45 vrasje për 2020-n, Lleshaj: Rendi, në vlerat më të mira historike
Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj vlerëson se 2020-ta është viti që ka shënuar nivelin më të ulët të kriminalitetit në vendin tonë. Në studion e “Opinion”, Lleshaj tha se rendi në Shqipëri është në vlerat më të mira historike, të 30 viteve të fundit.
Zoti Lleshaj, janë disa vrasje të fundit ditë pas dite… Janë vrasje mafioze, larje hesapesh, por janë vrasje. Çfarë po ndodh? Policia nuk ka informacion për këta njerëz të përfshirë në trafiqe ose me një të shkuar kriminale?
Unë nuk kam të dhëna që ka vrasje të një pas njëshme, përditë, ka patur një vrasje ditët e fundit. Nëse do të bëhet një rezyme e përgjithshme të këtij fenomeni në Shqipëri, gjithsej për gjithë vitin 2020 janë 45 vrasje.
Po 3 janë vetëm 3 ditët e fundit…
I llogarisim dhe ato jashtë vendit?
Dhe ato jashtë vendit… po personazhe shqiptare janë.
Po personazhe shqiptare janë, por janë jashtë juridiksionit tonë, kështu që ne nuk japim dot përgjigje për shqiptarët jashtë.
Gjithsesi janë larje hesapesh të problematikës që kanë pasur në Shqipëri.
Sigurisht, por nëse do të bëjmë analizë pastaj, le të bëjmë analizë. Fenomeni nuk është në përmasa shqetësuese, përkundrazi është në minimumin e historisë 30-vjeçare të Shqipërisë. Kurrë nuk kemi patur këtë numër kaq të paktë veprash të rënda sa viti 2020.
Pra ju konsideroni që rendi publik në Shqipëri ka një lloj stabilizimi?
Jo stabilizimi, është në vlerat më të mira historike, të 30 viteve të fundit.
Që prej vitit 1991 e këtej?
Në të gjithë parametrat e tij.
Mbi çparametra mbështeteni?
Që të masësh nivelin e rendit dhe të sigurisë ka disa indikatorë, janë disa vepra penale të rëndësishme që maten, regjistrohen dhe krahasohen. Dhe nëse i marrim këto vepra kryesore kriminale rezulton që jemi në nivelin më të ulët në historinë tonë.
Lleshaj mendon ndryshe nga Kryeprokurori: Krimi në Elbasan ekziston, por nuk e kontrollon
Ndryshe nga Kryeprokurori Olsjan Çela, i cili disa kohë më parë deklaroi se qyteti i Elbasanit po kontrollohet nga bandat kriminale, mendon Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj. I pyetur fillimisht nga gazetari Blendi Fevziu në studion e “Opinion” për këtë deklaratë, Lleshaj e mohoi atë. Por ku paneli i gazetarëve i tha se ishte deklaratë publike, atëherë Ministri i Brendshëm u shpreh se kjo nuk është e vërtetë. Sipas Lleshajt, jo vetëm Elbasani, por asnjë cep i Shqipërisë nuk kontrollohet nga krimi, meritë që sipas tij shkon për qytetarët.
Kryeprokurori gjatë një vizite në Elbasan disa javë më parë u shpreh para prokurorëve që qytetin po e merr në dorë dhe po e kontrollon krimi, bandat kriminale. Tani ka një mospërputhje midis Ministrit të Brendshëm që thotë që jemi në periudhën më të mirë, në shifrat më të mira, në situatën më të mirë të rendit dhe Prokurorit të Përgjithshëm, thotë se qyteti i 3 apo 4 më i madh i vendit, kontrollohet nga bandat kriminale?
Unë nuk e di që Elbasani kontrollohet nga bandat.
Kjo është deklaratë e Prokurorit të Përgjithshëm.
Unë nuk e di edhe që kryeprokurori të ketë bërë këtë deklaratë… nuk e di.
