në sferën profesionale, por dhe atë personale.

“Mbaj shënime për…”, Linda Rama tregon çfarë e intrigoi te libri i Kamala Harris

“Të vërtetat që mbartim”, është libri autobiografik i zv,Presidentes amerikane Kamala Harris, parathënien e të cilit e ka shkruar Linda Rama. E ftuar sonte në studion e “Opinion”, bashkëshortja e kryeministrit të vendit rrëfen se çfarë e intrigoi tek ky libër, nisur edhe nga përjetimet personale.

“Ftesën mua ma bëri në fakt botuesja dhe ajo që ndodhi ishte që vetë libri më inspiroi mjaftueshmërisht për ta lexuar. Unë jam një njeri që merrem çdo ditë me studime, ajo që mund të them është që për Zaon meqë ka ardhur vonë në jetën time, por është edhe ndryshimi i brezave dhe është fëmija i jonë, i Edit ndërkohë që Edi është kryeministër, herë pas here më kuriozon mënyra se çfarë do të thotë të rrisësh një fëmijë që është i një personi publik. Herë pas here mbaj shënime”, tha Rama përballë gazetarit Blendi Fevziu.

Sipas Ramës, Harris sjell në këtë libër një rrugëtim të një gruaje në karrierë.

“Në momentin që thashë po e kam lexuar me vëmendje të posaçme, ajo që mund të them është që libri nuk është shkruar nga zv,Presidentja e SHBA-ve, por nga Kamala Harris në vitin 2018. Libri i një gruaje në karrierë! Rasti ishte i ndryshëm, sepse ajo ishte senatore në momentin që libri u botua. Ajo që mua më ka bërë shumë përshtypje ka qenë fakti, një zinxhir i gjatë që nga momenti kur ishte fëmijë, kur zgjodhi të bëhej juriste, prokurore e përgjithshme, senatore….Kur futesh nga një terren në tjetrin, nga prokurore më pas futesh në politikë, është e jashtëzakonshme te Kamala Harris.”

E pyetur se ku dështoi Harris në zgjedhjet presidenciale, Rama dha këtë përgjigje:

“Zgjedhjet në Amerikë i ndjek me këshëri të madhe sepse mendoj se Amerika teston veten në zgjedhje, duke i folur botës.”

Deklaratat e Ramës për Trump në 2016, Linda Rama i përgjigjet Fevziut: Nuk jam e punësuara e Edit

Këtë të mërkurë e ftuar në emisionin “Opinion” ishte Linda Rama.

Gazetari Blendi Fevziu e pyeti bashkëshorten e kryeministrit Edi Rama nëse i kishte dhënë ndonjë këshillë pas deklaratës që pati ai 8 vite më parë për Donald Trump në garën presidenciale të asaj kohe.

Linda Rama u shpreh se nuk është e punësuara e kryeministrit për këshilla dhe kjo është diçka që bëhet institucionalisht.

Blendi Fevziu: Ju nuk doni të thoni që nuk keni asnjë lloj emocioni në këtë rast, pra e ndiqni garën si garë, por a e mbani mend që bashkëshorti juaj 8 vjet më parë për shembull pati një deklaratë kundër Trump në momentin që ai po garonte përballë Hillary Klinton?

Linda Rama: Dhe cila është pyetja këtu?

Blendi Fevziu: Cila është këshilla që i dhatë pasi e dëgjuat se ai nuk e ka bërë pa ju pyetur?

Linda Rama: Nuk jam për t’i dhënë Edit… nuk jam e punësuara e Edit. Këshillimi është moment institucional.

Blendi Fevziu: Po privatisht a folët për këtë gjë, apo nuk e hapët fare si bisedë atëherë?

Linda Rama: Unë mendoj që edhe atëherë e kam parë saktësisht njësoj çështjen e zgjedhjeve personalisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Daljet e rralla publike, Linda Rama jep përgjigjen në “Opinion”

E ftuar në studion e emisionit “Opinion” përballë gazetarit Blendi Fevziu, Linda Rama iu përgjigj një sërë pyetjesh që lidhen me jetën e saj profesionale, por dhe atë personale.

