Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) ka shpallur vendimin për çështjen e ish-drejtorit të RTSH-së, Thoma Gëllçi, duke konstatuar se arrestimi dhe paraburgimi i tij nga SPAK-u, ishin të paligjshëm dhe në shkelje të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Sipas Strasburgut, paraburgimi me më shumë se 7 muaj dhe zgjatja e afateve të paraburgimit ishin në shkelje të nenit 5 pika 3, të Konventës Europiane për të drejtat e njeriut, në të cilën thuhet: “Çdo person i arrestuar ose i paraburgosur në rrethanat e parashikuara në paragrafin 1/c të këtij neni duhet të çohet menjëherë përpara një gjyqtari ose një zyrtari tjetër të autorizuar me ligj për të ushtruar funksione gjyqësore dhe ka të drejtë të gjykohet brenda një afati të arsyeshëm ose të lirohet në gjykim e sipër. Lirimi mund të kushtëzohet me dhënien e garancive për t’u paraqitur në procesin gjyqësor”.
Gëllçi u arrestua në Tetor të vitit 2021, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës në lidhje me një tender gjatë kohës që drejtonte Radio Televizionin Shqiptar. Ai u vendos në paraburgim me vendim të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me argumentin se ekzistonte dyshimi i arsyeshëm për përfshirjen e tij në veprime të paligjshme. Por, Gjykata e Strasburgut e rrëzoi këtë argument, duke konstatuar se autoritetet nuk dhanë prova konkrete për të mbështetur pretendimet e tyre për paraburgimin, se argumentet e përdorura për arrestimin ishin të përgjithshme dhe të pambështetura dhe se prokuroria nuk ndërmori asnjë veprim hetimor të rëndësishëm gjatë periudhës së paraburgimit, duke e mbajtur atë në izolim pa arsye të justifikuara.
“Gjykatat nuk arritën të specifikonin provat konkrete që do të mblidheshin, si dhe të shpjegonin pse ato prova nuk mund të ishin mbledhur në një fazë të hershme të hetimit. Ata nuk iu përgjigjën parashtrimit të kërkuesit se dyshimi kundër tij bazohej ekskluzivisht në dokumente që tashmë ishin sekuestruar nga prokuroria, dhe se, për rrjedhojë, nuk ekzistonte rreziku që ai të ndërhynte me ndonjë dëshmitar ose provë tjetër. Për sa i përket rrezikut të arratisjes, Gjykata vëren se argumentet e kërkuesit se ai kishte qenë jashtë vendit dhe ishte kthyer vullnetarisht në Shqipëri në muajt e mëparshëm dhe se ai ishte dorëzuar vullnetarisht tek autoritetet, pasi u informua për urdhrin e paraburgimit kundër tij, nuk janë peshuar siç duhet. As nuk duket se ndonjë masë sigurie alternative është marrë në konsideratë nga ato gjykata përtej një deklarate të thjeshtë formale dhe pavarësisht kërkesave të shumta të kërkuesit për këtë qëllim. Duke pasur parasysh praktikën e saj gjyqësore për këtë temë dhe konsideratat e mësipërme, Gjykata arrin në përfundimin se arsyet e dhëna nga autoritetet vendase nuk ishin “të mjaftueshme” për të justifikuar mbajtjen e kërkuesit në paraburgim për periudhën përkatëse prej shtatë muajsh e njëzet e gjashtë ditësh nga 8 tetori 2021 deri më 2 qershor 2022. Rrjedhimisht, ka pasur shkelje të nenit 5, pika 3 të Konventës”.
Thoma Gëllçi kërkoi në Strasburg një dëmshpërblim prej 10,000 eurosh për dëmin moral dhe 5,880 euro për shpenzimet gjyqësore. Gjykata vendosi një shumë simbolike prej 500 euro për dëmin moral, por ngarkoi shtetin shqiptar me 5,000 euro për shpenzimet ligjore. Avokati i Gëllçit, Dorian Matlija, e cilësoi vendimin e Strasburgut si një fitore të rëndësishme morale, duke theksuar se çështja tani do të vijojë në gjykatat shqiptare, për të vënë në vend drejtësinë që SPAK e shtrembëroi në emër të “revolucionit” të tij.
“Arrestimet janë bërë bukë e djathë për SPAK (dhe jo vetëm), të cilëve u intereson më shumë shfaqja e cirkut televiziv të lajmeve ditore me arrestime e prerje kokash, sesa respektimi i standardeve evropiane. Tani do vijojë beteja në gjykatat tona për të vënë në vend drejtësinë evropiane që e shtrembëroi nevoja revolucionare e SPAK, me mbështetjen e hapur të mazhorancës qeverisëse”, tha avokati Dorian Matlija.
Vendimi i Strasburgut vjen në një kohë kur edhe politika në Shqipëri e ka kritikuar drejtësinë e re për aplikimin e panevojshëm të masës së paraburgimit, si shkelje të standardeve të të drejtave të njeriut. Në një kohë kur SPAK është vënë në shënjestër të këtyre kritikave, vendimi për Gëllçin përbën një sinjal të fortë se drejtësia evropiane është tepër e vëmendshme ndaj respektimit të të drejtave të njeriut dhe nuk do të lejojë shkeljen e tyre.
Tv Klan