Debati i ashpër mes presidentëve amerikanë, Donald Trump dhe atij ukrainas, Volodymyr Zelensky, veç bërjes bujë në mediat televizive, solli edhe reagimin e menjëhershëm të liderëve evropianë që i dolën në bllok në mbrojtje të Ukrainës.

Kreu i CDU-së, Fredrih Merz, i cili pritet të jetë kancelari i ardhshëm, tha se Gjermania është në krah të Kievit.

“I dashur Volodymyr, ne qëndrojmë në krah të Ukrainës në kohë të mira dhe në të keqija. Nuk duhet të ngatërrojmë kurrë agresorin dhe viktimën në këtë luftë të tmerrshme.”

Një koment e pati edhe Presidenti i Francës, Emanuel Macron, i cili disa ditë më parë u takua me Trump e ku në fokus ishte takimi i pritshëm me Zelenskyn. Macron pas kësaj përplasjeje tha se ekziston një agresor rus, ne duhet të respektojmë ata që e kanë luftuar që në fillim.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Lejen e cilësoi si dinjitoz qëndrimin e Zelenskyt në përballjen me Trump. Ajo shkroi në rrjetet sociale se Zelenksy duhet të jetë i fortë dhe i patrembur pasi nuk do të jetë kurrë vetëm dhe se BE do të vazhdojë të punojë me ta për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme.

Të gjithë liderët e BE-së u solidarizuan me Presidentin ukrainas, veç Kryeministrit hungarez. Orban shkroi në rrjetet sociale se e falënderon Trump për qëndrimin e tij duke u shprehur se njerëzit e fortë bëjnë paqen, ndërsa të dobëtit, duke nënkuptuar Zelenksyn, duan luftën.

Ndërsa miliarderi dhe këshillitari i posaçëm i Trump, Elon Musk tha se ‘Zelensky e shkatërroi veten para syve të amerikanëve’. Teksa Kremlini e cilësoi këtë përplasje si historike, ku mediat ruse theksuan se Tramp e përzuri Zelenksyn nga Shtëpia e Bardhë.

Tv Klan