Emisioni politik më i ndjekur dhe më i preferuar në ekranet shqiptare. “Opinion” vjen në katër takime çdo javë – e hënë, e martë, e mërkurë dhe takimi tradicional i të enjtes mbrëma.

Kjo javë ka qenë e tensionuar për arsye të vendimit të SPAK për të arrestuar kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Sali Berisha vjen përballë dy gazetarëve. Emisioni fokusohet te 3 temat kryesore, ajo që ka ndodhur me Erion Veliajn, raporti që po ndërton SPAK me politikën shqiptare, fushata e PD që ka sjellë në Tiranë një nga strategët e fushatës së Trump. Çfarë po ndodh me Partinë Demokratike në prag të fushatës? Kush do të jenë koalicionet? A do të ketë koalicione me të gjitha partitë? Si do të përfshihen listat?

Të ftuar: Sali Berisha, Gerta Zaimi, Fatos Hakorja

“Rama e lëshoi plotësisht Veliajn të lante duart me të”, Berisha: Ja në cilin muaj priste arrestimin e tij

Për kryedemokratin Sali Berisha, arrestimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj është i vonuar. I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Berisha e cilëson Veliajn si një ndër hajdutët më të shpërfytyruar të vendit.

Më tej, kreu i demokratëve shprehet se sipas tij, Kryeministri Rama e kishte lëshuar Veliajn, por arrestimin e tij e priste nga muaji Dhjetor.

Sali Berisha: Arrestimi i Veliajt, kemi 44 javë që protestojmë tek Bashkia, arrestim i vonuar. Veliaj në historinë e këtij vendi, një ndër hajdutët më të shpërfytyruar. 130 mln Euro djegësi i Tiranës, nuk ekziston nam as nishan. Nuk u arrestua për djegësin sepse Arben Kraja, anëtar i organizatës kriminale, kishte të punësuar tek Erioni, edhe nipin dhe mbesën.

Blendi Fevziu: Dumani është pjesë e dosjes…

Sali Berisha: Siglim. Veliaj u bë problem botëror për djegësin dhe shumë gjëra të tjera. Mos mendo se nuk dinte Rama se po arrestohej. Rama e kishte lëshuar atë plotësisht, priste arrestimin e tij në Dhjetor. Nuk e donte arrestimin. Që Rama do të lante duart me Veliajn, unë e kam thënë. Veliaj nuk pranohej nga klani Rama si pasardhës i këtij klani dhe këtë Rama nuk ngurroi ta bënte të qartë. Nuk mund të them se ka qenë për arrest me burg, ka qenë për arrest të llojit të Arjolën, një arrest shtëpie, pastaj gjërat kanë qenë aq…

Berisha akuzon Ballën: U urdhërua nga bandat të lironte personat që i vendosën tritolin Lulzim Kullës

Kryedemokrati Sali Berisha nuk ka ndalur akuzat ndaj Ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, kryedemokrati thotë se sipas tij, ekzistojnë dosje ku Balla ka marrë urdhër nga bandat që të lirojë 2 persona që i vunë tritolin Lulzim Kullës në Shkodër. Për këtë, ai pretendon se ministri Balla ka përdorur prokurorin Vath Staka.

Sali Berisha: E kam theksuar në mënyrën më të përsëritur se kurrë nuk parakuptoj të gjithë punonjësit e atij organi apo të çdo organi tjetër. Kur unë shprehem për organizatë krimianle, nuk e bëj kurrë për motive politike. Unë e bëj këtë kur kam prova zyrtare absolute se prokurori, OPGJ disponojnë dosje në të cilat dokumentat të certifikojnë se Balla është i implikuar në 1, 2, 3 krime.

Konkretisht, disponojnë dosje ku faktohet se Taulant Balla ka marrë urdhër nga banda që të lirojë 2 personat që i vendosën tritolin Lulzim Kullës në mes të Shkodrës. Taulant Balla për lirimin e vrasësve të Lulzim Kullës ka përdorur Vath Stakën, prokuror. Vath Staka sot është në KLP. Këto dokumente i ka SKAP.

