#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan
Të ftuar: Suela Koçibellinj, Dom Mark Pashkja, Elida Halilaj, Altin Hazizaj, Gazment Teqja
Martesat brenda së njëjtës gjini për disa vende janë tw rralla por për disa të tjera janë tw papranueshme. Alba Ahmetaj dhe Edlira Mara para disa ditësh kurorëzuan në tarracën e Bashkisë së Tiranës dashurinë e tyre prej 14 vitesh. Duke qenë se në shtetin tonë martesa brenda së njëjtës gjini është e paligjshme kjo pasoi debate dhe reagime të shumta nga komunitetet fetare. Martesa e dy vajzave shqiptare tërhoqi vëmendjen e opinionit publik në vendin tonë por jo vetëm. Shumë agjenci prestigjioze mediatike iu kushtuan artikuj dhe reportazhe të shumta martesës të cilësuar si të pazakontë në shoqërinë tonë. Kjo temë është në fokus të diskutimeve këtë të mërkurë në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan.
“Ishte dashuri me shikim të parë”, Edlira dhe Alba rrëfejnë historinë e tyre në “Opinion”
Edhe pse ligji shqiptar nuk i njeh martesat e së njëjtës gjini, Edlira dhe Alba “kurorëzuan” dashurinë me një ceremoni në tarracën e bashkisë së Tiranës. Të dyja me fustan nusërie, kishin marrë dy pastorë nga Anglia për të lidhur martesën e tyre.
Në një intervistë për Blendi Fevziun në “Opinion”, ato rrëfejnë historinë e tyre, që nga momentet kur detyroheshin të frekuentoheshin fshehurazi e deri te dita që zgjodhën të mos gënjejnë më dhe të përballen me çdo lloj mendimi.
“Ishte dashuri me shikim të parë!”, kështu shprehen vajzat për 19 Marsin e 2010-ës, kur u njohën në një pub.
Alba thekson se vështirësitë kanë ardhur gradualisht, por paragjykimi i vërtetë nisi kur ato dolën hapur. “Kemi hasur më shumë urrejtje online. Mallkime, kërcënime…”, u shpreh ajo.
Po familjarët si e pritën raportin e tyre?
Alba: Ka qenë dhe vazhdon të jetë e vështirë për ta.
Kur pyeten se pse vendosën të lidhin martesë, ato përgjigjen: Sepse duhemi!
Alba: Kur dola hapur, ishte rilindja ime! Sepse nuk të duhet të gënjesh më.
Edlira: Jam tironse e vjetër, paguaj taksa në këtë vend.
Alba: Askush nuk tha se ne po lidhemi ligjërisht, ne nuk shkuam te zyrat e bashkisë, por te tarraca që është për evente të tilla.
Të pranishme në martesën e tyre simbolike ishin dhe dy vajzat 3 vjeçare, binjaket që kanë ardhur në jetë me metodën invitro.
“Babai zëvendësohet me donator”, Dom Mark Pashkja kundër martesës së dy vajzave në Tiranë: Qesharake…
Celebrimi në martesë i dy vajzave në Tiranë ka shkaktuar debat në vendin tonë. Pikërisht për këtë çështje ishte edhe diskutimi në emisionin “Opinion” këtë të mërkurë. Dom Mark Pashkja, zëdhënës i Kishës Katolike Shqiptare, i ftuar në studio tha se kjo ceremoni fetare ishte “fake”. Ndër të tjera ai renditi disa abuzime që janë bërë. I parë është ligjor, i dyti identitar e fetar dhe i treti ndaj fëmijëve të vajzave.
“Abuzimi i tretë që unë nuk dua të flas është për ata fëmijët. Këta përdorin këto termat shoqëria nënave dhe donatori. Nëna është një, nuk ka asnjë në botë dy nëna. Mjafton të shohësh letërsinë, filozofinë. Nuk ka figurë më sublime se nëna. Një nënë ta zëvendësosh, ta bashkëndash këtë gjë që është identitare nuk kam koment. Pastaj gjëja tjetër, këta dy fëmijët këtu janë të abuzuarit më të mëdhenj se ne dhe gjithkush tjetër. Janë të marrë pa vetëdije, pa lirinë e tyre, për egon e një axhende të caktuar”, tha Dom Marku.
