#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Emisioni politik më i ndjekur dhe më i preferuar në ekranet shqiptare. “Opinion” vjen në katër takime çdo javë – e hënë, e martë, e mërkurë dhe takimi tradicional i të enjtes mbrëma.

Partia Demokratike dhe opozita shqiptare kanë bllokuar 6 nga akset kryesore. Protesta ka zgjatur rreth 3 orë. Siç ishte paralajmëruar, protesta ka zgjatur pothuajse deri në orën 8 e në disa zona pak më vonë. Kryqëzimi i Milotit, kthesa e Kamzës, rrethrrotullimi i Bradasheshit, rrethrrotullimi i Rrogozhinës dhe rrethrrotullimi i Levanit ishin 6 pikat kryesore ku mbështetësit e opozitës ekzekutuan aktin tjetër të asaj që e kanë quajtur mosbindje civile ose një seri protestash që priten të vijojnë edhe në vazhdim. Çfarë po ndodh me opozitën? Cilat do të jenë hapat e mëtejshme? Çfarë solli dhe sa efikase janë këto veprime të saj?

Analisti: Më vjen keq që PD po vepron si subjekt shumë i vogël

Për analistin Fitim Zekthi, protesta e sotme e opozitës nuk i shërben kërkesës politike për krijimin e qeverisë teknike. Në studion e “Opinion” në Tv Klan, ai theksoi se Partia Demokratike e ka zbritur veprimin e saj në gjëra shumë të vogla.


“Kërkesa për qeveri teknike është jashtëzakonisht politike, shumë e fortë! Nuk mundet kjo kërkesë të realizohet duke bërë akte të bllokimit të rrugëve. Protesta ishte shumë e mirë, paqësore, e lavdërueshme…Por do kishte kuptim si protestë po të bëhej si në botë, nga bujqit, ambientalistët… Historia politike e botës tregon që këto protesta zhvillohen nga grupe që janë pakicë në shoqëri që kërkojnë të sensibilizojnë pjesën tjetër. Mua më vjen keq që Partia Demokratike po e zbret veprimin e vet politik të rezistencës paqësore në gjëra të vogla. Po vepron si subjekt shumë i vogël. Bllokimi i rrugëve bëhet kollaj. Kërkesa si rrëzimi i qeverisë bëhet me protesta masive paqësore”, u shpreh Zekthi.

Hapja e PD ndaj të rinjve, Floriana Garo: S’isha pjesë e politikës, hyra në një kohë të vështirë

Ndryshe nga mendimi i Blendi Fevziut se Partia Demokratike nuk është e hapur, Alba Kepi dhe Floriana Garo mendojnë ndryshe. Kepi argumentoi në emisionin “Opinion”  në Tv Klan se ajo si anëtare e këshillit bashkiak është zgjedhur nga shoqëria civile. Sipas saj, elita e PD është një tjetër histori.

Garo gjithashtu shtoi se edhe ajo është hyrje e re në kryesinë e PD në një periudhë të vështirë. Sipas zëdhënëses së partisë, të rinjtë duhet të tregojnë se cili është momenti kur do të vendosin të bëhen pjesë.


Alba Kepi: Nuk jam dakord me narrativn që PD nuk po hapet. Zgjedhjet e 2023-shit treguan se kandidatës e këshillit bashkiak mes të cilëve jam edhe unë, u zgjodhën nga shoqëria civile, nuk ishin njerëz të strukturave, nuk ishin njerëz të departamenteve dhe nuk jam dakord se i kam dëgjuar disa herë në studio që nuk hapet, nuk hapet. Në qoftë se i referoheni elitës së Partisë Demokratike apo Kryesisë, aty është një çështje tjetër. Për sa i takon përpjekjeve…

Blendi Fevziu: Patjetër, kush është partia? Anëtarët e këshillit bashkiak po më pyete mua, ty vetëm të njoh, s’njoh asnjë, por fytyrat e kryesisë janë përditë në televizor dhe janë në kontakt. Ata e ndërtojnë imazhin.

Floriana Garo: Unë jam e re në kryesinë e partisë Demokratike. Nuk kam qenë e përfshirë më përpara në politikë, kam ardhur në vitin 2021 dhe sigurisht që erdha në një kohë të vështirë për Partinë Demokratike dhe aty tregohet, pra këto fytyra të reja do të vijnë në kohë të lehta dhe të bukura apo do të vijnë në kohë të vështira.

/tvklan.al