Momenti më i vështirë për Pëllumb Piperon
Pëllumb Pipero është përzgjedhur nga emisioni “Opinion” si një prej personazheve të vitit 2020.
Duke folur për vitin që po lemë pas, mjeku thotë se një ndër momentet më të vështira të 2020-s ishte kur u pyet në studio nga gazetari Blendi Fevziu nëse kishte hyrë ose jo në vendin tonë Covid-19.
“Një moment i vështirë dhe delikat ka qenë pyetja që më ka bërë Zoti Fevziu në studio, “ka hyrë apo jo Covid në Shqipëri?” dhe unë kam thënë që po, sipas meje duhet të ketë hyrë. Ky ka qenë një moment delikat…”
I pyetur nëse do ta marrë vaksinën, Pipero tha se do të jetë ndër të parët që do ta bëjë një gjë tillë, madje do ta bëjë atë në një studio televizive.
Ministrja zbulon tabelat në zyrën e saj dhe funksionin e tyre
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu është një prej personazheve të vitit 2020, sipas emisionit Opinion.
Në një intervistë për gazetarin Drini Zeqo ajo tregon momentet më të vështira dhe më të gëzuara të vitit që po lemë pas.
Manastirliu zbulon edhe tabelat në zyrën e saj dhe tregon shënimet që ka mbajtur që nga zbulimi i rastit të parë me Covid në vendin tonë.
“Të gjitha këto tabelat këtu janë tabelat më orientuese për mua dhe për bashkëpunëtorët e mi, pavarësisht gjithë sistemeve elektronike, kompjuterike, grafikëve. Këto janë gjithë muajt e ecurisë së pandemisë. Rasti i parë në datën 8 i deklaruar në datën 9 dhe më pas rasti i parë i humbjes së jetës në datën 10 që është deklaruar më 11 e kështu… numri i testimeve, numri i rasteve të konfirmuara dhe i fataliteteve për çdo muaj.”
“Si të të shkulin diçka prej zemrës”, regjisori flet për momentin e vështirë gjatë 2020-s
Edmond Budina është një tjetër emër i përzgjedhur nga Opinion, si personazh i vitit 2020.
Regjisori, i cili luftoi fort kundër shembjes së Teatrit Kombëtar tregon se viti që po lemë pas ka qenë një vit i dhimbshëm. Shembja e teatrit thotë se ishte si t’i shkulnin diçka nga zemra.
“Për mua personalisht që kam gati 2 vjet e gjysmë që luftoj për Teatrin Kombëtar, padyshim ishte një moment i vështirë, sepse këtë vit u shemb. Ishte një dhimbje e jashtëzakonshme, ishte si të të shkulin diçka prej zemrës.”
“E pashë si një grip, nuk di si ma gjeti derën…”
Një personazh i vitit që po lemë pas është padyshim edhe Alketa Vejsiu. Përveç sukseseve të shumta, si pjesëmarrja e saj në Sanremo, apo projektet televizive në ekranin e Televizionit Klan, Vejsiu foli edhe për eksperiencën e saj me Covid.
Ajo tha se e kishte parë virusin si një grip të thjeshtë dhe se ishte habitur sesi e kishte marrë, pasi siç tregoi kishte qenë shumë e kujdesshme.
“E pashë si një grip me thënë të drejtën, kam qenë jashtëzakonisht e kujdesshme dhe nuk e di si ma gjeti derën Covidi. Ditën e pestë-të jashtë ngaqë lexoja shumë në internet pata një merak se mos do të ndodhte ndonjë gjë e komplikuar. Isha tek njerëzit me fat sepse kisha pak simptoma…”
“Mund t’i ndërroni pushimet pa paguar asnjë gjë”, Mane tregon çfarë e bën kaq të veçantë Green Coast
Biznesmeni Samir Mane nuk mund t’i mungonte listës së personazheve të vitit 2020, nga emisioni Opinion.
Një nga projektet që Samir Mane diferencohet në tregun vendas, por pa dyshim në rajon dhe në Europë është Green Coast në Palasë. Por çfarë e bën atë kaq të veçantë?