Sipas tij mungesa e figurës atërore në rritjen e tyre është një abuzim.
Blendi Fevziu: Të pyet fëmija ku është babi për shembull?
Dom Mark Pashkja: Hë ku është? Te donatori tha. Baba zëvendësohet me donator. Vetëm imagjino një skenë. Njëra prej këtyre dy vajzave kthehet nga shkolla ku të gjithë kanë takimin me prindër.
Blendi Fevziu: Dhe thonë të vijë babi në shkollë.
Dom Mark Pashkja: Cili është babi? Të thërrasin donatorin. Kjo është qesharake.
Pse zgjodhe një grua? Eda i përgjigjet shkurt Fevziut: Sepse e dua!
Edlira Mara dhe Alba Ahmetaj janë dy vajzat shqiptare të cilat duke kurorëzuar dashurinë e tyre 14-vjeçare, thyen tabu në vendin tonë. Një hap i rëndësishëm, por edhe i guximshëm njëkohësisht, që tenton të nxjerrë në pah virtytet e dashurisë.
Të vendosësh të zhvillosh ceremoninë martesore në tarracën e një institucioni shtetëror i cili e ka të ndaluar me ligj martesën brenda së njëjtës gjini, kërkon guxim dhe vendosmëri. Martesa të tilla konsiderohet të pazakonta, por edhe të papranueshme për shoqërinë tonë ballkanike.
Në studion e emisionit “Opinion” Edlira dhe Alba sollën historinë e tyre të dashurisë, vështirësitë që po kalojnë dhe se pse zgjodhën pikërisht të vazhdojnë jetën krah njëra-tjetrës.
Blendi Fevziu: Nëse unë të bëj pyetjen më tipike që besoj se e ke hasur në të gjitha rrjetet sociale, komentet dhe nga njerëzit e afërt që jam i sigurt, që ‘mbaruan burrat që u lidhe me një grua’. Si do të përgjigje?
Edlira Mara: Jo burra ka plot.
Blendi Fevziu: Pse zgjodhe një grua?
Edlira Mara: Sepse e dua!
Blendi Fevziu: Sepse e do!
Edlira Mara: Patjetër!
“Si bëjnë seks mo?!”, pyetja e Fevziut sikletos të ftuarit. Koçibellinj ‘meket’ së qeshuri
Martesa e dy vajzave në tarracën e bashkisë së Tiranës para ca ditësh, shkaktoi jo pak reagim në vendin tonë. Këtë të Mërkurë në në studion e “Opinion” të ftuarit folën për rastin, kultin e familjes apo mënyrën si shoqëria i trajton romancat mes dy gjinive të njëjta.
Në një moment, Blendi Fevziu shtroi pyetjen disi “të sikletshme” se si e kryejnë aktin seksual dy persona të së njëjtës gjini.
Altin Hazizaj: Unë nuk kam nevojë të martohem për ta jetuar një marrëdhënie. Në fund të fundit është ai akti që firmoset, për të ndarë ca përgjegjësi të përbashkëta. Të gjithë si qenie njerëzore kemi një orientim seksual.
-Blendi Fevziu: Po të së njëjtës gjini, si bëjnë seks mo?!
Altin Hazizaj: Po ç’të duhet ty mo, si të duan ta bëjnë… Është e drejta e tyre! Ti a ke bërë seks me veten tënde, 13 vjeç, kurdo që e ke bërë për herë të parë? Është shumë personale, si të jenë rehat. Më thuaj si e ke bërë me veten tënde…Hë pra tashi!
“Islamofob, kristianofob, injorant, ” pastori Akil Pano i përgjigjet ashpër Hazizajt. E paralajmëron se…
Edhe pse jo i pranishëm në studio, pastori Akil Pano ka vendosur t’i përgjigjet ashpër deklaratave të Altin Hazizajt në “Opinon” këtë të Mërkurë. Përmes një postimi në Facebook, Pano e cilëson Hazizajn “islamofob”, “kristianofob”, “injorant” e të “paedukatë”.