I pyetur nga Fevziu në lidhje me burimin e këtyre informacioneve, Berisha nuk ka preferuar që të zbulojë burimin duke thënë se “nuk ka tradhtuar kurrë në jetën e tij”.

Sali Berisha bashkohet me Ramën për drejtësinë? Kryetari i PD përgjigjet prerë

Juristi Ylli Manjani deklaroi të mërkurën në Opinion se pas arrestimit të Erion Veliajt nga SPAK, tashmë është momenti më i mirë që Edi Rama dhe Sali Berisha të bashkohen dhe për të bërë një analizë për ecurinë e Reformës në Drejtësi që pas krijimit.

Por a është i gatshëm Berisha të bashkohet me Ramën për të bërë ndryshime ndaj Reformës në Drejtësi?

I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan mbrëmjen e të mërkurës, kryetari i PD Sali Berisha përjashtoi kategorikisht çdo bashkëpunim me Edi Ramën për këtë çështje.

Berisha u shpreh se për Reformën në Drejtësi do të kërkojë mendimin e Komisionit të Venecias dhe një referendumi popullor.

Në rastin më të mirë kjo përjashtohet në mënyrë kategorike që unë të bashkëpunoj me Edi Ramën, në mënyrë absolute për Reformën në Drejtësi. Do bashkëpunoj me qytetarët shqiptarë, do marr Komisionin e Venecias dhe do jetë referendumi ai që do japë përgjigje. Mbështetësi kryesor i kësaj reforme mbi tokë, sot është non grata në vendin e tij (i referohet Antony Blinken). Erdhi nga Uashingtoni dhe takoi Altin Dumanin, nuk takoi asnjë njeri nga opozita sepse ishte për Shqipëri pa opozitë. E falenderoi për arrestimin e Sali Berishës. Ka bërë takim me të. Takimi është bërë për ta falenderuar dhe e ndërmjetësonte Yuri Kim. Ky ishte njeri pa pikë dinjiteti. Kur këtij i doli dokumenti se kishte mashtruar kombin e tij me laptopin e Hunter Biden se i kishte thënë kombit të tij se Hunter Biden s’ka patur kurrë laptop, ai po të kishte minimumin e integritetit njerëzor jepte dorëheqjen”, theksoi Sali Berisha.

“Altin Dumani s’ka asnjë vlerë”, Berisha i bindur: Prokurori i SPAK nuk e pyet fare

Kryedemokrati Sali Berisha shprehet se sipas tij, Altin Dumani nuk ka asnjë vlerë pasi shton se prokurorët e çështjeve nuk e pyesin atë.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, kreu i demokratëve thotë se në institucionet e drejtësisë ka njerëz të ndershëm që respektojnë ligjin, siç ka edhe nga ana që thotë se bëjnë një lojë bajate të turpshme.

Sali Berisha: Ka në SPAK, në BKH, në gjykatë, njerëz të ndershëm që respektojnë ligjin. Ka në SPAK nga ana që lexojnë aty se duhej vrarë ky politikan, një lojë bajate e turpshme.

Blendi Fevziu: Altin Dumani është kreu i SPAK-ut, ka cigluar arrestimet, përfshirë dhe këtë të Veliajt dhe të Metës.

Sali Berisha: Asnjë vlerë nuk ka. Altin Dumani ka të drejtë se çfarë vendos prokurori i SPAK, as që e pyet fare Altin Dumanin. Dumani ka 2 mundësi, të marrë vetë çështjet, ose të japë mendimet, t’i dërgojë në gjykatë mendimet e tij. Altin Dumani nuk dha asnjë mendim për djegësin e Tiranës. 13 herë citon Ahmetajn për djegësin e Tiranës dhe nuk dha asnjë fjalë të vetme për Veliajn. A dëgjove se djall u bë Ols Dado dhe i lavdëruar u bë Altin Dumani.

“I kërkoj falje Presidentit”, Fevziu: Këta janë 3 njerëzit më të fuqishëm në Shqipëri

Teksa në emisionin “Opinion” në Tv Klan po diskutohej në lidhje me hetimet e SPAK, drejtuesi i emisionit Blendi Fevziu ka thënë se sipas tij, 3 janë njerëzit më të fuqishëm në Shqipëri.

