Në lidhje direkte ministrja Ogerta Manastirliu. Në studio: Leonard Solis, Genc Sulçebe, Fabian Cenko, Fitim Zekthi dhe Rosalba Bejdo.
Vaksina, kur mund të jetë e disponueshme në Shqipëri?
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, deklaroi këtë të enjte në emisionin “Opinion” se janë të paktën 3 kandidatë ku Shqipëria mund të marrë vaksinën.
Aktualisht aleanca Covax ku Shqipëria bën pjesë për të marrë vaksinën po negocion edhe me Pfizer dhe Modernën, dy kompani që kanë deklaruar se vaksinat e tyre kanë efikasitet në luftën kundër Covid.
Megjithëse Shqipëria bën pjesë në Covax, ministrja Manastirliu tha se mund të dalë nëse gjen një opsion të mirë. Ministrja foli edhe për strategjinë që do të ndiqet kur të dalë vaksina edhe pse nuk dha një periudhë se kur mund të vijë në Shqipëri.
“Aktualisht portofoli i Covax përmban 10 kompani të ndryshme që janë duke punuar për vaksinën Sars-Cov-2. Ka mbyllur marrëveshjet me 3 kandidatë potenciale për prodhimin e vaksinës. Qeveria shqiptare duke bërë parapagimin ka hyrë në dritaren e parë të aksesit për vaksinën e sigurt. Janë tre kandidatë potenciale AstraZeneca në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit, është Sanofi dhe është Novavaksi. Covax është duke negociuar edhe me Pfizer dhe Modernën.
Qeveria nuk i ka ndalur punët në drejtim edhe të vlerësimit të ofertave të tjera apo negocimeve të tjera që mund të kemi. Mund të blejmë jashtë Covax-it. Mund të negociojmë për ofertën e Covax, në mund të tërhiqemi nga Covax nëse gjejmë një opsion shumë të mirë. Kemi zgjedhur opsionin kur kemi hyrë në këtë marrëveshje dhe kemi punuar në disa drejtime. KE ashtu sikurse ju jeni në dijeni ka nënshkruar 5 kontrata me operatorë të ndryshëm që do të mundësojnë prodhimin e vaksinës.
E para nuk bëhet fjalë sot për dozat, sepse të parët që do të targetohen nga vaksinat janë grupet e riskut. Kemi një strategji në raport me vaksinimin për popullatën duke filluar nga personeli shëndetësor, mësuesit, policët dhe gjithë pjesa tjetër. Ekspertët tanë kanë vlerësuar që fillohet me 20% dhe një ushtrim i mirë është bërë nëpërmjet vaksinës kundër gripit”, tha Manastirliu.
Aktualisht Shqipëria ka parapaguar për të marrë doza për 20% të popullsisë ose për 570 mijë qytetarë.
A do të jetë vaksinimi i detyrueshëm?
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, në një lidhje me emisionin “Opinion” tha mbrëmjen e kësaj të enjteje se vaksinimi nga Covid-19 nuk do të jetë i detyrueshëm, por ajo theksoi se vaksina është mënyra më e mirë për t’u mbrojtur nga virusi.
“Vaksinimi do të jetë jo obligativ”.
Pra kush nuk do ta bëjë nuk e bën. Po për punonjësit e shëndetësisë, është i detyrueshëm?
“Praktikisht punonjësit e shëndetësisë janë ata të cilët e kuptojnë dhe janë ata që janë më pak hezituesit, sa i përket vaksinave. Duke pasur një eksperiencë po themi gati 100 përqind me vaksinimin kundër gripit këtë vit, besojmë se nuk do të kemi hezitim në vaksinimin nga personeli shëndetësor. Megjithatë vaksina nuk do të jetë e detyrueshme, pra flas këtu për popullatën. Por sigurisht, vaksina është mënyra më e mirë për t’u mbrojtur nga virusi”.
A do të lejohen dhe privatët ose individët që duan ta blejnë dhe ta sjellin që të lejohen të vaksinojnë?
“Vaksina do të jetë falas, e garantuar nga shteti dhe do të vlerësohet në dinamikë më pas. Por çfarë është e rëndësishme, ashtu siç është politika globale në fakt, sepse të gjitha shtetet janë duke operuar në të njëjtën strategji, sa i përket vaksinimit dhe do të jetë falas besoj në të gjithë shtetet, pjesa e kategorive të riskut, kurse për ne, ne e kemi deklaruar që do të jetë falas patjetër dhe besojmë fort që do të arrijmë ta kryejmë edhe këtë sfidë të radhës me sukses”.