Si bashkëshorte e kryeministrit të vendit Edi Rama, Linda Rama është krah tij në dalje të rëndësishme publike.

Megjithatë intervistat apo dhe daljet e tjera të saj janë shumë të rralla. Për këtë, Linda Rama shprehet se është një gjykim i saj, duke shtuar se çdo prononcim i saj publik është i arsyetuar.

Blendi Fevziu: Dje dhe sot kam parë disa nga daljet tuaja publike për të parë stilin e intervistës, ritmikën etj, dhe vura re që ju keni shumë dalje të rralla në publik. Flas jo vetëm intervista, sepse unë u fokusova tek intervista, por edhe dalje të tjera. Pse kjo zgjedhje?

Linda Rama: Sepse kështu e kam gjykuar.

Blendi Fevziu: E keni gjykuar ju apo ka qenë imponim nga rrethanat.

Linda Rama: Jo, ka qenë zgjedhja ime dhe sigurisht që ka rrethana që kërkojnë prezencën time në publik dhe unë dal në publik, por e kam gjithmonë daljen në publik dhe shfaqjen në publik të arsyetuar.

“Martesa me Edin më shkaktoi 3 dorëheqje”, Linda Rama rrëfen njohjen me kryeministrin

Sonte në studion e “Opinion”, Linda Rama rrëfeu edhe pak nga njohja e saj me kryeministrin e vendit. Ajo tha se për herë të parë ata janë takuar në vitin 2002, në kohën kur Edi Rama ishte kryebashkiak i Tiranës. 8 vite më vonë, kurorëzuan dashurinë e tyre me martesë.

“Ne kemi bërë një dalje të gjatë në një emision televiziv, jemi shpjeguar dhe unë aty jam prezantuar në fakt si bashkëshortja e Edi Ramës. Ne jemi martuar në vitin 2010, unë jam njohur me Edin në vitin 2002, në kuadrin e bërjes së një raporti për zhvillimin njerëzor, që është një nga publikimet më dinjitoze dhe arsyeja ka qenë sepse tema e raprotit ka qenë për decentralizimin dhe meqënëse Tirana po shkonte me shpejtësi drejt thellimit të këtij procesi, u ftua nga grupi i ekspertëve, unë aty e kam takuar për herë të parë.”

Megjithatë, tregon se martesa me kryeministrin Edi Rama i “kushtoi” 3 dorëheqje.

“Në vitin 2010, atë javën e martesës me Edin, më shkaktoi 3 dorëheqje që i kam dhënë pa m’i kërkuar njeri, jo se kishte ndonjë problem etik, por sistemi im arsyetues dhe etika ime e brendshme ma thoshte këtë gjë. Dhashë dorëheqjen nga drejtuese e zyrës ku punoja, një dorëheqje ka qenë largimi nga auditori si lektore sepse jepja politika publike në nivelin master dhe dorëheqja e tretë ka qenë nga bordi i fondacionit Soros. Nga bordi ka pasur rezistencë të fortë që të mos pranonin dorëheqjen time, sepse e kishin të pamundur të pranonin që pozicioni i Edit në atë kohë të ishte një plumb ekzekutues për karrierën time që kishte ardhur si rezultat i kontributeve dhe meritave që kisha. Jam ndjerë shumë mirë sepse aty kam kuptuar shkallën e maturisë së atyre njerëzve dhe insistimin për të mos krijuar precedent që pastaj mund të rezononin si arsye tek të tjerët”, deklaroi Linda Rama.

Sa ndikon Linda Rama në vendimmarrjet e Kryeministrit?\

Këtë të mërkurë në studion e emisionit “Opinion” ishte e ftuar bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama, Linda Rama. Ajo u pyet nga gazetari Blendi Fevziu se sa ndikon në vendimmarrjet e kreut të qeverisë. Linda Rama u shpreh se nuk ndikon në vendimmarrjet e Edi Ramës, madje askush nuk mund ta bëjë diçka të tillë. Sipas saj, vendimet e tij janë vendimmarrje institucionale pasi është kryeministri i vendit.