Fevziu i ka kërkuar falje Presidentit të Republikës kur tha se Kryeministri, Kryetari i Opozitës dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës janë 3 njerëzit më me pushtet në vend.

Sali Berisha: Altin Dumani asnjë vlerë nuk ka. Altin Dumani ka të drejtë se çfarë vendos, prokurori i SPAK as që e pyet fare Altin Dumanin. Dumani ka 2 mundësi, të marrë vetë çështjet, ose të japë mendimet, t’i dërgojë në gjykatë mendimet e tij. Altin Dumani nuk dha asnjë mendim për djegësin e Tiranës. 13 herë citon Ahmetajn për djegësin e Tiranës dhe nuk dha asnjë fjalë të vetme për Veliajn. A dëgjove se djall u bë Ols Dado dhe i lavdëruar u bë Altin Dumani?

Blendi Fevziu: 3 janë njerëzit më të fuqishëm në vend. I kërkoj falje Presidentit të Republikës, por 3 janë: Kryeministri, Kryetari i Opozitës dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Ç’ndodh me SPAK nëse fiton PD? Berisha: Do ndryshojë drejtësia…

Nëse Partia Demokratike fiton zgjedhjet parlamentare të 11 Majit, reforma në drejtësi do të ndryshojë.

Kështu thotë kreu i PD Sali Berisha, i cili në një intervistë për emisionin Opinion në Tv Klan i është referuar SPAK-ut.

Sipas Berishës, do të thërrasë Komisionin e Venecias dhe do të skanohet puna e prokurorëve të SPAK, që sipas tij, nëse rezultojnë se nuk kanë vepruar ose bashkëpunuar me krimin, do të largohen nga detyra.

“Secili prej tyre që ka fjetur mbi dosjet e krimit do shkojë te kriminelët. Do ndryshojë drejtësia. Nuk mundet të më imponojë kush të mbaj kriminelë në detyrë. Do marr Komisionin e Venecias, do vemë dosjet përpara, sepse këta zotërinjtë në vend se të kërkojnë ndihmën e publikut…unë kërkova komisionin e të vërtetës, kurse këta i shpallin sekret shtetëror lidhjet e krimit me politikën”.

Më herët, në Opinion, Sali Berisha përmendi se reformimin e drejtësisë së re do ta bëjë përmes Komisionit të Venecias dhe referendumit popullor, por përjashtoi kategorikisht një bashkëpunim me Edi Ramën.

Berisha për Ramën: Është i shkallmuar, gjithë ditën theu karrige. Dëshmitar ishte edhe një gazetar…

Një reagim emocional i Kryeministrit Rama në fillim të javës duke i rënë tavolinës, ka bërë xhiron e mediave sociale.

Rama tha se ishte emocional për shkak se defekti teknik i ndërpreu komunikimin me qytetarët.

Por sipas Sali Berishës, kjo sjellje e Kryeministrit Rama tregon tjetër situatë.

I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Berisha tha se Kryeministrit Rama i ka ardhur fundi.

Madje sipas Berishës, atë ditë që i ndodhi incidenti, Rama ka thyer edhe karrige. E sipas tij dëshmitar ka qenë edhe një gazetar.

“Ai është i shkallmuar tani. Erdhi në fundin e tij ai. E mori fundin. Ai pardje ka qenë gjithë ditën duke thyer karrige, sille këtu Baton Haxhiun të flasë, sille, se ka qenë me të aty. Vazhdoi ajo historia e tavolinave”.

I pyetur se kush fshihet pas identitetit Nesti Angoni që ka bërë denoncimin ndaj Erion Veliajt, Sali Berisha u shpreh: “Nesti Angoni është Lubia, është me Bistrin që ka dhënë të dhëna. Bistri regjistronte çdo njeri pa kaluar në prokurori, në gjykata”.

