Mazniku: Do të hyjmë në një botë të re pas pandemisë së Covid-19
65% e qytetarëve shqiptarë besojnë se pas datës 23 Qershor në Shqipëri do të rikthehet jeta normale pas pandemisë së Covid-19, ndërsa 35% mendojnë të kundërtën, sipas një sondazhi të “Opinion”.
Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku shprehet se beson që do të ketë një realitet të ri, një botë të re, duke ndryshuar disa aspekte të jetës.
Në një lidhje direkt për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Mazniku deklaroi se ndryshimet në jetesë do të vazhdojnë edhe pas gjetjes së një kure apo zbulimit të një vaksine kundër Covid-19.
“Bota do të rikthehet pas Covid në një normalitet të ri. Për shumë gjëra, mënyra si oranizojmë pjesën sociale, shoqërinë, transportin publik, do jenë të gjitha të ristrukturuara në botën e re që do hyjmë pas Covidit. Unë mendoj që do të shkojë përtej çështjes së kurës apo vaksinës. Në psikozën globale ka hyrë procesi i ruajtjes nga një pandemi. Bota e re do të jetë shumë më e strukturuar edhe përtej momentit që do gjendet vaksina”.
I pyetur si e komenton sjelljen e qytetarëve në Tiranë pas lehtësimit të masave, Arbjan Mazniku u shpreh: “Njerëzit janë lodhur nga fakti që kaluan periudhë të gjatë të mbyllur të bllokuar. Padyshim dallohet etja e njerëzve për të lëvizur. Por besoj që qytetarët shqiptarë kanë qenë të ndërgjegjësuar. Është ulur në mënyrë drastike takimi fizik i njerëzve. Ka një sjellje të re në qytete që dallohet edhe në takime”.
Fevziu: Skandaloze, donacioni i filantropit shqiptar bllokohet në doganë
1 000 tableta nisur për donacion, por të bllokuara në doganë. Është ky skandali sipas gazetarit Blendi Fevziu, i cili mbrëmjen e sotme në emisionin “Opinion” në Tv Klan solli rastin e filantropit nga Maqedonia Lazim Destani, pajisjet dhuratë të të cilit kanë ngecur në doganë.
Presidenti i firmës “Ekolog”, një nga më të fuqishmet shqiptare në Europë, kishte vendosur që me rastin e pandemisë t’i dhuronte tableta Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, duke patur parasysh që nxënësit në mësimet online kanë vështirësi.
Në Maqedoni dhe në Kosovë tabletat arritën dhe janë në duart e nxënësve, por fondi për Shqipërinë ka mbetur në doganë.
“Lazim Destani ka bërë gati paketat dhe i ka sjellë në Shqipëri. Kanë ngelur në doganë se dogana i thotë “faleminderit për dhuratën, por duhet që të paguash edhe TVSH””, tha Fevziu.
Kompania dërgoi një letër ku kërkonte që meqë janë donacion dhe po shkojnë për shtetin, të lirohen nga detyrimet doganore. Por përgjigja erdhi negative.
“Në vijim të kërkesës tuaj, mbështetur edhe në ligjin 102/2014 “Kodi Doganor i republikës së Shqipërisë”, Neni 184 artikulli tablet nuk përjashtohet nga detyrimet doganore”.
Por ky reagim sipas Fevziut është skandaloz sepse po pengohet mësimi i nxënësve në vështirësi.
“Është skandaloze sepse ndërkohë që nxënësit në Maqedoni dhe në Kosovë kanë nisur mësimin online me tableta, “Ekologu” ishte ekstra për nxënësit dhe bllokohet në doganë. Edhe një orë po të vonohet është jo logjike sepse pengon mësimin e këtyre nxënësve”, tha ai. /tvklan.al