Po patjetër, është deklaratë publike…
Mirë, ju mund ta pyesni kryeprokurorin për këtë. Unë di që qyteti i Elbasanit është në kontroll të qytetarëve të tij, të institucioneve, të autoriteteve, etj, dhe krimi është i margjinalizuar si kudo në Shqipëri, edhe në Elbasan. Ekziston krimi, por nuk kontrollon qytetin. Asnjë cep i Shqipërisë nuk kontrollohet nga krimi dhe për këtë duhet të jemi krenar dhe është meritë e qytetarëve të Shqipërisë, jo e jona.
Lleshaj zbulon synimin e vërtetë të OFL-së
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ishte këtë të enjte në emisionin “Opinion” ku përpara një paneli gazetarësh foli edhe për çështjen e OFL-së. Lleshaj tregoi edhe se cili është qëllimi që fshihet pas këtij Akti Normativ. Ai tha se Operacioni Forca e Ligjit kërkon që të krijojë bindjen tek kriminelët apo ata që duan t’i hyjnë botës së krimit që herët apo vonë pasuria e tyre do të sekuestrohet.
“Do thosha këtë gjë që nga analiza që i bëjmë kriminalitetit në Shqipëri na rezulton se ulja e tij ndjeshëm sidomos këtë vit lidhet ndjeshëm sidomos nga qasja e re dhe masat e reja të marr, lufta ndaj aseteve kriminale qëndron prapa çdo suksesi në luftën kundër kriminalitetit. Ne kemi adoptuar një qasje agresive dhe inovative në fushën e luftës kundër aseteve kriminal, e cila synon që të shterojë burimet e financimit dhe të prishë modelin e biznesit. Ky biznes duhet shkatërruar në ciklin e tij. Gjithë qasja jonë, gjithë Akti Normativ, OFL-ja gjithë kjo ngrehinë, operacion i madh synon që t’i krijojë bindjen çdo personi të përfshirë në krim apo që është gati të përfshihet që çfarë do që të ndodhë, sido që të bëhet, sado pasuri që të vendosë do të vijë një ditë që dikush do t’i marrë këto pasuri. Pas kësaj është gjithë puna që po bëhet në kuadër të OFL-së”.
Lleshaj u shpreh se deri më tani, OFL ka sekuestruar 1500 pasuri ndërsa luftën kundër aseteve e konsideroi si instrumentin bazë që siguron sukses të qëndrueshëm.
“Sot u ka lindur një histori e re, e riargumentimit dhe rimbrojtjes së pasurive të tyre para gjykatës. Kjo ka sjellë një nivel krejt të ri në këtë fushë. Fakti që kemi mbi 1500 pasuri, pjesa e konsiderueshme e tyre e konfirmuar. Pjesa më e madhe është marrë në administrim nga agjencia e administrimit të aseteve. Janë konfirmuar 523 pasuri të sekuestruara që janë marrë nën administrim”, tha Lleshaj.
Lleshaj: Ka një proces për legalizimin e kanabisit për përdorim mjekësor
Sandër Lleshaj deklaroi se lufta ndaj kanabisit do të thellohet edhe nëse legalizohet për përdorim mjekësor. Për Ministrin e Brendshëm, kultivimi ilegal i kanabisit dhe legalizimi për përdorim mjekësor i tij janë dy gjëra të ndryshme.
“Sa i përket kanabisit lufta kundër aseteve kriminale dhe lufta kundër kanabisit janë dy instrumentet që tkurrin krimin në vend. Për kanabisin, legalizimi i tij është një çështje që nuk ka të bëjë me krimin. Sot OKB mori vendimin për ta deklasifikuar si lëndë narkotike. Çfarë themi ne, këto janë dy çështje që nuk takojnë asgjëkundi me njëra-tjetrën. Ne luftën kundër kanabisit, pra kultivimit ilegal të kanabisit do ta thellojmë edhe nëse nesër Shqipëria do ta legalizojë për përdorim mjekësor sepse janë dy çështje që nuk preken asgjëkundi me njëra-tjetrën”.
