“Nuk ndërhyjmë për situatën, për zgjedhjet vendosin gjykatat”
Matthew Palmer, Zëvendës-ndihmës Sekretar i Shtetit për Çështjet e Evropës dhe EuroAzisë thotë së Departamenti i Shtetit pati dëshmi të forta kur vendosi të ndalojë hyrjen e kryebashkiakut në detyrë të Durrësit, Vangjush Dako dhe familjes së tij.
“Mendoj se çështja këtu për Shtetet e Bashkuara është se kemi pasur dëshmi të forta në lidhje me aktivitetet e korrupsionit nga ana e zotit Dako. Dhe ne kemi autoritetet që janë të nevojshme për të ndërmarrë veprime në përgjigje të kësaj”.
Në një intervistë dhënë për Zërin e Amerikës, Palmer u pyet për ndikimin e kësaj çështje te qeveria apo kryeministri Rama.
“Nuk mendoj se e shohim këtë si çështje të qeverisjes së Kryeministrit. Ne e shohim këtë si një çështje se si Shtetet e Bashkuara reagojnë ndaj sfidës së praktikës korruptive nga ana e atyre që janë në pozitën e besimit publik”.
Zyrtari i lartë amerikan foli edhe për situatën pas zgjedhjeve të 30 Qershorit të cilat bënë që Partia Socialiste të marrë 60 nga 61 bashki. I pyetur nëse Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara që socialistët kanë në dorë pushtetin vendor dhe atë qendror, Palmer jep këtë përgjigje.
“Ajo që na shqetëson është se nuk ka Gjykatë të Lartë. Ne do të dëshironim që gjykata të konstituohej. Mendojmë se është shumë e rëndësishme që çdo sistem të ketë kontrollet dhe ekuilibrat e duhur, në mënyrë të ketë përgjegjshmëri, transparencë dhe respekt për sundimin e ligjit. Ne ia kemi shtruar këto çështje Kryeministrit Rama, siç kemi bërë me paraardhësin e tij dhe si ç’do të bëjmë edhe me pasardhësin e tij”.
Palmer flet edhe për zgjidhjet e krizës politike që sipas tij duhet të vijë nga institucionet shqiptare.
“Ne nuk po mbështesim kryeministrin Rama. Shtetet e Bashkuara nuk po mbajnë anë në mosmarrëveshjet politike të Shqipërisë. Ajo që ne po mbështesim është sundimi i ligjit, mbështesim institucionet shqiptare. Dhe ne do të dëshironim që mosmarrëveshjet politike në Shqipëri të zgjidheshin përmes këtyre institucioneve e jo përmes ndërhyrjeve nga jashtë”.
Zyrtari amerikan thotë se do të jenë gjykatat që do të vendosin për zgjedhjet e 30 qershorit.
“Kjo varet në të vërtetë nga institucionet shqiptare. Unë mund t’ju them se vëzhguesit tanë panë dhe ndoqën nga shumë afër atë që dëgjuam nga Misioni Monitorues i OSBE-ODIHR-it, pra që zgjedhjet dhe procesi aktual i votimit u zhvilluan kryesisht në mënyrë të përgjegjshme dhe transparente, por procesi i përgjithshëm i mohoi popullit të Shqipërisë një alternativë kuptimplote”.
Edhe më herët Shtetet e Bashkuara kanë theksuar mesazhin se duhet të jenë gjykatat ato që dok të vendosin për zgjedhjet e 30 Qershorit.
Tv Klan