Ky reagim i ashpër erdhi pasi Hazizaj komentoi qëndrimin e përfaqësuesve fetarë ndaj martesave të së njëjtës gjini. Përkatësisht, për martesën simbolike të dy vajzave te tarraca e bashkisë Tiranë të Dielën.
“Për herë të parë po lexoj që islami politik, që do të thotë ai që ka nxitur terrorizmin anembanë botës se ai është islami politik. Islami që edhe sot e kësaj dite i shpie njerëzit në vrasje masive. E kudo, shiko Sirinë, shiko Afganistanin. Çfarë janë talebanët? A janë myslimanë talebanët? Ky është ekstremizëm i dhunshëm. Dhe çuditem si autoritetet përgjegjëse në Shqipëri nuk kanë reaguar. Pa diskutim kjo është axhendë fetare. Kjo kërkon padiskutim përfshirjen e autoriteteve politike. Shqipëria ka patur 200 luftëtarë në Siri. Ai është islami politik, dërgon fëmijën, e rrëmben gruan dhe fëmijën dhe e dërgon aty që të luftojë. Ky është islami politik për mua. Feja katolike dhe ortodokse duhet të jenë të kujdesshëm se me kë mund të bashkohen. Ky është ekstremizëm i dhunshëm fetar që fton partitë politike…”, deklaroi Hazizaj më herët.
Ndërkohë Pano ka paralajmëruar edhe kallëzim penal ndaj Hazizajt për “nxitje të urrejtjes fetare”.
Postimi i plotë i pastorit:
Altin Hazizaj tani live në emisionin Opinion disa herë në mënyrë të përsëritur sulmoi islamin në veçanti dhe fenë në terësi. Islamin në Shqipëri sapo e krahasoi me ekstremizmin islamik në Siri. Ky islamofob, kristianofob, injorant i paedukatë po diskriminon njerëzit e besimit, muslimanët, të krishterët, sepse bashkësitë fetare janë deklaruar kundër martesës homoseksuale në Shqipëri. Sot në drekë Altin Hazizaj zbuloi projektligjin e agjendës homoseksuale mbi identitetin gjinor në shqipëri, të drejtat e transgjinorëve, etj…Tani përdor gjuhë urrejtje ekstreme ndaj fesë!!! Ky është njeriu i vërtetë që drejton organizatën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve. Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi hap sytë dhe shënoje pak rastin Hazizaj sonte; në të kundërt do takohemi së shpejti në gjykatën e Tiranës ku do të jeni të dy të kallzuar: Hazizaj për nxitje të urrejtjes fetare ndërsa ti komisioner Gajda, për mospërmbushje të detyrës, anësi dhe keqpërdorim detyre. Miqësisht! Opinion TV Show
Martesa e dy lesbikeve, Altin Hazizaj “shpërthen” kundër KMSH-së: Islami shpie njerëzit në vrasje masive. Reagon Myftiu i Tiranës
Këtë të mërkurë në emisionin “Opinion” u diskutua në lidhje me martesat të së njëjtit seks. Debati zhvillohet pas martesës së dy vajzave në një ceremoni fetare në tarracën e Bashkisë së Tiranës. I ftuar në studion e emisionit “Opinion” ishte aktivisti Altin Hazizaj, i cili tha se feja po “përfiton politikisht në kurriz të komunitetit LGBT”. Hazizajt i ka bërë përshtypje reagimi i Komunitetit Mysliman Shqiptar në lidhje me këtë çështje duke theksuar në studio se ndjen rrezikun e ekstremizmit të dhunshëm nga kjo deklaratë e tyre. Sipas tij, islami politik edhe sot e kësaj dite i shpie njerëzit në vrasje masive duke bërë krahasime me Sirinë, Afganistanin dhe talebanët. Madje sipas tij edhe feja katolike e ortodokse duhet të distancohen nga “ekstremizmi i dhunshëm fetar”.
Altin Hazizaj: Për herë të parë po lexoj që islami politik, që do të thotë ai që ka nxitur terrorizmin anembanë botës se ai është islami politik. Islami që edhe sot e kësaj dite i shpie njerëzit në vrasje masive. E ke kudo, shiko Sirinë, shiko Afganistanin. Islam politik është ai. Çfarë janë talebanët? A janë myslimanë talebanët?