Lleshaj pranoi këtë të enjte në emisionin “Opinion” se për legalizimin e kanabisit në vend ka nisur një proces, por që është ende në diskutim. Ai tha se është vënë në dijeni të kësaj gjëje, por nuk ka gjetur asnjë argument që ta kundërshtojë legalizimin e kanabisit.
“Çdo vendim që merret për çështje të tilla i nënshtrohet një procesi kolegjial ku ministri pyetet patjetër sepse do të merret një vendim qeverie dhe ministri do të votojë për atë çështje. Unë nuk kam gjetur, jam përpjekur të gjej argument kundër në fakt, por nuk kam gjendur. Ka një proces që mesa di unë nuk është në shpejtësinë maksimale. Është një çështje e pambyllur akoma, në diskutim”.
Atentati ndaj Preng Gjinit, Hoxha: Ekzekutori është italian
Sipas gazetarit Artan Hoxha në atentatin ndaj Preng Gjini me eksploziv pasditen e 15 Shtatorit është përdorur një ekzekutor i huaj. Sipas tij bëhet fjalë për një vrasës italian dhe kjo është arsyeja pse policia nuk e kap dot.
Hoxha dha këtë detaj pasi gazetarja Klodiana Lala po pyeste ministrin Sandër Lleshaj nëse shqetësohej nga ky rast që ka ndodhur në mes të kryeqytetit.
Klodiana Lala: Eksplozivi në mes të Tiranës, e ka parë e gjithë bota se ka shpërthyer eksplozivi në mes të Tiranës. Është akt terrorist i pastër.
Artan Hoxha: Klodi kanë ardhur vrasës italianë, nuk e kapin dot.
Klodiana Lala: A nuk ju shqetëson kjo gjë?
Artan Hoxha: Është italian ekzekutori…
Sandër Lleshaj: Definicionet duhet të jenë korrekte. Ai nuk është akt terrorist. Ka një definicion për aktet terroriste.
Preng Gjini i shpëtoi atentatit. Shkak i ngjarjes dyshohet hakmarrja, ku vitet e fundit kanë ndodhur disa vrasje në qytetin e Rrëshenit.
Gazetarja: Të të vijë turp që e thua këtë gjë! Ministri: Ti je grua dhe më çarmatos…
OFL-ja dhe insistimi i gazetares Klodiana Lala për të marrë përgjigje nga Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj për emra konkretë, bënë që mes palëve tonet të mos ishin të qeta. Por ajo që duket se shkaktoi edhe reagimin më të madh të gazetares ishte fakti që Ministri Lleshaj e cilësoi Operacionin Forca e Ligjit si tepër të suksesshëm. Kjo bëri që Lala t’i drejtohej ministrit me fjalët “duhet të të vijë turp që e thua këtë gjë “. Në kundërpërgjigje, Lleshaj i tha se duke qenë grua e “çarmatoste” dhe se e kishte “zënë ngushtë, sepse nuk të përgjigjem dot me të njëjtën gjuhë”.
Klodiana Lala: Ju dhatë disa shifra për OFL-në të cilat më kërcasin dhe nuk kanë asnjë lidhje me realitetin. Më rezulton që nga Gjykata e Posaçme, që kam marrë statistikat, që janë sekuestruar vetëm 100 pasuri, në pjesën më të madhe janë vetëm automjete, një dhe nuk kanë lidhje fare me shifrat tuaja. E dyta, a mund të më thoni zoti Ministër, përse mungojnë në listat e OFL-së disa emra, edhe pse këtu ju mund të fshiheni dhe të thoni unë nuk kam dijeni për emrat. Për shembull, vëllai i ish-Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, është i njohur fakt botërisht që është duke kryer dënim për trafik droge. Deri më sot nuk ka një formular OFL-je. Ish-Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri që në kuptim të ligjit është subjekt i OFL-së, për shkak se është në hetim dhe në gjykim për trafik në kuadër të grupit të strukturuar, nuk ka ende një formular OFL-je.
