#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan
Emisioni politik më i ndjekur dhe më i preferuar në ekranet shqiptare. “Opinion” vjen në katër takime çdo javë – e hënë, e martë, e mërkurë dhe takimi tradicional i të enjtes mbrëma.
Të ftuar: Ornela Çuçi, Artan Hoxha, Preç Zogaj, Ivi Kaso
Zogaj: SPAK-u është fëmija i BE-së dhe SHBA-së
Preç Zogaj u shpreh në emisionin “Opinion” në Tv Klan se Sali Berisha e ka shndërruar çështjen ndaj tij “në një kriter të qëndrimit të opozitës për SPAK-un”.
Kjo për analistin është “anti-elektorale” dhe “anti-perëndimore”. Sipas Zogajt, SPAK është fëmija i SHBA-së e BE-së dhe ka mbështetje të madhe në publik.
“SPAK-u, i mirë i keq si e paraqesin këta është në rrugë të drejtë dhe e kam argumentuar. SPAK-u sot ka mbështetje të madhe në publik, rreth 70%. Është fëmija i Bashkimit Europian dhe i SHBA. Deputetët e Shqipërisë, Edi Rama, kanë ngritur dorën, kot i dalin zot se e kemi krijuar ne. Ata dorën e kanë ngritur se nuk mund të ngrihej pa e ngritur dorën këta”, tha Zogaj.
“Protesta si presion”, cili është ‘objektivi’ i vërtetë i Berishës përballë SPAK?
Sipas analistes Ornela Çuçi, kryedemokrati Sali Berisha ka një objektiv absolut në raport me procesin gjyqësor ndaj tij. Ai kërkon pafajësinë për çështjen e rrjedhimisht marrjen e pushtetit.
“Berisha nuk ka problem masën, objektivi i tij është pafajësia për çështjen, shpreson edhe për heqjen e non-gratës. Kjo derivon në marrjen e pushtetit”, tha Çuçi sonte në studion e “Opinion”.
Ajo komentoi dhe protestën që zhvillojnë mbështetësit e Berishës para SPAK.
“Bëhet për 5 minutëshin që do harxhojë Berisha dy herë në muaj?! Jo! Është presion për të marrë objektivin e vërtetë. Nga ana tjetër SPAK, pse po shtrëngon masat? Po e shohim në disa raste këtë. Ne shikojmë që zoti Beqja dhe gjithë grupi, dëgjojmë për herë të parë fjalën grup i strukturuar kriminal. Sistemi i drejtësisë funksionon si një i tërë dhe para disa kohësh e tha Dumani që po ka devijanca, ka ulje sysh në ndonjë cep, por i gjithë sistemi rritet në BKH, në gjykatë”, argumentoi analistja.
Kujtojmë se kryetari i PD-së u paraqit këtë të Hënë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme në kuadër të masës së sigurisë ndaj tij, lidhur me dosjen e ish-klubit sportiv “Partizani”. Seanca paraprake ndaj tij është shtyrë për në datën 20 Janar, ditë kur do të përcaktohet nëse dosja kalon për gjykim.
“Taos i kërkonin të spastronte kundërshtarët…”, Kaso flet për denoncimin e Berishës
Nga dera e SPAK, ku firmosi ditën e sotme detyrimin e paraqitjes, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha publikoi disa përgjime sipas të cilit, implikojnë ministrin për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla.
Sekretari për Ligjet dhe Çështjet Zgjedhore, Ivi Kaso, tha se komunikimi i publikuar nga Berisha ka rrjedhur nga dosjet e SPAK dhe ka ardhur në duart e kryedemokratit në mënyrë anonime. Ai sqaroi më tej edhe çfarë flitet në këtë përgjim.