Blendi Fevziu: KMSH në Shqipëri është i nderuar, është komform gjithë ligjeve dhe rregullave.
Altin Hazizaj: Nuk po paragjykoj. Unë po them, të ta lexoj: “Ne këshillojmë dhe i bëjmë thirrje institucioneve të jenë të kujdesshëm ndaj ngjarjeve të tilla duke mos u profilizuar në drejtim të kundërt me pjesën dërrmuese të votuesve dhe taksapaguesve shqiptarë”. Ku e di Myftinia e Tiranës se çfarë mendojnë taksapaguesit shqiptarë? Taksapaguesit shqiptarë nuk janë një unison i tërë. Që do të thotë për herë të parë në Shqipëri ndjej rrezikun e ekstremizmit të dhunshëm. Ky është ekstremizëm i dhunshëm. Dhe çuditem si autoritetet përgjegjëse në Shqipëri nuk kanë reaguar. Pa diskutim kjo është axhendë fetare. Kjo çfarë bën i thotë të gjithë partive politike në Shqipëri, kujdes dhe e kanë vendosur qartë fjalën “të jenë të kujdesshëm” dhe nuk e kanë përdorur kot edhe “votuesit” edhe “taksapaguesit”. Ky është diskurs politik. Unë si Altin nëse ka një reagim që e shikoj të rrezikshëm, që i shtyn njerëzit tashmë drejt ekstremizmit është ky reagim. Kjo kërkon padiskutim përfshirjen e autoriteteve politike. Shqipëria ka patur 200 luftëtarë në Siri. Ai është islami politik, dërgon fëmijën, e rrëmben gruan dhe fëmijën dhe e dërgon aty që të luftojë. Ky është islami politik për mua. Feja katolike dhe ortodokse duhet të jenë të kujdesshëm se me kë mund të bashkohen. Ky është ekstremizëm i dhunshëm fetar që fton partitë politike.
Deklaratat e fundit të Hazizajt që i bënte thirrje edhe feve të tjera sollën reagimin e Blendi Fevziut.
“Jo këtu nuk mund të fusësh sherr mes komuniteteve fetare. Ka një problem. Në brigadat e ISIS ka pasur më shumë britanikë dhe amerikanë sesa shqiptarë. Kjo nuk do të thotë se Britania dhe Amerika kanë islamizëm radikal”, tha ai.
Deklaratat e Hazizajt që e konsideronin reagimin e komunitetin mysliman si “axhendë politike” bëri që gazetari Fevziu të kërkonte një reagim edhe të Komunitetit Mysliman Shqiptar.
Për këtë çështje foli Mytiu i Tiranës, Gazment Teqja. Akuzat e Hazizajt, Teqja i hodhi poshtë duke u shprehur se pas martesës së dy vajzave “nuk duhet viktimizuar dikush duke akuzuar të tjerët se po ndjekin islam politik”.
“I qëndrojmë asaj deklarate që e kemi thënë dhe e kemi publikuar. Mendoj se kam përcjellë aty realitetin që jetojmë në Shqipëri dhe asgjë tjetër përveç kësaj. Se çfarë lidhje ka islami politik që thotë zoti Hazizaj me mbrojtjen e familjes, kjo nuk asnjë lloj lidhje. Unë kam 22 vjet që ushtroj aktivitetin fetar. E kam nisur si imam xhamie, predikues dhe kam rreth 22 vjet që predikoj. Edhe ne i kemi qëndruar edhe atyre sfidave të tjera që thotë zoti Hazizaj dhe kemi qenë kundër gjithmonë, jemi prononcuar edhe haptas edhe në publik, edhe në ligjërata brenda komunitetit tonë, qëndrimet tona dihen. Është gabim të përzihej kjo gjë në një moment të tillë, që një pjesë ose pjesa më e madhe nuk ndihen mirë nga ajo që ka ndodhur dhe tani të viktimizohet dikush duke akuzuar të tjerët se po ndjek islam politik që nuk ka lidhje domethënë. Komunitetet fetare në Shqipëri kanë qenë në harmoni dhe do vazhdojnë të jenë. Nuk besoj se çështje të tilla që ne i kemi të qarta në fe, mund të na ndajnë ne në këtë moment”, u shpreh Teqja.
/tvklan.al