Linda Rama u shpreh se që nga momenti i parë i ka qëndruar profilit të saj dhe ka një distancë të plotë nga pushteti i bashkëshortit të saj si kryeministër. Ajo theksoi se votën për kryeministër ta jep populli në kolektivin politik dhe jo atë familjar. E për këtë arsye asnjë familjar nuk ka të drejtë që të ushtrojë vendimmarrjet politike, theksoi ajo.

Megjithatë ajo pranon se ka një terren ku gjithkush mundet që t’i japë opinionet e veta një kryeministri kur vjen puna te fenomene të ndryshme dhe këtë mundësi e merr edhe vetë ajo. Linda Rama tha se me kalimin e kohës në pushtet, kryeministrit Rama i është shtuar durimi për të dëgjuar.

Pjesë nga intervista

Blendi Fevziu: Sa ndikoni ju në vendimmarrjen e Edi Ramës? Veç vendimmarrjes në zyrë ka gjithmonë edhe një këshillë ose ndikim në shtëpi?

Linda Rama: Unë nuk ndikoj në vendimmarrjet e Edi Ramës në asnjë moment dhe mendoj që nuk ka një njeri që ndikon në vendimmarrjen e Edit. Vendimmarrjet e Edit mendoj unë janë vendimmarrje institucionale sepse është kryeministër.

Blendi Fevziu: Jo vendimmarrje që t’i thuash duhet të bësh këtë apo jo, por përmes konsultimeve, përmes fjalëve, përmes konsideratave. Sepse nëse ai thotë ky person më duket mirë dhe ti i thua që ky person s’bën ky është ndikim.

Linda Rama: Në asnjë lloj rasti. Zero raste.

Blendi Fevziu: Ka shumë veta në PS që mendojnë se e kanë prishur karrierën nga ti siç ka shumë të tjerë që thonë…

Linda Rama: Unë nuk i pengoj njerëzit të mendojnë atë që ata kanë dëshirë të mendojnë. Ajo që unë kam në dorë, fjalën time, unë kurrë nuk bëj sepse do ulja një përmasë të arsyes se pse unë përpiqem të jem kjo që jam. Vendimet, unë mendoj janë të Edit sepse edhe përgjegjësia është e Edit. E dyta, dua të mendoj që vendimet janë institucionale dhe janë të ndara me të gjithë spektrin e vendimmarrësve politikë apo administrativë.

Blendi Fevziu: Ne po arrijmë në një shoqëri jo vetëm te PS, por në përgjithësi ku kemi liderë të fortë dhe njerëz që rreth e rrotull kryesisht të bëjnë fresk. Kryesisht se nuk u hyj dot një nga një. Tani do ju pyes ju, nuk vjen për shembull, mua më vjen siklet kur dëgjoj njerëzit politikë që flasin për Ramën thonë KM, për Berishën doktori, me një adhurim të jashtëzakonshëm. Nuk ju krijohet një ndjenjë sikleti? Për shembull personalisht nuk ju sekëlldis kjo? Nuk ka njerëz që ju vijnë rrotull, ju servilosen se jeni bashkëshortja e kryeministrit më shumë se sa jeni profesioniste?

Linda Rama: Jo. Mua nuk më ndodh kjo sepse unë që në fillim e kam ndarë shumë mirë profilin tim dhe i kam qëndruar profilit tim që unë do kem një distancë të plotë nga pushteti i Edit.

Blendi Fevziu: Si e mban këtë distancë?

Linda Rama: E mbaj në mënyrë të përditshme me një rezistencë të jashtëzakonshme dhe me një mirëkuptim. Ja që është e mundur. Nëse ju do më thoni mua që ka një moment që është e kundërta e kësaj që them unë pas 11 viteve që Edi është në pushtet, atëherë unë do them që është vërtetë e pamundur. E mbaj sepse e besoj. Dhe e besoj sepse duhet. Dhe duhet sepse është ajo që në fakt populli kur i jep votuesi, kur i jep kryeministrit votën e vet nuk ia jep në kolektiv, ia jep në kolektivin politik, nuk ia jep në kolektivin familjar. Dhe përderisa ia jep në kolektivin familjar nuk ka të drejtë asnjë familjar që të ushtrojë vendimmarrjet politike. Këtë besoj unë.