Si do ta festojmë Vitin e Ri?
Festat e fundvitit po afrohen dhe një pyetje që shumë njerëz duket se po ngrenë është si do t’i kalojmë ato në kohë pandemie. Pikërisht për këtë u pyet nga gazetari Blendi Fevziu mbrëmjen e kësaj të enjteje në “Opinion” edhe Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu. Lajmi i mirë është që të gjithë do të festojmë në familje, por sa i përket grumbullimeve të mëdha ato duket se nuk janë opsion. Manastirliu theksoi se do të vijojë të kërkohet shmangia e kontakteve jo të domosdoshme.
Do e hamë Vitin e Ri rehat këtë vit zonja Manastirliu, apo me kufizime?
Është në dorën tonë, zoti Fevziu, por patjetër që do të jemi në kushtet e kërkesave të kohës, por themi, në normalitetin e ri. Do të kërkohet dhe do të vijojë të kërkohet shmangia e të gjitha kontakteve jo të domosdoshme, por do të jemi në familje.
Te familja e vogël, se shqiptarët janë mësuar të mbledhin disa familje bashkë për Vit të Ri…
Padyshim që duke respektuar të gjitha rregullat do të gëzojmë dhe do të shpresojmë që viti tjetër të jetë shumë më efektiv dhe jam e bindur që do të jetë shumë më i mirë dhe për arsyen tjetër që vaksina do të vijë edhe në Shqipëri.
Sulçebe: Kush e ka kaluar Covid nuk ka nevojë për vaksinë
Personat që e kanë kaluar Covid-19 nuk kanë nevojë për vaksinën. Kështu u shpreh këtë të enjte mjeku Genc Sulçebe gjatë emisionit “Opinion” sipas të cilit këta persona kanë antitrupa dhe kjo vërteton që janë imunë ndaj sëmundjes.
“Nga momenti i vaksinimit të dozës së parë duhet të presim minimumi 2 muaj që ne të konsiderohemi të mbrojtur. Duhet të kemi parasysh që personat që e kanë kaluar infeksionin dhe që kanë antitrupa nuk kanë nevojë të bëjnë vaksinën. Ka shumë njerëz që pa e ditur janë imunizuar, kanë antitrupa. Është mirë që ata të bëjnë serologjikun. Nuk ka nevojë që të bëjnë vaksinën. Vaksinimin e bëjmë që të krijojmë imunitet dhe ky imunitet vërtetohet nëpërmjet antitrupave. Nëse vërtetohen antitrupat do të thotë që jemi imunë”.
Sipas mjekut, antitrupat, shkencërisht mbrojnë deri në 6 muaj, por ato mund të zgjasin edhe më shumë se 2 vite. Megjithatë, Sulçebe tha se nuk janë vetëm antitrupat që mbrojnë sistemin imunitar, por nga mbrapa qëndron një tjetër ushtri me qeliza.
“Shkencërisht thuhet se antitrupat mbrojnë të paktën 6 muaj, por normalisht duhet të mbrojnë më tepër se 2 vjet. Antitrupat janë vetëm maja e ajsbergut të mbrojtjes imunitare. Mbrapa antitrupave qëndrojnë një ushtri qelizash që janë qeliza kujtesë dhe që janë gati për t’u nxitur ndaj çdo ngacmimi që vjen”.
Mjeku: Nuk duhet të kemi frikë nga riinfektimi
Sipas mjekut Genc Sulçebe Covid-19 mund t’i riinfektojë njerëzit, por nuk kthehet më të njëjtin agresivitet.
Gjatë emisionit “Opinion”, Sulçebe tha se se kjo vërteton rregullin që njerëzit kanë imunitet mbrojtës.
Sipas tij, nuk duhet të kemi frikë nga riinfektimi.
Blendi Fevziu: Sipas të dhënave që kam konsultuar në faqen e OBSH-së thuhet që ka 8 raste të reja riinfektimi në botë, The Guardian thotë 22 raste. Mua nja 60 veta më kanë thënë në Tiranë që janë riinfektuar. Tani çfarë ndodh infektohemi më shpesh ne në krahasim me vendet e tjera të botës, apo ja fusim kot?