Blendi Fevziu: Po OLF-ja është për ata që janë dënuar
Klodiana Lala: Jo, është edhe për ata që janë nën hetim, sepse duhet të jemi të qartë me publikun dhe mund të jap raste sa të doni. Kemi mjaft persona që nuk janë dënuar me vendim të formës së prerë dhe u është çuar OFL. Mund t’ju përmend këtu Ardjan Çapja, Ervis Martinaj. Por po pyes për këto dy emra të paktën që janë emra të njohura botërisht.
Sandër Lleshaj: Sapo ju thashë që me emra nuk merrem.
Klodiana Lala: Po është ish-Ministri i Brendshëm.
Sandër Lleshaj: Aq më tepër që është ish-Ministri i Brendshëm, si do merrem me ish-Ministri i Brendshëm.
Klodiana Lala: Atëherë është selektive, zoti Ministër? Se nuk po e kuptojmë, mund të jeni më i qartë në këtë pikë.
Sandër Lleshaj: Fakti që nuk merrem me emra do të thotë që është selektiv?
Klodiana Lala: Jo, atëherë na shpjegoni përse mungon, sepse OFL përfundon mandatin më 31 Dhjetor.
Sandër Lleshaj: OFL-ja ka një kategori subjektesh qartësisht të përcaktuara nga ligji, janë persona të dënuar për 31 nene të Kodit Penal.
Blendi Fevziu: Të dënuar apo dhe në hetim?
Sandër Lleshaj: Të dënuar.
Klodiana Lala: Dhe nën hetim zoti Ministër, ju përmenda raste konkrete.
Sandër Lleshaj: Dhe janë vepra penale të caktuara…
Klodiana Lala: Dhe grupi i strukturuar kriminal, trafiku i drogës në kuadër të grupit, është një prej veprave penale. Po ju pyes për një rast konkret, është ish-Ministri i Brendshëm dhe po ju pyes nominalisht me emër.
Sandër Lleshaj: Ti mendon se unë do të shkoj të interesohem se çfarë bën policia me ish-Ministrin e Brendshëm?
Klodiana Lala: Po atëherë mos hajdeni fare në studio, sepse nëse nuk keni për të thënë, nuk keni për të thënë dhe mbaroi.
Sandër Lleshaj: Po si, po nuk kam ardhur për të diskutuar çështje… Ne duhet të diskutojë këtu çështje të mëdha të kriminalitetit në Shqipëri.
Klodiana Lala: Që janë? Sepse OFL-ja nuk ka sekuestruar pasuri zoti Lleshaj.
Sandër Lleshaj: Që të merremi me politikën kundër krimit.
Klodiana Lala: Cila është politika kundër krimit? Sepse OFL-ja zoti ministër, lindi si një tentativë, si një aksion i madh i trumbetuar me bujë nga ju dhe Kryeministri.
Sandër Lleshaj: Dhe i suksesshëm shumë…
Klodiana Lala: Të lutem, duhet të të vijë turp që e thua këtë gjë, minimalisht duhet të skuqesh para shqiptarëve që e thua këtë gjë.
Sandër Lleshaj: Ti je grua dhe më çarmatos, edhe zonjë…
Klodiana Lala: Jam shumë etike në komunikim.
Sandër Lleshaj: Po si e përmend fjalën turp mua ti, po si e përmend… Po a e kupton se më ke zënë ngushtë, sepse nuk të përgjigjem dot me të njëjtën gjuhë.
Klodiana Lala: Si? Cila ishte gjuha ime zoti ministër?
Sandër Lleshaj: Po si thua që nuk ke turp? Kujt i thua?
Klodiana Lala: Po sepse shifrat që thoni ju nuk janë shifra që përkojnë me realitetin. Është gënjeshtër, është gjykata që ka shifra zyrtare.