Blendi Fevziu: Patjetër, por që të ndikojë këtë nuk e ndani ju, përmes këshillave, përmes një konsiderate?

Linda Rama: Këshillimi për çdo kryeministër është institucional. Në rolin e kryeministrit nuk e besoni dot sa shumë ekziston mundësia për t’u këshilluar nga pikëpamja institucionale me këdo.

Blendi Fevziu: Për çështje ekonomike ju pyet për shembull?

Linda Rama: Unë nuk jam vartësja e Edit. Këshillimi është institucional, por ka një terren, thjesht për të sqaruar këtë çështjen e këshillimit. Ka një terren sigurisht, ku mundet gjithkush të gjejë mënyrën që t’i japë opinionet e veta qoftë dhe kryeministrit, Edit në rastin tim, por kryeministrit në raste të tjera, për atë që mendon për fenomene të ndryshme dhe unë këtë mundësi e marr. E marr sepse mendoj që ka raste kur unë fenomene, ngjarje, që do doja t’i transmetoj opinionin tim, e gjej momentin kur mund ta kem vëmendjen për ta transmetuar. Marr kohë dhe vetë për ta bërë dhe një mendim më të thelluar, marr dhe opinionet… Ka raste dhe të tilla që nuk i them nuk më pëlqen vendimi jot, por bëj pyetjet dhe nga pyetjet kuptohet që nuk ka një mënyrë më të mirë për të transmetuar një mbase dilemë apo mbase një situatë si të pasigurtë se mbase dukje bërë pyetje. Po të bësh pyetjet e duhura ti e kupton që ka rezerva tek opinioni i tjetrit. Herë-herë i them dhe konstatime… Unë nuk pres që Edi të reagojë. Me kalimin e kohës e kam kuptuar që aty në moment  Edi përgjithësisht investohet në dëgjim. Duket sikur nuk dëgjon, por unë mendoj personalisht që Edi e ka shtuar në mënyrë eksponenciale durimin e tij për të dëgjuar. Edi e ka shtuar këtë vullnetin e tij për të dëgjuar. Duket sikur s’është i vëmendshëm dhe ti mund të dëgjosh pas disa ditëve të sintetizuar një moment të bisedës sepse ato ditë i kanë dhënë mundësinë që të reflektojë dhe ta bëjë të veten. Jam i bindur që kjo ndodh edhe me të tjerët. 

Kush e hoqi nga puna në ’98-ën? Linda Rama: Nuk më largoi Fatos Nano…

Bashkëshortja e kryeministrit, Linda Rama foli sonte në “Opinion” edhe për periudhën kur ka punuar në administratë në periudhën 1993-1998. Shpjegoi edhe arsyen e largimit të saj nga Agjencia Kombëtare e Privatizimit në atë kohë.

-Ju keni qenë drejtuese e një prej strukturave më të rëndësishme të qeverisë. Pse u larguat në 1998-ën?

Linda Rama: Më hoqën nga puna.

-Kush të hoqi nga puna?

Linda Rama: Një nga kryeministrat, kam ikur në fund të vitit 1998. Nuk kanë rëndësi emrat.

-I bie Fatos Nano!

Linda Rama: Jo mua nuk më ka larguar kryeministri Nano. Unë kam punuar me 4 kryeministra bashkë me Meksin, por nuk isha drejtoreshë e Agjencisë. U komandova dhe më pas vijova deri në një moment…Por ka qenë shumë interesante ajo kohë… Vitet e para kur punoja në Agjenci të djathtët nuk ishin të sigurt se çfarë isha, më ka ndjekur kjo lloj dileme, në kuptimin e përkatësisë politike. Pastaj kur erdhën të majtët, ishin të sigurt se nuk isha e majtë se kisha punuar në qeverisjen e djathtë. Mua më ka ndjekur kjo… Nuk kam patur kurrë asnjë problem për këtë sepse kam qenë besnike e profesionit tim dhe e kam asociuar aktivitetin tim profesional jo nëpërmjet bindjeve politike, nuk kam aderuar as në PS apo PD, e kam ndërtuar në raport me axhendën dhe dobishmërinëpër mjedisin publik.