Drejtuesi i fushatës së Trump në krye të asaj të PD, Berisha: Rama bëri gjithçka që ta merrte

Kryedemokrati Sali Berisha thotë se kryetari i Komitetit Kombëtar Republikan në SHBA, Chris LaCivita, që do të jetë një nga drejtuesit e fushatës zgjedhore të PD-së është kryestrateg botëror i zgjedhjeve.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, kryedemokrati Berisha shprehet se sipas tij, Kryeministri Rama bëri gjithçka që LaCivitan ta kishte pjesë të fushatës së tij.

Sali Berisha: Chris LaCivita, kryestateg botëror i zgjedhjeve. Gjeni i fushatës elektorale në SHBA, e cila kësaj here ishte pothuajse, bota në një anë dhe Trump në anën tjetër. Makineria mediatike, e polleve kundër, në tërësi qeveritë kundër tij përveç Orbanit, Melonit, e djathta polake dhe Sali Berishës në Shqipëri. Megjithatë, këta ja dolën që të realizojnë rikthimin më të jashtëzakonshëm në historinë e njerëzimit në botën e lirë.

Fatos Hakorja: Nga fushata e njeriut më të fuqishëm të planetit në fushatën e partisë së Shqipërisë? Pse do të vinte këtu?

Sali Berisha: Shumë e drejtë. Të jem i sinqertë me ju, ai që foli në atë mënyrë, ai bëri gjithçka që t’i merrte.

Blendi Fevziu: Rama ka tentuar që ta merrte këtë kompani. A je i sigurtë?

Sali Berisha: Unë nuk po hyj në hollësira. Ai është sot njeriu më i kërkuar për zgjedhjet. Trump ka deklaruar se armiku më i rrezikshëm i SHBA është ai i brendshëm dhe në krye është George Soros. Atë qëndrim që i bënë Trumpit, ekstremizmi i majtë ja bëri Berishës.

“Ka mbështetjen e plotë të opozitës”, Berisha sqaron pozicionin e Metës në listat e kandidatëve

Duke iu referuar deklaratave të Sali Berishës që të gjitha partitë të bashkohen, drejtuesi i emisionit “Opinion” në Tv Klan, Blendi Fevziu e pyeti kryetarin e opozitës për koalicionet ndaj të cilave ai u tregua plotësisht i hapur.

Berisha sqaroi edhe pozicionin e Ilir Metës në lista duke thënë se ka mbështetjen e plotë dhe duke qenë se s’mund të bëjë fushatë nga burgu, do të përfshihet në listat e mbyllura.

Sali Berisha: Ne jemi të hapur për të gjitha partitë që duan të bashkohen në një front opozitar kundër kësaj të keqeje të madhe që i ka rënë Shqipërisë.

Blendi Fevziu: Përfshirë Agron Shehajn? Përfshirë Adriatik Lapajn?

Sali Berisha: Të gjithë nuk përjashtohen, përveç një personi që e përjashton veten vetë ai, që të gjithë të  tjerët pa përjashtim.

Blendi Fevziu: Për Bashën e keni?

Sali Berisha: Balla, Basha janë bërë një tani.

Blendi Fevziu: Ilir Meta, çfarë pozicioni do të ketë në listat tuaja?

Sali Berisha: Ilir Meta do të finalizohet koalicioni dhe absolutisht ka mbështetjen e plotë dhe totale të opozitës shqiptare. Ai është një i burgosur politik.

Blendi Fevziu: Do të jetë në listat e zgjedhjeve?

Sali Berisha: Pa diskutim.

Blendi Fevziu: Te listat e mbyllura?

Sali Berisha: A mund të bëjë fushatë nga burgu? S’mund të bëjë fushatë nga burgu, po të ishte jashtë burgut s’pranonte të futej në lista të mbyllura se bënte fushatë.

Fatos Hakorja: Ka zëra se ju mund të udhëtoni para zgjedhjeve të 11 majit në SHBA. Sa të vërteta janë këto?

Sali Berisha: Nuk kam dijeni për këtë unë. Unë po punoj ditë e natë me këta se nuk është vetëm ky, janë edhe të tjerë shumë, shumë të fuqishëm me të.

