Emisioni politik më i ndjekur dhe më i preferuar në ekranet shqiptare. “Opinion” vjen në katër takime çdo javë – e hënë, e martë, e mërkurë dhe takimi tradicional i të enjtes mbrëma.

Të ftuar : Klodiana Lala, Fatjona Mejdini, Eugen Beci, Merin Maçi, Agentina Hidershaj, Klaudio Pulaha 

Tirana, por jo vetëm është tronditur sot pak pas mesditës kur një 14-vjeçar, Martin Cani, nxënës i klasës së nëntë në shkollën “Fan Noli” ka humbur jetën pas një goditjeje me thikë në zemër. Personi që i ka marrë atij jetën është po një nxënës i shkollës “Fan Noli, po i së njëjtës moshë, niveli arsimor, në klasën e nëntë të shkollës “Fan Noli. Ngjarja ka ndodhur jashtë ambienteve të shkollës, por mesa duket është një ngjarje që i ka fillesat që javën e kaluar në një sherr që sipas të dhënave të deritanishme të mediave, ka nisur në rrjetet sociale. Përtej humbjes së jetës së një 14-vjeçari që është një tragjedi më vete, që është një prej atyre rasteve që s’mund të kalojë kurrë me vëmendje, ajo që po ndodh me adoleshentët, është një nga ato gjërat që duhet t’i kushtojmë shumë më tepër vëmendje dhe duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Një futbollist që stërvitej me 15-vjeçarët e Dinamos, një fëmijë që ka lënë sot dy prindër me një pikëllim të jashtëzakonshëm, por mbi të gjitha ka pikëlluar gjithë shoqërinë për arsye se përtej të gjitha detajeve, ajo që po ndodh me adoleshentët është e frikshme.

Vrasja e 14-vjeçarit, gazetarja Lala: Oficerja e sigurisë i pyeti nxënësit për sherrin, ata i thanë…

Dy nxënësit që sot u konfliktuan dhe sherri rezultoi me fatalitet, kanë patur konflikt edhe ditën e hënë gjatë pushimit të gjatë të shkollës.

Sipas gazetares Klodiana Lala, e ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, shpjegoi se sherri i parë ndodhi ditën e premte. Sot ndodhi konflikti i dytë në shkollë, sipas gazetares, gjatë orarit të pushimit.

Në këtë pjesë ka ndërhyrë oficerja e sigurisë së shkollës, duke pyetur nxënësit për sherrin. Por këta të fundit i thanë se nuk do të kishin më konflikte.

“Dy djemtë kanë patur debat dhe ditën e sotme. Debati i parë ka qenë të premten. Janë larguar nga shkolla. Edhe sot e kanë patur konfliktin në shkollë në pushimin e gjatë. Oficerja e sigurisë ka marrë kontakt me ta dher ata deklaruan që nuk do kishin më konflikte dhe debate dhe kanë qenë të informuar edhe mësuesit e shkollës”, u shpreh gazetarja Klodiana Lala.

Nga ngjarja tragjike që ndodhi pak metra larg shkollës 9-vjeçare në kryeqytet, humbi jetën nxënësi 14-vjeçar. Të plagosur mbetën edhe një shoku i viktimës, si dhe vetë autori i dyshuar, ky i fundit në gjendje më të lehtë.

Blendi Fevziu përlotet nga vrasja e nxënësit 14-vjeçar

Vrasja me thikë e nxënësit 14-vjeçar mesditën e së hënës në Tiranë ka tronditur mbarë opinionin publik.

Ngjarja e rëndë ngriti alarmin e situatës shqetësuese me adoleshentët, që herë pas here përfshihen në sherre që përfundojnë edhe në fatalitet.

Emisioni Opinion në Tv Klan ka trajtuar ngjarjen e rëndë, ku foli edhe një zonjë e cila i dha ndihmën e parë në vendngjarje 14-vjeçarit që dergjej i shtrirë përtokë pak metra larg shkollës “Fan Noli”.

