Emisioni politik më i ndjekur dhe më i preferuar në ekranet shqiptare. “Opinion” vjen në katër takime çdo javë – e hënë, e martë, e mërkurë dhe takimi tradicional i të enjtes mbrëma.

Çështja Veliaj ka mbajtur sërish mbërthyer vëmendjen mediatike, madje zgjimin mediatik të shqiptarëve e ka bërë sot kryeministri Rama në një transmetim të drejtpërdrejtë që ka shprehur në njëfarë mënyre qëndrimin e tij lidhur me çështjen Veliaj. Ka një ndryshim krejtësisht në kursin e Ramës në raport me SPAK-un, por edhe me çështjen Veliaj, edhe pse paraprakisht ai kishte garantuar një lloj mbrojtjeje për  Veliajn. Qëndrimi i tij ka qenë më i prerë, më i drejtpërdrejtë. Ai ka folur herët në mëngjes, madje duke pasur një incident të vogël ku ishte online në Instagram, por kuptoi se i kishte rënë Facebook, një  moment që u bë viral por që më pas ai vetë e komentoi duke thënë që është pasionant. Ai ka folur dy herë të tjera sërish për çështjen Veliaj. Dy herë, paradite e pasdite ka vizituar bashkinë e Tiranës për të parë mbarëvajtjen e punëve. Tirana ka thuajse 42% të votuesve të të gjithë Shqipërisë. Burgosja e kreut të bashkisë së Tiranës që ishte edhe drejtuesi real i fushatës në Tiranë mund të ketë mjaft probleme  për Ramën. Pikëpyetja e dytë është a do të ndikojë politikisht burgosja e Veliajt në zgjedhjet e 11 majit? Sot ka qarkulluar dosja që ka çuar Prokuroria e Posaçme për të  marrë masën e arrestit për Veliajn, bashkëshorten e tij dhe një numër biznesmenësh.

“Prerjet 500 Euroshe të mykura”, Daci jep detaje nga dëshmia e ekonomistes së Ajola Xoxës

Gazetarja Glidona Daci shprehet se në deklarimet e dhëna para prokurorëve të SPAK, ekonomistja e Ajola Xoxës thotë se herë pas here kishte vështirësi me prerjet 500 Euroshe sepse ishin të mykura ose shumë të përdoruara.

E ftuar në emisionin “Opinion”, gazetarja Daci ka ndarë dhe detaje të tjera lidhur me dosjen hetimore që solli arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe “arrestin në shtëpi” për bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa.


Glidona Daci: Sipas SPAK, sponsorizimet që bënin biznesmenët përkonin me kohën kur ata kishin aplikuar për të merrë leje ndërtimi në Bashkinë e Tiranës. Dyshohen sipas SPAK se sponsorizimet shkonin për shpenzime personale. Lëvronin nëpër kompani të ndryshme. Kemi biznesmenin Gentian Sula që ka pretenduar se paratë ia ka dhënë si një hua Ajola Xoxës për një blerje apartamenti.

Ndërkohë, një detaj interesant që lidhet me transaksionet, ose me ato para që janë gjetur, përveç faktit që janë prerje 500 Euroshe, në një moment në deklarimet e dhëna para prokurorëve të SPAK, ekonomistja e Xoxës thotë se “herë pas here kisha vështirësi me prerjet 500 Euroshe sepse ose ishin të mykura, ose shumë të përdoruara dhe të vështira për t’u konvertuar në para kesh kur duhet të bëja pagesa”.

Blendi Fevziu: Të mykura 500 Euro?

Glidona Daci: Të paktën ky është pretendimi i Adela Kondakçiut para prokurorëve të SPAK-ut. Theksohet dhe një tjetër detaj se pjesa më e madhe e pagesave bëhej me para kesh, por faturat tatimore ose deklarimet, bëheshin në vlera monetare duke lëshuar fatura fiktive.

Akuza ndaj Ajola Xoxës për fshehjen e pasurisë, gazetari: Kompanitë e saj, rrjet merimangash për të qarkulluar paratë

Gazetari Bledian Koka shprehet në emisionin “Opinion” në Tv Klan se bashkëshortja e kryebashkiakut të Tiranës, Ajola Xoxa e cila që prej ditës së djeshme ndodhet nën masën e sigurisë arrest shtëpie, se fshehja e pasurisë është kryer përmes një rrjeti OJF-sh të ndryshme nën drejtimin e saj.