Sa ka kushtuar kontrata me Chris LaCivita? Përgjigjet Berisha: Nuk e fsheh kurrë

Kryedemokrati Sali Berisha thotë se kontrata me Chris LaCivita për të drejtuar fushatën e PD-së është normale dhe me burime financiare të kristalta.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Berisha shprehet se sapo të marrë formën përfundimtare kontrata, do ta depozitojë në KQZ dhe do të bëjë publike sa ka kushtuar.

Sali Berisha: Ai është sot njeriu më i kërkuar për zgjedhjet. Trump ka deklaruar se armiku më i rrezikshëm i SHBA është ai i brendshëm dhe në krye është George Soros. Atë qëndrim që i bënë Trumpit, ekstremizmi i majtë ja bëri Berishës.

Fatos Hakorja: Pra, ju po nënkuptoni se pas SHBA, Sorosi, qendrën më të fuqishëm e ka pasur në Shqipëri?

Sali Berisha: Absolute. Kopshti i lulëzuar i përçudnuar i Sorosit u bë Shqipëria. Unë s’e kam takuar kurrë atë. M’u përgjigj pasi pa të gjitha të dhënat.

Fatos Hakorja: Përse duhet të ishte Shqipëria kur Sorosi ishte kaq i fuqishëm në SHBA?

Sali Berisha: Sepse këtu ka disa gjëra, që hetime të mëdha do të bëhen për to. Pse do të vinte Sorosi çdo 2-3 javë në Shqipëri? Ai ka ardhur çdo 2-3 javë. Atë që bënte ai me këtë, do e sqarojnë ata që do e hetojnë. Ata panë se Rama është një kukull i Sorosit, ata erdhën me mision për të ndihmuar Shqipërinë për të fituar lirinë.

Blendi Fevziu: Sa kushton kontrata me Chris LaCivita?

Sali Berisha: Kontratë normale nga burime finianciare të kristalta. Sapo të marrë formën përfundimtare shuma unë do jua them. Do e depozitoj në KQZ. Nuk e fsheh kurrë, ta harrojë kush. Këta kanë publikuar shifra 20 milionë Euro, etj, etj, janë 20 milionë mashtrime. Unë kontratën, është me burime financiare të kristalta, është me transferta bankare, është në përputhje me ligjin dhe do depozitohet në KQZ. A mund të mendohet se ndodh ndryshe me kryestategun elektoral? Ai është Kryetar i Komitetit Kombëtar Republikan sepse duhet të mbrohet fitorja në vazhdim e republikanëve. Ky është një pozicion jashtëzakonisht i rëndësishëm. Është marrë për fushatën këtu.

Përse u arrestua tani Veliaj? Berisha: Ka shumë pikëpyetje, diskutohej për…

Sipas kryedemokratit Sali Berisha, Kryeministri Rama priste arrestimin e Kryebashkiakut Erion Veliaj në muajin Dhjetor. I ftuar në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan, Berisha thotë se ka shumë pikëpyetje lidhur me momentin e arrestimit të Veliajt, pikërisht para zgjedhjeve të 11 Majit.

Sali Berisha: Veliaj u bë problem botëror për djegësin dhe shumë gjëra të tjera. Mos mendo se nuk dinte Rama se po arrestohej. Rama e kishte lëshuar atë plotësisht, priste arrestimin e tij në Dhjetor. Nuk e donte në këtë moment. Që Edi Rama do të lante duart me Veliajn, unë e kam thënë në mënyrë të përsëritur. Erion Veliaj nuk pranohej nga klani Rama si pasardhës i këtij klani dhe këtë Edi Rama nuk ngurroi ta bënte të qartë në mënyrë të përsëritur.

Fatos Hakorja: Pse duhet ta bënte para zgjedhjeve?

Sali Berisha: Këtu jemi… Këtu ka shumë pikëpyetje. Nuk mund të them se ka qenë për “arrest me burg”, ka qenë për arrest të llojit të Ajolës, një arrest të atij lloji, pastaj gjërat kanë qenë aq…