Komisioni Parlamentar për Çështjet Ligjore, shqyrtoi nismën e Sekretarit të Përgjithshëm socialist Blendi Klosi për zgjatjen me 2 vite të afatin të përfitimit të statusit special për entitetet që operojnë në struktura akomoduese “hotel/resort me katër dhe pesë yje”.
Nga socialistët kanë abstenuar deputetët Petro Koçi dhe Pandeli Majko ndërsa opozita ishte kundër.
“Ngaqë s’kishte asnjë brend Shqipëria në 2019-tën, sot ka 11 në status special dhe 11 të tjerë që janë bashkangjitur kësaj konkurrence. Pra sot në Shqipëri ka 22 struktura të cilat janë funksionale dhe do të jenë funksionale dhe në vazhdim”, tha Blendi Klosi.
Në vitin 2019 Klosi propozoi si Ministër i Turizmit dhe Mjedisit përjashtimin nga tatimi mbi të ardhurat korporative për këtë kategori që merrnin statusin special deri në fund të vitit 2024.
“Investimi është po i njëjti. Brendi lehtësohet me këto lehtësira. Të ardhurat publike, 450 milionë Euro janë vetëm nga këto 11 projektet 100 janë të investuara”, shtoi më tej Klosi.
Deputetja e Partisë Demokratik Dhurata Çupi tha se ligji është me efekt të pastër elektoral.
“Unë ju kërkoj ta tërhiqni këtë projektligj, ta sjelli qeveria, ta studiojë qeveria, mos i përdorni më muajit e fundit për zgjedhjeve për tu futur në listat e mbyllura apo në listat e pëlqyeshmërisë së Edi Ramës”, tha Çupi.
“S’besoj se e kam bërë për tu futur në lista. Po vi, jo si për atë që tha si i detyruar, por vij krenar që kur kam qenë në detyrën e ministrit kam pasur mundësinë ta hartoja këtë politikë. E kam rifirmosur këtë politikë edhe mund të them dhe nga shumë vite eksperiencë në ekzekutiv dhe nga dhjetra firma që kam vënë është një nga ato firma që realisht ka prodhuar rezultat dhe një politikë konkrete edhe rezultate konkrete”, tha Klosi.
Po ashtu, Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese miratoi shtyrjen e afatit për marrjen e statusit investitor strategjik deri më 31 Dhjetor 2026.
Në të gjithë vendin numërohen 8 investime strategjike, në vlerë absolute zënë 70 % e vlerës së investimeve të huaja në vend.
Nga viti 2016 e deri tani janë trajtuar 108 projekte investimi, prej të cilave 48 kanë përfituar status strategjik 30 projekte janë refuzuar 31 projekte janë në fazë vlerësimi.
Klan News