Genc Sulçebe: Ka, pasi përgjigja imunitare nuk është për të gjithë njëlloj. Ndryshon përgjigja nga një individ në tjetër. Njëri ka përgjigje më të mirë, tjetri një përgjigje më të dobët. Kjo tregohet edhe me faktin se disa nuk kanë shenja, ndërsa disa të tjerë përfundojnë në spital.
Blendi Fevziu: Mund të kthehet riinfektimi, kthehet në të njëjtin agresivitet?
Genc Sulçebe: Absolutisht jo, në një agresivitet më të ulët. Imagjinoni që në qindra milionë njerëz të infektuar këto raste që në fakt janë pak vërtetuar shkencërisht, janë me dhjetëra. Janë përjashtime që vërtetojnë rregullin, ligjin që kemi imunitet mbrojtës të sigurtë dhe nuk duhet të kemi frikë.
Blendi Fevziu: Pra kush e kalon nuk ka problem?
Genc Sulçebe: Absolutisht jo.
Eksperti: Nuk mendoj që vaksinimi do ta zhdukë Covid-19
Në një kohë kur pandemia ka kufizuar jetesën e gjithësecilit, shpresa dhe e gjithë vëmendja është përqendruar tek vaksina. E sigurisht një pyetje që shtrohet është nëse kjo vaksinë do të na mbrojë nga virusi në mënyrë të përhershme, ashtu si në rastin e vaksinës nga tuberkulozi apo rubeolës, apo do të duhet që të përsëritet.
I pyetur pikërisht për këtë, në një lidhje me emisionin “Opinion”, eksperti Arban Domi tha se kjo nuk dihet. Por bazuar në dijet që mjekët kanë për koronaviruset në përgjithësi është se ato janë sezonalë, që do të thotë se rikthehen, njësoj si gripi i zakonshëm. Ndaj Domi thotë se me gjasë edhe Covid-19 nuk do të zhduket nga vaksina. Megjithatë eksperti shprehet se një moment që një person është vaksinuar do ta kalojë virusin shumë më lehtësisht.
Është një vaksinë që po e bëre i ke “larë duart” me Covid-19, apo duhet përsëritur?
E përgjithshmja është që nuk e dimë, sepse është vaksinë disa mujore. Ndërsa mendimi im dhe besoj që të dy doktorët në panel do të jenë dakord me mua, është se koronaviruset në përgjithësi janë sezonale, si dhe gripi, dhe për shumë arsye që nuk e di në do kemi mundësi t’i diskutojmë ato do të vijnë vit pas viti dhe nuk mendoj që vaksinimi do ta zhdukë. Është një gjë shumë e rëndësishme të dihet, sepse u përmendën maskat pas vaksinimit. Po flitet për maskat pas vaksinimit, sepse të dyja vaksinat, të paktën këto që janë më të zhvilluarat, Pfizer dhe Moderna, nuk të shpëtojnë nga infeksioni. Por të lejojnë që ta kalosh sëmundjen. Kjo ka anën pozitive dhe negative. Ana pozitive është që duke të ulur simptomat, sëmundja do të jetë shumë-shumë më e ulët se normalisht (agresiviteti do jetë shumë më i ulët). Në shumicën e njerëzve nuk do të ndihet fare pas vaksinës. Por në mosha të ndryshme ose me sëmundje, mund të jenë më të prekur, por gjithmonë shumë më mirë se në kushtet pa vaksinë.
Pra është e ngjashme me atë të gripit, që të lejon ta kalosh gripin lehtësisht, por jo se të ruan në të gjitha rastet nga gripi?
Saktësisht. Ana negative nëse do ta quaj, jo për këtë vaksinë, por është tipi i virusit. Duke qenë se virusi do të vijojë të qarkullojë, do të jetë në një presion nga vaksina dhe nga shpërndarja në vende të ndryshme, kështu që do të ketë një predispozim ndryshimet genetike. Për fat të mirë ndryshimet genetike deri më tani nuk kanë treguar që virusi të ndryshojë seriozisht, por në të ardhmen nuk e dimë dhe në këtë rast vaksina mund të mos bëjë më punë, pas 1-2 vitesh./tvklan.al