Të ftuar:

Blendi Klosi – Ministri i Turizmit dhe Mjedisit

Dritan Leli – Kryetar i Bashkisë Vlorë

Jamarbër Malltezi – Departamenti i Mjedisit në PD

Artan Hoxha – Analist

Mentor Kikia – Gazetar

Isa Sakja – Kryetar i Bashkisë Kavajë

Në lidhje të drejtpërdrejtë: Etleva Fetahu – Manaxhere produkti “Globus Travel”

 

Të udhëtosh me avion nga Shqipëria drejt Europës, të kushton jo vetëm shumë më shtrenjtë se nga Maqedonia, apo Mali i Zi, por edhe alternativat janë më të pakta.

Emisioni ‘Opinion’ në TV Klan, të mërkurën në darkë, publikoi një tabelë me çmimet përkatëse të udhëtimeve nga

Shqipëria, drejt destinacioneve të ndryshme në Europë.

Siç duket, çmimet e udhëtimeve nga Shqipëria, janë dukshëm të larta nga vendet e tjera fqinje si Maqedonia dhe Kosova.

Lidhur me këtë, ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi u shpreh në ‘Opinion’ se çmimet e larta të udhëtimeve nga vendi ynë lidhen me aeroportin, ku fatmirësisht qeveria arriti t’a zgjidhi duke i hequr ekskluzivitetin ish-kompanisë e cila sillte edhe shtrenjtim të paketave turistike.

Aksioni i pastrimit të ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit u shtri në disa plazhe dhe jo vetëm, ku janë përfshirë 22 mijë vullnetarë për pastrimin e disa zonave të ndryshme në vend.

Ministri Klosi tha në ‘Opinion’ se ndërmorëm një aksion 6 muajor për të pastruar Shqipërinë, pavarësisht se ky është një problem që i takon pushtetit lokal, qeveria është përpjekur për të ndërmarrë një aksion vullnetar dhe janë pastruar shumë zona të vendit.

Jamarbër Malltezi është shprehur të mërkurën se në Shqipëri edhe pse kanë kaluar tre vite ende nuk ekziston asnjë standardizim ndërkombëtar në lidhje me plazhet dhe mjedisin në vend.

Duke iu rikthyer një ngjarje të vitit të kaluar, Malltezi pyet në studion e emisionit ‘Opinion’ se kush e ndoti vijën bregdetare të plazhit të Ksamilit dhe Sarandës?

Ai tha se në lidhje me këtë krim mjedisor, jo vetëm që nuk mban askush përgjegjësi, por Drejtori i Ujësjellës Kanalizimeve Sarandë vijon duke u tallur me të gjithë publikun, duke thënë se i kam hequr qytetit prej tre ditësh ujin dhe askush nuk u ankua.

Kavaja është qyteti shqiptar që ka numrin më të lartë të turistëve të huaj në vend. Këtë e pohoi kryebashkiaku i Kavajës Isa Sakja dhe ministrit i Turizmit Blendi Klosi mbrëmjen e kësaj të mërkure në emisionin ‘Opinion.

Norvegjezë, suedezë, cek, polak dhe boshnjak, janë turistët që vizitojnë më së shumti Kavajën.

Autobuzat turistik nuk lejohen të qarkullojnë në afërsi të qendrës së kryeqytetit, ndërsa moshat e treta detyrohen të udhëtojnë në këmbë për të realizuar turin e tyre turistik.

Këtë problemtatikë e ngriti në emisionin ‘Opinion’ në TV Klan, analisti Artan Hoxha, i cili theksoi se mosha e tretë detyrohet të qarkullojë në këmbë në dëstinacione të ndryshme turistike në Tiranë.

Mirëpo, nuk ka vonuar edhe reagimi i Bashkisë së Tiranës, ku dhe përgënjeshtroi deklaratën e Hoxhës.

Përmes një mesazhi dërguar në numrin e drejtuesit të ‘Opinion’, gazetarit Blendi Fevziu, nënkryetari Mazniku deklaroi se autobuzët turistik kanë të drejtën të qarkullojnë pranë qendrës dhe një hapësirë e parkingut është projektuar për ata autobuzë.