Vazhdojnë kritikat e partive parlamentare opozitare të Kosovës për mospjesëmarrje fizike të Kryeministrit Albin Kurti në Samitin e Ballkanit Perëndimor që u mbajt një ditë më parë në Tiranë.
Nga Partia Demokratike e Kosovës mungesën e tij në këtë samit e quajnë si gafën më të madhe të bërë nga qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti.
“Njëri nga lëshimet e mëdha edhe politike edhe ekonomike dhe në aspektin e përgjithshëm imazh i keq për shtetin e Kosovës ku në Shqipëri, në Tiranë në këtë nivel të liderëve evropian, Kryeministri nuk merr pjesë”, thotë deputeti Ferhat Shala.
Armend Zemaj deputet i LDK-së konsideron se nuk ka asnjë arsye që Kurti të mungonte në këtë Samit.
Ikje nga përgjegjësia e konsideron këtë mungesë shefi i deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri.
“Mospjesëmarrja fizike është ikje prej përgjegjësisë, ikje prej ballafaqimit edhe fatkeqësisht prej argumenteve. Nuk duhet të frikësohet zoti Kurti të ballafaqohet se e drejta është në anën e Kosovës në të gjitha aspektet dhe këtë e shoh një ikje prej përgjegjësisë për një ballafaqim që duhet të ndodh për shkak se e ka fituar 50 përqindëshin dhe ky kryeministër e përfaqëson Kosovën dhe duhet ta përfaqësojë Kosovën në këtë forum”.
Kryeministri Kurti morri pjesë vetë virtualisht në këtë samit me arsyetimin se ndodhej në Mbretërinë e Bashkuar.
Edhe në Korrik të vitit të kaluar ai kishte munguar në takimin informal në Tiranë për përgatitje për Samitin e Procesit të Berlinit me arsyetimin se ndodhej në Greqi.
Tv Klan