Intervistë me Skerdi Faria

Skerdi Faria sot CEO i KEIT Day Hospital, ishte një student, i cili në vitet e studimit për arsye të të ardhurave të vogla shiste vaj makinash dhe filtra në rrugën që lidhte Tiranën me Durrësin, në zonën e Laprakës.

Pas këtyre viteve studimi të vështira, diplomimit si mjek është rikthyer në Shqipëri me një investim të madh, i cili është ekzaktësisht në atë vend ku ai 30 vjet më parë shiste vajin e makinave.

Një investim i madh, një spital i cili arrin deri në 300 operacione në muaj ku ndër më të kërkuarit përmendim rimodelimin e hundës, zmadhimin e gjoksit dhe për meshkuj mbjelljen e flokëve.

Historia në vetvete është tipike e atyre historive të emigracionit dhe të suksesit shqiptar në fillim të viteve 90’ e në vijim.


Operacionet në KEIT/ Skerdi Faria: Një kuzhinier e transformuam nga mashkull në femër, punon në televizion

Klinika private KEIT në Tiranë është tashmë e njohur prej shumë vitesh për operacionet të ndryshme estetike.

Drejtuesi i saj Skerdi Faria, në një intervistë për emisionin Opinion në Tv Klan, ka zbuluar edhe një rast ndoshta të padëgjuar në vendin tonë.

Ai tregoi se një kuzhinier që punon në një televizion italian, e kanë transformuar tërësisht nga mashkull në femër.

“Do të them një histori të një kuzhinieri, shefi kuzhine, që ka punuar dhe punon akoma në Rai 1, ka ardhur, nga mashkull është transformuar në femër tek ne. Është shefi i kuzhinës të emisionit të Rai 1 dhe ka shkruar dhe një libër ku ka përmendur edhe historinë e KEIT, më ka bërë një dedikim mua në këtë libër”, tha Skerdi Faria.

Ndër të tjera ai tregoi gjithashtu se në klinikën KEIT kryhen rreth 300 operacione estetike në muaj nga mjekë të huaj, teksa kërkesa më e madhe është ajo për rimodelim hunde.

“Kaq problem e kemi hundën ne”? Skerdi Faria i përgjigjet Fevziut: Vijnë edhe për zmadhim gjoksi

Skerdi Faria, CEO i klinikës private KEIT, në një intervistë për emisionin Opinion në Tv Klan, ka thënë se kjo klinikë kryen rreth 300 operacione estetike në muaj.

Për të kryer këto operacione, pjesa më e madhe e mjekëve janë të huaj.

Blendi Fevziu: Më the që bëni 300 operacione në muaj?

Skerdi Faria: Në muaj. Në dy sallat aktuale që kemi në katin e dytë, kemi edhe 12 shtretër. Kjo është një sallë e re.

Blendi Fevziu: Ju thatë që 50% janë të huaj, 50% janë shqiptarë. Përse një italian, britanik, një francez, duhet të vijë në Shqipëri kur niveli i shëndetësisë së tyre është dukshëm më superior se i joni?

Skerdi Faria: Nuk është më superior se sa niveli i KEIT. Ne ofrojmë një standard jashtëzakonisht të lartë të cilësisë së rezultateve të operacionit.

Blendi Fevziu: Duke sjellë dhe kirurg të huaj?

Skerdi Faria: Po, kemi mbi 30 kirurgë. 27 prej tyre janë italianë, 2 janë shqiptar dhe 1 egjiptian.

Blendi Fevziu: Çfarë kërkojnë pjesa më e madhe e klientëve?

Skerdi Faria: Është operacioni i hundës në radhë të parë. Zmadhimi i gjoksit, rimodelimi i barkut, reduktimi i gjoksit, ngritje e gjoksit etj.

“Në fakultet më vinte era qepë”, Skerdi Faria: Me paratë e fituara nga shitja e vajit të makinave krijova një “Bar-Restorant”

Skerdi Faria ishte një student, i cili në vitet e studimit për arsye të të ardhurave të pakta shiste vaj makinash dhe filtra në rrugën që lidhte Tiranën me Durrësin, në zonën e Laprakës.

Por jo vetëm, pasi Skerdi Faria gjatë viteve të studimeve ka shitur dhe lule plastike në murin e bordurës së Gjykatës së Lartë, verë tek Pazari i Ri dhe po ashtu ka krijuar një “Bar Restorant” të vogël, në të cilin punonte që në orën 5 të mëngjesit.

Pas këtyre viteve studimi të vështira, Skerdi Faria u rikthye në Shqipëri me një investim të madh, i cili është ekzaktësisht në atë vend ku ai 30 vjet më parë shiste vajin e makinave. Një investim i madh, një spital i cili arrin deri në 300 operacione në muaj.

Skerdi Faria: Këtu e kemi nisur nga vaj makinash. Ka qenë në fillim të viteve 90’. Edhe prindërit e mi kishin mbetur pa punë dhe kishin dalë në anë të rrugës në Ballsh dhe shisnin çokollata. Bënim garë me njëri-tjetrin se cili të shiste më shumë. Pastaj fillova duke marrë dhe vaj makinash nga magazinat e shtetit, këtu kishte dhe shumë të tjerë. Isha 20 vjeç.

Blendi Fevziu: Pra, ti ishte një lloj sipërmarrësi?

Skerdi Faria: Biznesi i parë ka qenë se kam pas shitur verë në Pazar të Ri disa ditë dhe pastaj tek bordura e murit të Gjykatës së Lartë kam shitur dhe lule plastike, edhe ky biznes funksionoi. Pas vajit të makinave, paratë që kisha fituar i investova në një dyqan të vogël fruta-perimesh të kohës së komunizimit, e mora me qira dhe krijova një Bar Restorant të vogël. Kam mbaruar me 9.5 Fakultetin e Mjekësisë.

Blendi Fevziu: Po si të dilte koha që të shkoje dhe në fakultet dhe të shisje vaj në rrugë dhe pastaj të hapje dhe restorant?

Skerdi Faria: As vetë nuk e di. Në 5 të mëngjesit çohesha gatuaja paçe, tasqebab e gjëra të tilla dhe në orën 8 shkoja në fakultet dhe vija erë mish dhe qepë dhe pas leksioneve me biçikletë bëja furnizime tek Pazari i Ri dhe në vende të tjera. Pasdite studioja dhe të nesërmen e njëjta gjë./tvklan.al