Të ftuar: Klodiana Lala, Valbona Treska, Erion Kristo, Enida Bozhegu
Gazetarja tregon detajet e historisë së vrasjes së Eglantinës
Emisioni “Opinion” në Tv Klan ka trajtuar mbrëmjen e sotme historinë makabre të vrasjes së Eglantina Bucit 8 vite më parë, nga vëllai dhe babai i saj.
E ftuar në studio, gazetarja Klodiana Lala ka shpjeguar me detaje se si ka ndodhur ngjarja e rëndë brenda familjes Buci.
Historia është zbardhur nga shoku i Shkëlzen Bucit, vëllait të Eglantinës, i cili ka qenë i pranishëm në vrasjen e ndodhur në Malin me Gropa 8 vite më parë. Ai tashmë është i penduar i drejtësisë, dhe deklarata e gazetares Lala, i referohet dëshmisë së të penduarit.
“Eglantina largohet nga famija në vitin 2008 me një djalë të cilin e kishte dhe komshi. Pretendohet se ka marrë rreth 12 milionë Lekë të vjetra dhe është larguar. Marrëdhëniet mes tyre nuk shkuan siç duhet. Ata ishin shkëputur. Me të vetmin njeri që mbante kontakte Eglantina, ishte xhaxhai, sepse ai e konsideronte si vajzë të afërt. Shkëlzën Buci vendos të përdorë si karrem mikun e tij më të ngushtë. I thotë do të japë numrin. Vajza kishte shkuar të merrte pjesë në një videoklip të një këngëtari tallavaje dhe babai ishte rrahur me këngëtarin. I është dhënë numri i telefonit nga Shkëlzeni shokut të tij më të ngushtë. Dhe ai flet. Shkëlzën Buci blen një unazë dhe ja jep karremit. Ai shkon i propozon. Kur Eglantina me telefonatat e saj po bëhej shqetësuese për famljen time, unë vendosa të shkoja t’i thoja të vërtetën, thotë dëshmitari. Pihet një kafe mes të gjithëve bashkë. Eglantina besoi që më në fund gjeti rehati në familje. Personi i penduar i jep Shkëlzen Bucit njërin nga makinat që kishte në përdorim. Ne u nisëm të tre, unë, Shkëlzeni dhe Eglantina. Eglantina e pyeti Shkëlzenin ku po shkon. Kur ai mori në drejtim të Malit me Gropa, ajo filloi të qante dhe të dridhej. Në momentin që e nxorri me forcë nga makina ajo filloi të bërtiste. E qëlloi me armë në fytyrë dhe më pas e qëlloi herë të tjera”.
“Po çmendem, nuk e mbaj dot”, si u dorëzua dëshmitari i mbrojtur dhe zbardhi vrasjen e Eglantinës
Vrasja e Eglantina Bucit në vitin 2008 në Malin me Gropa u zbardh falë dëshmitarit të mbrojtur, i cili ka qenë i pranishëm në momentin e ekzekutimit të së resë.
Shkëlzen Buci, vëllai i Eglantinës, dhe Faik Buci babai i vajzës, janë të arrestuar dhe akuzuar për këtë çështje.
Hetimet për këtë ngjarje nisën në vitin 2017, kur u arrestua Shkëlzen Buci, por për një tjetër ngjarje kriminale. Ai u akuzua dhe dënua për vrasjen e mbetur në tentativë të aktorit Mishel Prela. Njëri ndër të akuzuarit për vrasjen e mbetur në tentativë ndaj Prelës, ishte edhe shoku i Shkëlzen Bucit, i cili ka qenë i pranishëm në vrasjen e Eglantina Bucit.
Ky person, që sot është dëshmitar i mbrojtur, i ka treguar policisë të gjithë ngjarjen e vitit 2008 në Malin me Gropa. Gazetarja Klodiana Lala tha në emisionin “Opinion” se në këtë moment, ai mori statusin e dëshmitarit të mbrojtur dhe tregoi se Shkëlzen Buci kishte vrarë motrën e tij Eglantina Buci me porosi të babait Faik Buci.