Gazetari dhe drejtuesi i “Opinion”, Blendi Fevziu u shfaq i përlotur dhe i prekur nga ngjarja e rëndë e humbjes së jetës së një fëmije 14 vjeç.

Blendi Fevziu bëri edhe apel për qytetarët që të japin sa më shpejt ndihmën e parë kur shikojnë qytetarë në nevojë.

Ndihma e menjëhershme është e domosdoshme, mund të shpëtosh një jetë për pak sekonda angazhim. Këto raste edhe sekonda është shumë në qoftë se nuk ndërhyet”, tha Fevziu.

14-vjeçari humbi jetën si pasojë e një goditje me thikë në zemër nga një bashkëmoshatar i së njëjtës shkollë.

Dy adoleshentët ishin konfliktuar edhe në rrjetet sociale dhe të hënën e kishin lënë për t’u sqaruar. Por ngjarja mori përmasa tragjike. Gjatë sherrit, 14-vjeçari u godit me thikë. Në përleshje, i plagosur me thikë mbeti edhe një shok i viktimës. Edhe vetë autori i dyshuar mbeti i lënduar nga thika, por ndodhet në gjendje më stabël.

“Djali u zgjua dhe kërkoi mamin”, rrëfehet mes lotëve zonja që i dha ndihmën e parë 14-vjeçarit

Ngjarja tragjike e ndodhur ditën e sotme në afërsi të shkollës “Fan Noli” në Tiranë ku një 14-vjeçar humbi jetën si pasojë e një sherri me thikë ka tronditur mbarë opinionin publik.

E ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan ka qenë Agentina Hidershaj, zonja e cila i ka dhënë ndihmën e parë 14-vjeçarit teksa e ka transportuar menjëherë me makinë drejt spitalit.

Ajo ka treguar se deri në çastin kur ambulanca ka marrë të miturin, ai ka qenë në jetë. Mes dhimbjes, zonja rrëfen se i mituri ka reaguar vetëm njëherë dhe ka kërkuar nënën.  

“Më pas hyri një burrë mbrapa që i mbante plagën djalit. Djali u zgjua dhe kërkonte mamin. I thoja “të lutem reago”. Mbaja dorën pas djalit. Burri i thoshte “nuk ke asgjë”. Në makinë nuk doli asnjë pikë gjaku. E vetmja gjë që mbeti në makinën time ishin këpucët me pika gjaku. E hodhëm në ambulancë me shenja jete dhe thamë shyqyr që e shpëtuam. Djali hipi në ambulancë i gjallë dhe koshient”, tregon ajo.

Gjatë rrëfimit, zonja tregon për momentin e trishtë kur ka mësuar se djali ka ndërruar jetë.

“Ai ishte i zverdhur, mendova se kishte diçka serioze dhe mendova se gjakderdhja do të ishte e brendshme. E ndoqëm deri tek Ushtaraku, morëm vesh që fëmija kishte ndërruar jetë brenda në spital”, rrëfehet mes lotëve Hidershaj.

“Prindërit e 14-vjeçarit ishin ngrirë”, Hidreshaj mes dhimbjes: U dhashë këpucët me gjak të djalit

E ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan ka qenë Agentina Hidershaj, zonja e cila i ka dhënë ndihmën e parë 14-vjeçarit, i cili fatkeqësisht humbi jetën si pasojë e një sherri me thikë në Tiranë në afërsi të shkollës “Fan Noli”.

Gjatë fjalës së saj, Hidershaj ka treguar momentin kur e ka hipur djalin në makinën e saj dhe shpresat për ta mbajtur në jetë, shpresa që thotë se u shuan kur mësoi ndarjen nga jeta të 14-vjeçarit në spital. Mes lotëve, ajo ka treguar dhe momentin e dhimshëm kur është takuar me prindërit e të miturit, teksa ka rrëfyer dhe bisedën me to.