Në detajet që ai ndan nga dosja e SPAK, kompanitë që kanë bërë sponsorizime i kanë kryer pikërisht në momentin kur zhvilloheshin aktivitete. Këto sponsorizime shkonin te rrjeti i organizatave (Koka  numëron rreth 10 prej tyre) që qarkullonin paratë.

Në tre vjet, janë përfituar 1.1 milion euro. Konflikti i interesit, shpjegon Koka, vjen prej faktit se ka qenë kryebashkiaku Veliaj ai që ka firmosur shuma për çdo aktivitet të bashkëshortes së tij.


Bledian Koka: Në tre vjet, kompanitë e themeluara nga Ajola Xoxa kanë grumbulluar rreth 650 mijë euro.

Blendi Fevziu: Sa prej tyre kanë përdorur për aktivitete?

Bledian Koka: Disa prej aktiviteteve janë bërë, shumica e aktiviteteve janë bërë, por problemi këtu qëndron pra sepse ishin pikërisht këto kompani që edhe pse s’kishin fare lidhje me artin, me kulturën,  me aktivitetin që zhvillonte znj. Xoxa, duket që në vlerësimet e SPAK-ut pagesat bëheshin pikërisht në kohën kur merrnin përfitime, po themi meqenëse kompania Fusha meqë tani është kompani publike, merrte 25  milionë euro për të sistemuar sheshin, sponsorizonte nja 50 mijë euro aktivitetet e znj. Xoxa. Jemi në rastet e konfliktit të interesit, të paktën siç e kam lexuar unë deri më tani dosjen.

Blendi Fevziu: Sponsorizimi në vetvete njihet, por e bënin me kesh apo me fatura?

Bledian Koka: E bënin me fatura, por problemi është që znj. Xoxa është nën akuzën e fshehjes së pasurisë sepse e gjithë kjo pasuri ose gjithë këto sponsorizime shkonin tek Harabeli që është një OJF dhe për ligj,  nuk duhet të dalë me fitime. Nga përgjimet që kanë mes financierëve dhe drejtuesve ligjorë të kompanisë, është pikërisht ky shqetësimi dhe madje edhe ia thonë znj. Xoxa në një moment përmes sms-ve që kemi lexuar që shiko se nuk duhet të dalim me fitim se jemi OJF, kështu që çfarë duhet të bëjmë?  Aty nis një ndërveprim mes Harabelit që është kompania që merret me aktivitetin e artit të znj. Xoxa  dhe Partner & Law që është kompania ligjore e znj. Xoxa, janë të dyja në të njëjtën ndërtesë. Është një rrjet merimangash i ideuar  deri në këto momente nga znj. Xoxa që ka nisur kryesisht nga viti 2018 dhe ka vijuar deri më 2021 me të paktën mbi 10 organizata të ndryshme që po i përmend thjesht për statistikë, Harabel, Parner & Law, Ava Studio, OJF Byla, Muza, këtë  e krijonin kushërinjtë, Botimet Enciklopedike që është kompania e nënës e cila çuditërisht ajo s’e ka përdorur kurrrë gjatë gjithë aktivitetit,  pavarësisht se e ëma figuron në disa momente, është treguar shumë e  kujdesshme për të mos e përfshirë të ëmën,   tregon një lloj sensitiviteti, kemi  më pas Art Labin që është sërish një aktivitet nga kushërinjtë e Ajola Xoxës, Naan Gallery një tjetër aktivitet, pjesë e këtij aktivitieti, qendra Eventus dhe OJF Frobulus. Pra  janë një seri aktivitetesh, OJFSH, organizatash që janë nga e njëjta zyrë, derivojnë dhe  kontrollohen nga Ajola Xoxa  dhe të cilat kanë bërë qarkullimin e gjithë këtyre parave që vinin  në formën e sponsorizimit,  por në dyshimet e bazuara dhe të arsyetuara siç thotë organi i akuzës, janë pikërisht trafiku i influencës mes znj.  Xoxa dhe z. Veliaj. Konflikti i interesit, këto kompani që përmenden të znj. Xoxa kanë përfituar nga z. Veliaj, nga kryetari i bashkisë së Tiranës, pra gruaja me OJF dhe bashkëshorti kryetar i bashkisë ka fituar rreth 1.1 milion euro në tre vite. Me sponsorizime, por këto ishin kompani të znj. Xoxa. Z. Veliaj firmoste nga 30, 40 mijë euro për çdo aktivitet që shkonin nga burri te gruaja.