“Kur ata po i komunikonin mbylljen e hetimeve për tentativën e vrasjes së Mishel Prelës, ai një moment ka shpërthyer në lot dhe ka thënë: Unë nuk e mbaj dot më, po çmendem nga kjo histori, dua t’ju rrëfej dhe një krim tjetër. Aty është thirrur një avokate shumë e re, të cilën e kanë patur për ta patur procedurialisht në rregull, i është kërkuar edhe avokates të mos fliste. Ka treguar të gjithë ngjarjen. Problemi është që policia kishte të qartë të gjithë mekanizmin, por nuk mund të firmoste urdhër-arrest për babain dhe vëllain e vajzës, sepse nuk kishte trupin. Pra e kishte të pamundur të ngrinte një akuzë për vrasje”.
Avokatja: Dëshmitari i vrasjes së Eglantinës, është edhe ndihmësi i vrasësit
Mbrëmjen e sotme, emisioni “Opinion” në Tv Klan, ka trajtuar vrasjen makabre të Englatina Bucit 23 vjeç në vitin 2012 nga vëllai Shkëlzen Buci dhe babai i saj Faik Buci në Malin me Gropa.
Shoku i Shkëlzenit i cili ka parë me sytë e tij ekzekutimin e Englantinës, ka zbardhur në vitin 2017 historinë e rëndë, duke marrë statusin e të penduarit.
Avokatja Enida Bozhegu gjatë emisionit është shprehur se dëshmitari i penduar mund ta ketë ditur se e gjithë kjo histori mund të përfundonte në një vrasje dhe se e konsideron atë si ndihmësin e vrasësit.
Enida Bozhegu: Dëshmitari i penduar ose ndryshe bashkëpunëtori i drejtësisë ka deklaruar se edhe herë të tjera se babai i vajzës ka tentuar ta vriste. Kur një njeri i cili ka këto informacione në të cilat thotë që vajzën e ndiqnin dhe donin ta vrisnin më përpara se ai vetë të bëhej pjesëtar i shoqerimit të vajzës për rolin që do të kryente ai vetë, ai e ka marrë me mend. Duke patur parasysh karakteristikat e kësaj familje, kam përshtypjen që ai ka qenë i sigurt që mund të shkonin deri në vrasje. Une dëshmitarin e penduar do ta fusja si ndihmës.
Blendi Fevziu: Me një dëshmitar a mund të arrihet një përfundim?
Enida Bozhegu: Këta lloj dëshmitarësh janë shumë të vështirë për ta kuptuar lidhjen. Me një dëshmitar të tillë i cili ka dhe një precedent tjetër të lidhur bashkë me personin, është shumë e vështirë të arrihet në një besueshmëri. Edhe një gjykatë do e kishte shumë të vështirë të arrinte të ndërtonte mbi bazën e një dëshmie, do kërkojë prova shtesë dhe do kërkojë një arsyetim më të gjatë të historisë.
Psikologia: Fëmijët e familjes Buci janë deformuar gjatë rritjes së tyre
Në emisionin “Opinion” Tv Klan mbrëmjen e sotme është trajtuar historia e vrasjes së Englantinës e cila u vra në moshën 23-vjeçare nga vëllai dhe babai i saj 8 vite më parë.
Vëllai dhe shoku i tij, morën vajzën në makinë dhe e çuan tek Mali me Gropa, rreth 2 orë e 30 minuta larg Tiranës dhe e vrau duke e gjuajtur me armë në kokë.
Për këtë ngjarje makabre, psikologia Valbona Treska është shprehur gjatë emisionit se familja e vajzës ka shumë problematika të trashëguara brez pas brezi dhe fëmijët janë deformuar psikologjikisht gjatë rritjes së tyre.
“Në momentin që kemi një familje që ka kaq shumë problematika të mbledhura në vite dhe brez pas brezi, bëhet fjalë për një famije që në momente të caktuara ka pasur nevojë për ndihmë. Që në 1993 fëmijët janë mbajtur me forcë nga babi që të mos kenë kontakte me të ëmën. Flasim për katër fëmijë që janë të deformuar në rritjen dhe zhvillimin e tyre për aq kohë sa i është shkëputur kontakti me nënë. Janë momente të historisë së një individi që janë shumë të rëndësishme dhe vendosin vraga në personalitetin e individit. Këto janë momente që duhet të ndërhyjë shërbimi social, psikologu, punonjësi social i bashkisë etj”, është shprehur Valbona Treska. /tvklan.al