Sandër Lleshaj: Po si ka mundësi bie në këtë nivel gjykimi. Për hir të dinjitetit minimal, unë po ju jap shifra dhe po mbaj përgjegjësi për shifrat që jap, këto janë shifra të referuara nga OFL-ja. Dhe unë nuk jam zëdhënësi i gjykatës këtu moj zonjë.
BMW Seria 7, Lleshaj-Fevziut: Duhet të jesh ministër që ta marrësh, po deshe…
Një nga çështjet që u diskutua në studion e “Opinion” ku mbrëmjen e kësaj të enjteje ishte i ftuar ministri Sandër Lleshaj ishte dhe makina luksoze që ky i fundit përdor.
Bëhet fjalë për një makinë BMW Seria 7, që ka krijuar debat kohët e fundit. Lleshaj deklaroi se makina që ai përdor kushton më pak se makinat që kanë drejtuesit e Policisë së Shtetit.
Ministri u shpreh se makina është marrë për 49 mijë Euro dhe është tërhequr direkt nga prodhuesi i firmës në Bavari të Gjermanisë. Teksa u pyet nga gazetarja Klodiana Lala se kush ka përfituar nga kjo blerje, ministri Lleshaj tha “shteti shqiptar”.
Lleshaj u shpreh se makina është marrë me atë çmim për shkak se blerësi nuk ishte i zakonshëm, por shteti shqiptar edhe pse në realitet kushton shumë më shtrenjtë.
Ministri tha se mjeti ka një konfiguracion normal dhe për këtë sfidoi Fevziun që ta shikonte. Lleshaj tha se personalisht ka një makinë tip “Honda”.
Blendi Fevziu: Një pyetje të fundit, jeni fotografuar me një makinë shumë luksoze. Nuk po i hyj tani çështjes është e konfiskuar apo jo, por a është e drejtë që Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, një vend me këtë standard varfërie dhe jetese të mbajë një makinë të tillë luksoze.
Sandër Lleshaj: Ministri i Brendshëm mban një makinë e cila kushton më pak se shumë makina që mbajnë punonjësit e Policisë së Shtetit.
Blendi Fevziu: Ky është faji i Policisë së Shtetit që nuk verifikon pasurinë e këtyre njerëzve. Ne po flasim për një simbol sepse shteti mund t’jua paguajë edhe një makinë të shtrenjtë, por flasim se a është e drejtë që ministri i Brendshëm i Shqipërisë lëviz.
Sandër Lleshaj: Ministri i Brendshëm mban atë makinë që është BMW.
Artan Hoxha: Ishte jashtë, binte në sy.
Sandër Lleshaj: E cila kushton më pak se makinat, jo të Sandër Lleshajt. Unë kam një makinë Honda, hajde shihe atje. Ministri i Brendshëm ka këtë makinë, e cila kushton më pak se makinat që kanë drejtues të Policisë së Shtetit.
Blendi Fevziu: Sa kushton? Kjo makinë kushton minimalisht 100 mijë euro, është BMW Seria 7.
Sandër Lleshaj: Mund të bëjë edhe 700 mijë euro po deshe, kjo makinë i ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë 49 mijë euro.
Blendi Fevziu: Ku doli 49 mijë euro? Jam i gatshëm të shkoj që nesër ta marr një makinë të tillë.
Sandër Lleshaj: Shko merre, nuk e merr dot po nuk u bëre ministër i Brendshëm.
Blendi Fevziu: A duhet të jem ministër i Brendshëm që të hipë në makinë të tillë?
Klodiana Lala: Duhet të përfitosh nga posti, këtë po na thoni zoti ministër?
Sandër Lleshaj: Ka përfituar Shqipëria se kjo nuk është makinë private zonjë. Është makinë që është marrë për shtetin shqiptar.
Blendi Fevziu: Nga është marrë makina?
Sandër Lleshaj: Është marrë direkt nga prodhuesi i tij në Bavari. Është marrë me atë çmim dhe për këtë e ndjej veten krenar.
Blendi Fevziu: Është e blinduar?