Argentina Hidershaj: Më pas hyri një burrë mbrapa që i mbante plagën djalit. Djali u zgjua dhe kërkonte mamin. I thoja “të lutem reago”. Mbaja dorën pas djalit. Burri i thoshte “nuk ke asgjë”. Në makinë nuk doli asnjë pikë gjaku. E vetmja gjë që mbeti në makinën time ishin këpucët me pika gjaku. E hodhëm në ambulancë me shenja jete dhe thamë shyqyr që e shpëtuam. Djali hipi në ambulancë i gjallë dhe koshient. Djali veç kërkesën së nëns, nuk kërkoi asgjë tjetër. “Ai ishte i zverdhur, mendova se kishte diçka serioze dhe mendova se gjakderdhja do të ishte e brendshme.

E ndoqëm deri tek Ushtaraku, morëm vesh që fëmija kishte ndërruar jetë brenda në spital. Takova prindërit tek Ushtaraku, ata kishin ngrirë, unë ju tregova realitetin, ju thashë se fëmija nuk ka qëndruar as 2 minuta në trotuar. Ndihmën e parë ja dhashë unë, farmacistja dhe një person që punonte në një laborator gjaku. Më pas takova prindërit dhe ju dhashë këpucët me gjak të djalit. Aty ishte një moment shumë prekës. Jam shumë e indinjuar si grua dhe si qytetare. Dua që të bëj një kërkesë që i gjithë populli të mobilizohet. E kapa që ishte thikë e nxnënësve të shkollës. Thika në zemër nuk të pret. Ne e pamë që e kishte në zemër dhe gjak nuk po dilte më, ishte rrjedhje e brendshme.

“Të ngrihet alarm kombëtar për bullizmin mes të rinjve”, Klaudio Pulaha: Janë 2858 raste të raportuara…

Një ngjarje e rëndë në afërsi të shkollës “Fan Noli” në Tiranë ditën e sotme, ku një 14-vjeçar humbi jetën si pasojë e një sherri me thikë me një bashkëmoshatar ka tronditur mbarë opinionin publik.

I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan mbrëmjen e sotme ishte edhe Klaudio Pulaha nga Linja kombëtare “Alo 116” i cili ka folur me shifra sa i përket rasteve të raportuara nga vetë të rinjtë apo prindërit e tyre.

Pulaha theksoi se nga viti 2009-2023 janë plot 2858 raste të raportuara dhe të trajtuara nga stafi i Linjës kombëtare ku vetëm përgjatë 2024 janë 14 mijë të tilla.

Klaudio Pulaha: Të paktën përgjatë 2024 është rasti i katërt ku fëmijë ndërrojnë jetë për shkak të zënkave. Në rast se do t’i referohemi edhe një të dhëne më të fundit në datën 11.11.2024 një zënkë dhe një plagosje me mjete prerëse ka ndodhur po në një shkollë në qytetin e Tiranës dhe padiskutim janë këto raste që duhet të ngrenë alarmin kombëtarë për bullizimin dhe dhunën mes të rinjve.

Sa i përket diskutimeve padiskutim që dhuna dhe bullizmi online zënë vendin e parë. Së pari janë rrjetet sociale dhe postimet me përmbajtje denigruese të cilat bëhen pikënisje të këtyre problematikave. Nëse i referohemi vitit 2024 ne kemi pasur 93 raste të raportuara dhe të trajtuara sa i përket sigurisë në internet ku 65% e tyre kanë qenë denigrim dhe shantazhim mes të rinjve ku nga pjesa online ato kalojnë në jetën e përditshme. Ne kemi raportime që nga mosha 6-18 vjeç, madje nga vetë prindërit e këtyre fëmijëve që raportojnë raste të përsëritura të bullizmit brenda ambienteve të shkollës.