Linda Rama në “Opinion”: Nuk do angazhohem kurrë në politikë!

Bashkëshortja e kryeministrit të vendit, Linda Rama deklaroi këtë të Mërkurë në “Opinion” se nuk do të angazhohet asnjëherë në politikë. Ajo theksoi se mbështetjen e saj në këtë fushë e ka treguar më së miri duke qëndruar krah Edi Ramës.

Blendi Fevziu: Një pyetje të fundit, a do hyni në politikë?

Linda Rama: Po më pyesni mua a do hyj në politikë?!

Blendi FevziuPo, a e keni në planet afatgjata, jo sot?

Linda RamaUnë i kam dhënë politikës nëpërmjet mbështetjes, se politikën e shoh instrument për mirëqenien e njerëzve dhe vendit, e kam dhënë duke mbështetur, duke qenë në krah të Edit…Mendoj i kam dhënë gjithçka. Jo! Nuk do angazhohem ndonjëherë në një parti politike, unë e kam zgjedhur rrugën time dhe nuk e kam ndryshuar, kam insistuar në atë që dua të bëj dhe e kam të qartë se në çfarë dua të jem e dobishme.

Më e pasur për shkak se është gruaja e kryeministrit? Linda Rama jep përgjigjen e prerë

Një nga pyetjet që iu drejtua bashkëshortes së kryeministrit Edi Rama, Linda Rama në studion e “Opinion” ishte edhe ajo me pasurinë. Përgjigja e saj ishte e prerë kur u pyet nga Blendi Fevziu nëse pasuria e saj është shtuar si pasojë e të qenit bashkëshorte e kreut të qeverisë.

Blendi Fevziu: A është shtuar pasuria juaj si pasojë e të qenit bashkëshortit tuaj, kryeministër? Për shembull një nga lajmet që lexova thoshte që ju keni blerë këtë vit një apartament me një shumë të madhe, në mos gaboj rreth 400 mijë Euro, por mund të mos jem i saktë me shifrën se gjithsesi i referohem shtypit. A është shtuar pasuria juaj si pasojë e të qenit bashkëshortja e kryeministrit?

Linda Rama: Jo.

Ajo tha se është një person që punon dhe sipas të drejtave të saj dhe paguhet.

“Unë nuk mund të shtoj pasuri se jam bashkëshorte e kryeministrit. Pasuria nuk shtohet për këto arsye”, tha ajo.

Më tej ajo shtoi, “Kam punuar këto vite njëlloj siç kam punuar në karrierën time profesionale me ndryshimin që shumë punë që i bëja më parë nuk i kam bërë më, ekspertiza, këshillime, e të tjera si këto, sepse kam gjykuar që këto nuk duhen bërë për shkak të pozicionit tim. Kam hyrë në filtrin tim të seleksionimit. Sigurisht që unë kam punuar dhe Edi ka punuar dhe ne për shkak të punës paguhemi, jemi subjekt të deklarimit të pasurive. Kjo pyetje që ju po bëni çdo gjë është e deklaruar. Çdo njeri është i lirë me të ardhurat e veta ta përcaktojë vetë kush është interesi për të menaxhuar paratë”.

Linda Rama tha se gjëja më e madhe që fiton është djali i saj Zaho dhe Avi, djali i vajzës së saj, Reas. Sa i përket të ardhurave financiare, ajo tha se çifti Rama punon mjaftueshëm sa për të bërë një jetë si e një shtrese të mesme të sigurtë.

“Të ardhurat e mia personalisht nga puna dhe ekspertiza janë ulur ndjeshëm dhe për shkak të këtij filtrimi që bëj për të mos marrë përsipër punë që mua nuk më qëndrojnë nga pikëpamja etike. Sa marr unë në vit janë online deklaratat e pasurisë. Mund t’i dijë gjithkush që është i interesuar se çfarë të ardhurash financiare kemi ne në një vit. Por ne punojmë mjaftueshëm për të bërë një jetë siç mund të bëjë një shtresë e mesme e sigurtë”, tha ajo.