Abas: Shkel të drejtat tona në Jeruzalem
Palestinezët e refuzojnë kategorikisht planin e paqes që presidenti amerikan Donald Trump shpalosi të martën. Plani parashikon që Uashingtoni të njohë shtetin e Palestinës me kryeqytet, një pjesë të Jeruzalemit Lindor. Aty do të vendoset edhe ambasada amerikane. Por presidenti i autoritetit palestinez Mahmud Abas nuk e pranon këtë propozim.
“U them partnerëve tanë Trump-it dhe Netanjahut se Jeruzalemi nuk është për t’u shitur. Nuk i shesim të gjitha të drejtat tona, të cilat nuk janë për përfitime kesh. Ndaj dhe ky komplot nuk pranohet”.
Plani i Trump-it është përshëndetur nga kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu, por është pritur me protesta në territoret palestineze, si në Bregun Perëndimor ashtu edhe në Rripin e Gazës, ku u dogj edhe një fotografi e Trump-it.
Në projektin e presidentit amerikan, Jeruzalemi njihet si kryeqytet i Izraelit si një i tërë dhe i pandarë, siç e njohu më 6 Dhjetor të 2017-s. Po ashtu sipas planit, si territore izraelite njihen të gjitha zonat e kolonizuara nga Izraeli vitet e fundit në territoret palestineze, ku tashmë jetojnë 400 mijë shtetas izraelitë. Shefi i Shtëpisë së Bardhë publikoi në Twitter, edhe një foto të hartës së re të territoreve palestineze, tepër të tkurrura krahasuar me marrëveshjet ndërkombëtare të viteve 1949-1967.
Palestinezët kërkojnë që i gjithë Jeruzalemi Lindor, ku jeton një komunitet prej 350 mijë palestinezësh të përfshihet në kryeqytetin e tyre të ardhshëm. Ata kërkojnë që kolonët izraelitë të largohen nga territoret e pushtuara.
Tv Klan