Sandër Lleshaj: Jo nuk është e blinduar. Është një makinë e thjeshtë me konfiguracionin minimal, do t’ju ftoj kur të dalim po deshe hajde shihe që të heqësh dorë…
Blendi Fevziu: Unë e di që makinat e Serisë 7 kanë një çmim që fillon nga 90 mijë euro.
Sandër Lleshaj: Po aq fillojnë, për një blerës të zakonshëm.
Klodiana Lala: Pse nuk jeni blerës i zakonshëm ju? Na e sqaroni…
Sandër Lleshaj: Sepse është shitur për Ministrin, jo për një individ. Është blerë tek prodhuesi moj zonjë, jo tek koncesionari.
Klodiana Lala: Prodhuesi ju ka favorizuar se nuk po e kuptojmë.
Sandër Lleshaj: Prodhuesi favorizon një kategori klientësh. Edhe po të isha ministër i Brendshëm i Maqedonisë do ta merrja.
Ndryshimet në ligj, Lleshaj: Policia duhet të gjurmojë për të parandaluar
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj foli mbrëmjen e kësaj të enjteje edhe për ndryshimet në ligjin për Policinë e Shtetit, ndryshime të cilat u kthyen me dekret nga presidenti e që Kuvendi e rrëzoi këtë të fundit gjatë seancës së sotme plenare. Ministri tha se ndryshimet, që i japin të drejtë policisë të bëjë gjurmime pa patur nevojë për autorizimin e prokurorisë, sipas tij vetëm sa fillojmë t’i japin atribute që policitë e tjera të vendeve europiane i kanë natyrshëm. Sipas Lleshajt, deri më sot policia nuk ka mundur të bëjë gjurmime, që i duhen në mënyrë që të mund të parandalojë një ngjarje kriminale.
Sot ju keni qenë në parlamentin e Shqipërisë dhe është rrëzuar një dekreti i presidentit Meta, për shkak sepse presidenti ka shfaqur shqetësim në lidhje me ndryshimet e fundit që janë bërë të ligji i Policisë së Shtetit. Për shkak sepse ligji i fundit, i jep të drejtë policisë të gjurmojë dhe të mbikëqyrë pa marrë autorizimin e prokurorisë. Kjo është konsideruar nga Presidenti si situatë alarmante, që shkel të drejtat e njeriut. Jemi në prag të fushatës zgjedhore, Policia e Shtetit është një organ në varësi nga Ministria e Brendshme. Çfarë do të vëzhgojë dhe do gjurmojë Policia e Shtetit dhe ku ndahet vija, çfarë do gjurmoni ju pa autorizimin e prokurorisë dhe ku do ta kërkoni autorizimin e prokurorisë. Sepse kjo është një çështje shumë serioze.
Prokuroria dhe Policia kanë dy përgjegjësi të ndara qartësisht. Prokuroria është përgjegjëse për procedimin penal, pra duhet të ketë ndodhur një vepër penale dhe aty hyn në lojë prokuroria, e cila e merr policinë në varësi pastaj, gjithë policia kriminale është edhe polici gjyqësore, është në funksion të prokurorisë në rastet kur një vepër ka ndodhur.
Ndërkohë që policia në vetvete ka përgjegjësinë tjetër, që është parandalimi. Parandalimi është përgjegjësi e policisë, për këtë punë mbahet policia që të parandalojë krimin. Që të kryejë parandalimin, që të mund të shkojë tek prokurori një polic, të referojë një çështje penale duhet t’i tregojë diçka, sepse prokurori nuk të pranon.
A nuk e ka pasur policia këtë të drejtë deri më tani? I bie që gjithë këto kohë ju nuk keni gjurmuar?
Nuk e ka patur këtë të drejtë deri tani. Në këtë pikë jo, nuk kemi gjurmuar. Edhe prap, edhe me ndryshimet e bëra vetëm sa fillojmë të marrim disa atribute që policitë e tjera të vendeve europiane i kanë të natyrshme./tvklan.al