“Materiali bënte fjalë për një komunikim të një personazhi politik me emrin Tao, me interesa politike në zonën e Elbasanit. Një personazh që identifikohej si Tao, pra presupozohej të jetë i drejtpërdrejtë, por me anë të kodit. Ka qenë material në platformat e koduara, i cili komunikonte me një personazh të botës së krimit në Elbasan, të cilët në radhë të parë i thonin që kishin një kërkesë të re kësaj radhe. Pra ka qenë një situatë status quo-je në të cilën ata i drejtoheshin personazhit me emrin Tao për të marrë tendera dhe favore publike dhe tani hiqnin dorë përkohësisht nga këto favore që kishin marrë deri në 2020 dhe i kërkonin një nder krejtësisht të ri. Pra t’u spastronte fushën nga kundërshtarët politikë që të përfundonin në burg. Një personazh me emrin Tao me interesa politike në zonën e Elbasanit, një personazh me fuqi për të futur kriminelë në burg, duke patur nën urdhrat e veta policinë, OFL-në, çfarë ka qenë atëherë, etj. dhe duke përfshirë prokurorinë, duke përfshirë dhe Prokurorinë e Posaçme, ndoshta segmente, duke përfshirë edhe gjykatën dhe mbasi ky personazhi Tao merr garanci nga personazhi i botës së krimit që në qoftë se i kryente këtë favor të ndryshëm nga ato që u kishte kryer deri atëherë, pra nga tenderat publikë që u kishte garantuar merr garanci që do i përkthehej në rezultat elektoral dhe do i përkthehej në vota”, tha Kaso.
Pyetjes së Fevziut nëse dyshimi i demokratëve është që personazhi i këtyre përgjimeve është Taulant Balla, Kaso i përgjigjet duke i kërkuar të shikohet se kush ka qenë personi që ka marrë më shumë vota jo vetëm në qarkun e Elbasanit në zgjedhjet e 2021.
Blendi Fevziu: Dyshimi juaj është që është Taulant Balla?
Ivi Kaso: Gjithë këto elemente që unë ua jap, personazh politik i fuqishëm i mazhorancës që identifikohet si Tao me interesa elektorale në zonën e Elbasanit, i fuqishëm mjaftueshëm për të patur nën urdhrat e veta jo vetëm bandat e Elbasanit, por edhe policinë, prokurorinë, segmente të gjykatës, i cili arrin që brenda 1 viti sikundër u kishte dhënë përgjigjen që këta personazhe brenda vitit do përfundojnë në burg dhe përsëri arriti t’i fusë në burg 1 muaj përpara zgjedhjeve të përgjithshme 2021 dhe një personazh i cili me shumë gjasa ose afërmendsh si i pëlqen SPAK ta thotë, kjo mbështetje i përkthehet në rezultat elektoral. Shihni kush ka marrë më shumë vota jo vetëm në qarkun e Elbasanit, por ndoshta nga të gjithë deputetët garues në zgjedhjet e 2021.
Diskutimet në “Opinion”, reagon Berisha: Sot ishte seria e parë e krimeve që fshihen!
Pasi u diskutua në “Opinion” për procesin gjyqësor ndaj tij, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha pati një reagim në rrjetin e tij social Facebook. Në shkrimin e tij, të cilin e lexoi edhe drejtuesi i emisionit Blendi Fevziu, ai vijon me akuzat ndaj SPAK dhe premton se do faktojë gjithçka për të cilën ka folur publikisht.
Sipas kryedemokratit, paraqitja e dokumenteve për Taulant Ballën sot në Prokurorinë e Posaçme është “seria e parë e krimeve që fshihen”.
“Duke ndjekur Opinionin. Avoketëve të narko-diktaturës më duhet të ju them se SKAP-i si instrument i narko-diktaturës është një organizatë kriminale e cila fsheh krime, bën pazare me kriminelë, vrasës, trafikantë manipulon dosje, dhe unë do ju faktoj shqiptarëve se çfarë përfaqëson Dumani dhe mercenarë të tjerë të partisë. Sot në përmbushje të detyrimeve publike paraqita dokumenta, bisedat që faktonin se Taulant Balla ju garantonte tendera dhe favore, dhe se fundi merrte përsipër arrestimin e kundërshtarëve të bandës së tij në garantim të votave. Kjo ishte vetëm seria e parë e krimeve që fsheh SKAP-i i narkodiktaturës”, thotë ai në reagimin e tij.
/tvklan.al