Sa i përket një shifre dua të theksoj se përgjatë vitit 2009-2023 kemi pasur 2858 raste të raportuara dhe të trajtuara nga vetë djemtë e mitur dhe si problematike kanë pasur lëndën narkotike. Ne në ditë marrim 150-200 telefonata sepse jemi në shërbim 24 orë dhe nëse i referohemi vitit 2024 deri tani kemi 14 mijë telefonata ku të rinjtë marrin në telefon dhe kërkojnë ndihmë.

Vrasja e 14-vjeçarit në Tiranë, avokati Beci përllogarit dënimin e autorit të dyshuar

Vrasja tronditëse e 14-vjeçarit në shkollën “Fan Noli” në Tiranë kishte si autor të dyshuar një tjetër 14-vjeçar. Sipas informacioneve të deritanishme, dyshohet që 14-vjeçari i ka ngulur thikën në zemër bashkëmoshatarit duke i sjellë vdekjen.

Ndërsa pritet ende të zbardhen rrethanat e plota të ngjarjes, avokati Eugen Beci bën në emisionin “Opinion” në Tv Klan një vlerësim të të dhënave të deritanishme. Sipas tij, i mituri është subjet i Kodit të Drejtësisë për të Mitur i cili në varësi të asaj që do të nxjerrin hetimet, do të përcaktojë dënimin për 14-vjeçarin. Në kushtet që ky i fundit ndodhet, Beci vlerëson një dënim rreth 12 vite.

Eugen Beci: Kodi i Drejtësisë për të Mitur është një përmbledhje e legjislacionit penal dhe procedurial penal që është pikërisht për objekte dhe subjekte të këtij lloji që kanë të bëjnë me të mitur në konflikt me ligjin, me viktima që mund të jenë të mitur dhe të gjithë dëshmitarët apo personat që janë në një subjekt të procedimit penal dhe janë në moshën 14-18 vjeçare janë grupi i parë dhe 18-21 vjeçare.

Blendi Fevziu: Që 14 nëse autori ka mbushur, por nëse është 13 e gjysmë po themi?

Eugen Beci: Në rast se është 13 e gjysmë nuk përgjigjet penalisht për veprimet që kryen. Në rast se është 14 vjeç, përgjigjet për krime.

Blendi Fevziu: Pra në rast se është dy ditë pa mbushur 14 vjeç, ai…

Eugen Beci: Edhe një ditë. Nëse është 14 vjeç e sipër, dënohet për krimet që kryen, në rast se është mbi 16 dënohet për kundravajtje penale. Pastaj Kodi i Drejtësisë Penale për të mitur parashikon në referim edhe të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.

Blendi Fevziu: Sa mund të dënohet nëse njihet autori i vrasjes?

Eugen Beci: Dënohet jo më shumë se gjysma e dënimit të cilën parashikon vepra penale për të cilën akuzohet i mituri.

Blendi Fevziu: Vrasja për sa parashikon? Nëse do të jetë vrasje në kushtet, do të jetë për diskutim.

Eugen Beci: Referuar të dhënave se s’dua të krijoj konflikte me publikun se nuk e dimë sesi do të vazhdojnë më tej rrethanat, për momentin që flasim kemi të bëjmë me një vrasje të thjeshtë që quhet nga pikëpamja e Kodit Penal, një vrasje në grindje e sipër, duhet parë a mund të kemi një konflikt të  parashikuar dhe të provuar që nga e premtja që mund të kualifikohet në vrasje me paraamendim. Në bazë të nenit 76 ose 78…

Blendi Fevziu: Që pak a shumë kanë një dënim…

Eugen Beci: E para ka 10 deri në 20 vjet dënim, e dyta e ka mbi 20 vjet burgim, 78 e Kodit Penal. Llogaritur dy parashikimeve ligjore që ka Kodi i Drejtësisë Penale për të Mitur dhe Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë, ai autor i veprës penale nuk dënohet më shumë se 12 vjet.

/tvklan.al