Edi Rama ju tha anëtarëve të asambleve socialiste të disa njësive të kryeqytetit ku ai ka zgjedhur të kandidojë si deputet se arsyeja më e madhe përse duhet të jenë ballëlartë përballë atyre që ju kërkojnë votën për PS është lufta ndaj korrupsionit.

“Por arsyeja tjetër pse duhet të jeni dhe të jemi krenar është pikërisht kjo: lufta kundër korrupsionit”, deklaron Rama.

Largimi i duarve të pushtetit nga drejtësia pavarësisht vetëdijes se do të viheshin në peshoren e saj, po ashtu është meritë thotë Rama vetëm e PS. Por kur përdorin shpatën njerëzit e akuzës dhe gjyqësorit, thotë ai, duhet t’i kenë sytë e mbyllur dhe të respektohen liritë e njeriut.

“Ne ia dorëzuam shpatën zonjës, drejtësisë, ia dorëzuam shpatën duke pasur parasysh që ajo shpatë do presë koka që mund të jenë dhe tonat por ama, nëse e shohim në pikturën e madhe të interesit kombëtar rëndësi ka nga anon peshorja dhe në këtë aspekt duhet akoma shumë durim dhe duhet akoma shumë eksperiencë sepse faza ku jemi ka vetëm pavarësinë dhe shpatën. Nuk e ka peshoren, nuk i ka sytë e mbyllur. Kjo është e vërteta mirëpo nga ana tjetër tani, 5 vjet ka kjo histori, 5 vite janë shumë pak për të ndërtuar një nga tre shtyllat kryesore të shtetit që është shtylla e pushtetit gjyqësor të pavarur, profesional dhe që respekton liritë dhe të drejtat dhe bota ku ne bëjmë pjesë”, shprehet Rama.

Ju thotë strukturave të partisë që t’ju kujtojnë atyre qe do votojnë në 11 Maj të gjithë ndryshimet ekonomike dhe sociale që kanë ndodhur nën qeverisjen e tyre, ndërkohë që siguron se fitorja e tyre nuk vihet në diskutim edhe në këto zgjedhje.

“Të gjitha këto të tjerat janë procese që do marrin kohën e tyre, do kenë dhimbjen e tyre dhe përtej të gjithave ne kemi pasur një shoqe gjithë këto vite që ka qenë melhem për ne, fitoren. Shoqja fitore. Kështu që, miqtë e mi, shoqe e shokë, motra e vëllezër, në 11 Maj i kemi ndarë; ne me shoqen “Fitore” ata me Noc Rrokun. Shumë faleminderit edhe një herë, shumë respekte”, përfundoi fjalën e tij Rama.

Tv Klan