Balluku tregon sa shqiptarë të tjerë do të riatdhesohen

Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku, në një lidhje direkte për emisionin “Opinion” në Tv Klan, ka deklaruar se deri më tani Shqipëria ka riatdhesuar 1132 shqiptarë që kishin mbetur në vend të ndryshme të Europës.

Sipas ministres së Infrastrukturës, riatdhesimet do të vijojnë edhe ditët e tjera. Balluku konfirmoi se deri më datë 26 Prill do të riatdhesohen edhe 660 qytetarë të tjerë.

814 janë kthyer me 7 fluturimet. Edhe nga Shqipëria kemi transportuar, riatdhesuar si shqiptarë dhe të huaj në destinacione të tjera, në total 1132. Ne dimë aq numra sa kemi të deklaruar. Deri më datë 26 ne do kemi dhe 660 të tjerë qytetarë të tjerë që të kthehen duke e çuar numrin në rreth 1500 qytetarë”, u shpreh ministrja Balluku.

Ministrja zbulon shtetet ku do të kryhen fluturimet e riatdhesimit javën e ardhshme

Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku ka zbuluar shtetet ku do të kryhen fluturimet e tjera të riatdhesimit javën e ardhshme.

Në një lidhje direkte për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Balluku deklaroi se harta është zgjeruar në Spanjë, Rumani dhe Vienë.

Në këto shtete ka pasur kërkesa nga qytetarë shqiptarë që kanë mbetur të bllokuar për shkak të mbylljes së kufijve.

Parisi është destinacion i cili i ka të gjitha vendet e ezauruara. Londra po përgatitet për fluturimin e dytë pasi fluturimi i parë është përfunduar. Harta është zgjeruar, duke ju referuar kërkesave kemi identifikuar që Madridi është një tjetër destinacion që do të kryhet gjatë javës së ardhshme. Është futur Bukureshti. Kërkesa ka qenë e madhe dhe ambasadori ynë atje na ka kontaktuar dhe kemi rënë dakord që do kryhet një fluturim. Si dhe Viena, pasi është leja e marrë tashmë dhe janë kryer të gjitha formalitetet. Do të kryhet më datë 27, ditë e hënë”, u shpreh ministrja Belinda Balluku. 

Ku po e kalon karantinën Ilir Meta?

Presidenti Ilir Meta ishte i ftuar këtë të mërkurë në emisionin “Opinion”. I pyetur nga drejtuesi i emisionit Blendi Fevziu se ku po e kalonte karantinën, Meta u përgjigj në zyrë dhe në ambientet ku punon.

Kreu i shtetit tha se të gjithëve u janë bllokuar aktivitetet, por shpreson që të gjithë ta shijojnë pranverën ashtu siç duhet.

Blendi Fevziu: Si dukeni i karantinuar?

Ilir Meta: Ashtu sikurse edhe ju.

Blendi Fevziu: Ku po e kryeni karantinën?

Ilir Meta: Edhe unë kryesisht në zyrë dhe në ambientet ku po banoj aktualisht.

Blendi Fevziu: Nuk po ngjiteni në mal, nuk bëni ecje si normalisht?

Ilir Meta: Mendoj se të gjithëve na është bllokuar pak frymëmarrja në kuptimin e aktivitetit të përhershëm. Shpresoj që do ta shijojmë pranverën në afatet e duhura.

Brataj: Kur mund të jetë fundi i pandemisë në Shqipëri

Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, tregoi se fundi i Covid-19 do të jetë kur të mos ketë më infeksione apo transmetime komunitare.

Për këtë, Brataj sheh lidhjen me uljen e thirrjeve drejt numrave të urgjencës për koronavirusin si dhe qytetet që nuk ka raste me Covid-19 për disa ditë.

“Nëse sakrifikojmë edhe pak nga liritë tona, nga ekonomia… Kur? kur nuk ka më infeksion, kur nuk ka transmetime komunitare ky është fundi. Unë e lidh me uljen e thirrjeve drejt 127, direkt për Covid-19 me numrin e thirrjeve te 0800 40 40, por mbi të gjitha kur shoh listën e qyteteve që nuk prezantojnë infeksion për disa ditë është pozitive”, tha Brataj.

Megjithatë, Brataj tha se me lehtësimin e lëvizjes mund të kalojë infeksioni nga Tirana në qytete që për momentin nuk kanë asnjë rast.

Por nëse në vazhdim njerëzit ruajnë distancën dhe respektojnë masat, atëherë gradualisht mund të shkojmë drejt hapjes së vendit gjatë verës sipas Bratajt.

“Është rreziku që po liruam lëvizjen ndërqytetase do shkojë nga Tirana. Prandaj duhet të bashkëjetojmë dhe të përgatitemi mendërisht. Nëse është një përqindje e ulët deri në 4 Maj sepse në një mënyrë apo tjetër imunizimi i popullsisë do të vijë. Kur vijmë në një përqindje që thuhet se mund të lëvizet lirshëm mund të jetë drejt verës patjetër”./tvklan.al