Siguria e fëmijëve përballë rreziqeve të rrjeteve sociale ka bërë bashkë per herë të parë në Shqipëri, Autoritetin e Mediave Audiovizive, përfaqësues të TikTok dhe CRCA Albania. Në fokus të takimit është ndërgjegjësimi dhe edukimi dixhital për sigurinë e fëmijëve, por edhe grupeve të tjera të cënueshme nga teknologjia dhe denoncimin e rasteve abuzive.

Armela Krasniqi – kryetare e AMA: AMA ka nisur bashkëpunimin me TikTok për të gjitha përmbajtjet e dëmshme, të cilat gjenden në këtë platformë, por po ashtu edhe për piraterinë. Janë hequr qindra video të dëmshme nga kjo platformë, por po ashtu qindra video sa i takon piraterisë.

Altin Hazizaj – kreu i CRCA/ECPAT Albania: Nuk po merremi thjesht me ato që mund të quhen ankesa, por kemi një program që trajton të gjitha aspektet e mësimit dixhital, aftësimit dixhital dhe padiskutim edhe çështjet e sigurisë.

Objektivi i përgjithshëm i Axhendës Dixhitale për Ballkanin Perëndimor të TikTok është të mbështesë zhvillimin e aftësive dixhitale dhe të sigurisë në gjashtë vende: Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni e Veriut dhe Serbi.

Lukas Gabler – menaxher i Politikave Publike dhe Marrëdhënieve me Qeverinë CEE, TikTok: Siguria është prioritet për TikTok, po ashtu investimi për njerëzit dhe teknologjinë mbetet thelbësore në mënyrë që përdoruesit tani të jenë të sigurt dhe të përgjegjëshëm në internet.

Prej muajit Gusht, AMA ka vendosur bashkëpunim me platformën TikTok, duke pasur si objektiv rregullimin e Platformave të Shpërndarjes së Videove. Për këtë arsye është krijuar një link ku qytetarët mund të raportojnë përmbajtjet e publikuara në platformën TikTok, që ata i gjykojnë të dëmshme. Deri tani numërohen me qindra përmbajtje të bllokuara për pirateri dhe për përmbajtje të dëmshme.

Tv Klan