“Nuk është vetëm një resort vilash, por kanë filluar të krijohen dhe hotelet e para. Ajo që është ndryshe në Green Coast, është se aty blen një eksperiencë. Dikush që nuk e do vilën që ta përdorë gjatë gjithë kohës, mund të fitojë para nga ajo vilë duke e dhënë me qira, nën menaxhimin tonë dhe kompanive më të mëdha në botë. Nëse ju keni një vilë ose apartament në Green Coast dhe doni të pushoni dy javë në 3 mijë resorte të tjera të globit, ju mund t’i ndërroni pushimet pa paguar asnjë gjë”, tregon ndër të tjera Mane.
“Nuk do ta lë asnjëherë Shqipërinë”
Pjesëmarrja e Alketa Vejsiut në Sanremo ishte një prej ngjarjeve më të përfoluara të vitit 2020-të, por një vit më pas emri i saj po përmendet sërish për edicionin e radhës të këtij festivali.
“Mediat italiane kanë kandiduar emrin tim, kur të jetë zyrtare unë do t’ju them pastaj se sa bukur apo sa e mrekullueshme do të jetë nëse do të ndodhi për të dytën herë,” tregon Vejsiu.
E pyetur nëse ajo do e pranonte ftesën për të qenë përsëri në Sanremo, Alketa Vejsiu përgjigjet:
“Unë e ndaj jetën time midis Shqipërisë dhe Italisë dhe jam shumë e lidhur me Italinë, do të doja shumë në një treg më të madh të mbërrija disa qëllime profesionale që kam dhe disa ëndrra që lidhen edhe me mua si sipërmarrëse. Patjetër këtu në Shqipëri gjithçka që kam ndërtuar do ta kurojë gjithmonë e nuk do ta lë asnjëherë Shqipërinë dhe asnjëherë punën që kam krijuar me kaq shumë mund në gjithë këto vite. Por që patjetër për një realitet më të madh e më të mirë njeriu duhet të jetë mendjehapur dhe të thotë “Po”. Sanremo është pika më e lartë nga ku mund ta nisi karrierën një njeri që njihet pak, por që mori maksimumin e asaj që mund të merrnin edhe shumë prezantues të tjerë që nuk e kanë shkelur ndonjëherë dhe si kanë zbritur apo hipur ato shkallë. Për mua është një privilegj i jashtëzakonshëm, nëse do ndodhi një Sanremo Biz do të jetë shumë bukur, do të jetë një arritje e mirë edhe për mua dhe për Shqipërinë.”
Vdekje dhe lindje brenda një familjeje, momentet e vështira të 2020-s
Shefja e Shërbimit Infektiv në QSUT, Najada Çomo, një tjetër emër i përzgjedhur nga “Opinion” si personazh i vitit 2020, tregon për disa prej momenteve më të vështira, por edhe të bukura të vitit që po lemë pas. Përveç gëzimit kur një pacient lë spitalin pasi e fiton betejën me virusin, Çomo thotë që një gëzim i madh ka qenë edhe kur nënat e prekura me Covid kanë sjellë në jetë foshnjen e tyre. Mjekja tregon se ka pasur edhe raste që një familje ka përjetuar njëkohësisht, humbjen e një njeriu të dashur dhe ardhjen në jetë të një tjetri.
“Gëzime tjera kanë qenë edhe lindjet e bebeve të nënave që kanë qenë të infektuara me Covid, apo ardhja në jetë e fëmijëve nga nënat e infektuara brenda spitalit, kanë qenë elementë të rëndësishëm kulmor, sepse diku ka ndërruar jetë një person dhe ti je trishtuar pamasë me një dhimbje shumë të madhe, diku ka ardhur në jetë një person dhe kjo ka ndodhur edhe brenda një familjeje. Gjithmonë është bashkuar pjesa e hidhërimit, dëshpërimit, por edhe gëzimit qoftë të shpëtimit të jetëve dhe të ardhjes në jetë të një fëmije të vogël”, tha Çomo./tvklan.al