“E interesuar edhe Bushka”, gazetarja shpjegon rolin e deputetes në çështjen “Veliaj” referuar SPAK

Deputetja socialiste, Klotilda Bushka është vënë në hetim për pengim të hetimeve ndaj Erion Veliajt dhe Ajola Xoxës, por cili ishte roli i saj në këtë dosje sipas Prokurorisë së Posaçme? E ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, gazetarja Glidona Daci ka dhënë detaje lidhur me rolin e Bushkës referuar dosjes hetimore të SPAK.


Glidona Daci: Nga deklarimet e disa personave kyç, janë thirrur paraprakisht nga Xoxa dhe persona të tjerë dhe janë mësuar për mënyrën si duhet të dëshmojnë në SPAK dhe kjo ka nisur kur ka dalë lajmi publik për regjistrimin e procedimit penal për hetim pasuror të Erion Veliajt.

Blendi Fevziu: Nga leximi i dosjes, aty referohet një bisedë e deputetes Klotilda Bushka me një nga personat e punësuar që rezulton të jetë bërë në një zyrë vetëm për vetëm. Tani, dalja e kësaj bisede, janë dëshmi të personit tjetër apo është përgjim ambiental?

Glidona Daci: Zonjës në fjalë që ka dhënë këto deklarime, i është marrë celulari nga ana e Xoxës dhe i është kontrolluar për të parë komunikimet që kishte me financieren e Ajola Xoxës dhe i është bërë ndryshimi i aparatit celular nga Samsung A35, i është dhënë një Iphone 12. Këtu ka qenë e interesuar dhe Klotilda Bushka, për shkak se ka pasur lidhje me këtë kompaninë, nga e cila ka përfituar dhe disa projekte.  

Blendi Fevziu: SPAK, a i referohet një bisede të drejtpërdrejtë?  

Glidona Daci: Është deklarimi i Ina Goxhajt, nuk është përgjim. Janë marrë kamerat e sigurisë për të verifikuar takimin.

Zylyftar Bregu për arrestimin e Veliajt: Ky hetim pasuror i këtij lloji është i pari në Shqipëri

Mbrëmjen e sotme në studion e “Opinionit” Pedagogu Zylyftar Bregu tha se ky hetim pasuror që po i bëhet kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliajt dhe bashkëshortes së tij ndodh për herë të parë në Shqipëri.

Ai thotë se dosja në themel është më shumë se 1200 faqe, pasi vetëm rreth 400 faqe janë fakte dhe prova për masën e sigurimit.


Zylyftar Bregu: Ky ëshhtë një hetim pasuror, i pari i këtij lloji në Shqipëri, që po ta vësh re me kujdes…

Blendi Fevziu: Ahmetaj…

Zylyftar Bregu: Jo, jo, nuk është i këtij lloji. Fillimi i këtij procedimi penal është hetim pasuror. Pra prokurorët kanë ndjekur paranë. Dhe e kanë nisur hetimin për…

Blendi Fevziu: Pikërisht për këtë sulmoi Rama se tha nuk është një korrupsion, por është një gjueti duke ndjekur paranë

Zylyftar Bregu: Nuk është korrupsion akuza fillestare, kanë qenë hetim pasuror, i cili kanë mbërritur në korrupsion dhe pastrim parash për kryetarin e bashkisë së Tiranës. Duhet të shikoni me vëmendjen që vetëm vendimi i gjykatës për masën e sigurimit është rreth 400 faqe si asnjëherë më parë pra ka detaje, ka fakte dhe dosja për masën e sigurisë të lënë të kuptosh që dosja në themel është më shumë se 1200 faqe. Sepse në dosjen e masës së sigurimit…

Blendi Fevziu: Kjo 360 faqe që lexova unë është…

Zylyftar Bregu: Është vetëm masë e sigurisë. Janë vetëm faktet, provat për të dhënë masën e sigurisë.

Ajo që kryeminstri e fsheh ose i bashkohet është presioni që po bëhet për SPAK-un. Dhe ju, ju…

Blendi Fevziu: Kam disa pika në fakt që janë për t’u… E para fare është çështja e përballjes së të Ramës, pakënaqësia e parë e Ramës ndaj SPAK-ut. Është reagimi i Veliajt për prokurorin e çështjes që ai duket se e ka fokusuar

Zylyftar Bregu: Keni kryetaren e Komisionit të Ligjeve që është një figurë…

Blendi Fevziu: E kam, e kam Klotilda Bushkën.

/tvklan.al