“Shteti shqiptar ka kontributin e vet për Xhaminë e Namazgjasë sepse një pjesë të pronës e ka shpronësuar rreth 10 mln Euro. Nuk plotësohej me tokën që kishim ne”, ka qenë kjo deklarata që ka bërë myftiu i Tiranës, Gazment Teqja në “Opinion” në Tv Klan.
Nuk ka vonuar shumë dhe ish-pronarët e tokës ku është ndërtuar xhamia kanë reaguar në emision, mesazh të cilin e ka lexuar “live” gazetari Blendi Fevziu. Alban Bala, i cili ka dërguar mesazhin thotë së është trashëgimtar i familjes për tokën ku sot është e ndërtuar Xhamia e Namazgjasë.
Në emër të familjes Kruja, Bala shprehet se kjo tokë është marrë pa hallall pasi shton se nuk janë dëmshpërblyer nga shteti për ndërtimin e xhamisë. Më tej, ai thotë se “namazi në këtë xhami nuk meriton emrin e adhurimit përsa kohë mbi atë vend rëndon ofshama e dhimshme e padrejtësisë”.
Blendi Fevziu: Vetëm një sekondë sepse kam një mesazh. Familja Kruja për përgjigje të asaj që tha myftiu i Tiranës thotë që toka nuk është dëmshpërblyer nga shteti. Thotë “toka na është grabitur”. Alban Bala, poet, trashëgimtar i familjes thotë: Toka e marrë pa hallall e kësaj ndërtese e bën atë një objekt kulturor, por jo një xhami. Logjika e ‘tokës së xanun’ nuk ndërton as moral, as fe dhe as shoqëri etike, nuk besoj se namazi në këtë xhami meriton emrin e adhurimit përsa kohë mbi atë vend rëndon ofshama e dhimbshme e padrejtësisë. 3 breza njerëzish janë përballë kujtdo që guxon të përligj një vjedhje. Me keqardhjen më të thellë për krejt pandjeshmëritë e një bashkësie fetare në 10 vite! Familja Kruja.
/tvklan.al