Gazetarja e Klan News, Glidona Daci sjell detaje të reja për operacionin e SPAK, ku në pranga ranë të paktën 6 persona, mes të cilëve një prokuror, një zyrtar i lartë policie e një biznesmen, ndërsa disa emra të njohur të botës së krimit janë shpallur në kërkim. Sipas gazetares, kanë qenë përgjimet që fundosën grupin kriminal që u godit dje nga SPAK.
Ajo thotë se biznesmeni Pëllumb Gjoka del në përgjime duke bërë plane me Behar Bajrin për të kryer vrasje. Behari i shpjegon se kishte kontaktuar persona të ndryshëm jo shqiptarë, por kombësi të tjera për të realizuar vrasjen, por më vonë rezulton se vrasjet i kryen shtetas shqiptarë.
Po sipas gazetares, në biseda flitet për shumat që do të paguheshin për realizimin e vrasjeve. Në biseda del po ashtu Pëllumb Gjoka, ku thotë që të jepen sa para kërkohen, vetëm vrasja të kryhet. Pas vrasjes së Gjin Ndojit alias Gjin Boriçi në 2020, të dyshuarit Pëllumb Gjoka, Ervis Martinaj, Edmond Preka dhe Behar Bajri i shkuan edhe në varrim.
Të arrestuarit:
1-Xhevahir Lita (prokuror)
2-Oltion Bistri (ish-kreu i Operacionales),
3-Pëllumb Gjoka (biznesmen)
4-Ardit Hasanbegaj (ish-shef krimesh)
5-Edmond Preka (shoqëruesi i biznesmenit Gjoka)
6-Astmer Bilali (i dyshuar si pjesë e grupit Bajri)
Të shpallur në kërkim (disa prej tyre):
1-Ervis Martinaj
2-Elion Hato
3-Behar Bajri
Vrasja e Gjin Ndojit alias Gjin Boriçi
Gjin Ndojit alias Gjin Boriçi u ekzekutua me armë zjarri në Gusht të 2020-s, në Shkejzë të Vaut të Dejës.
Ndoji u gjet i pajetë gjatë orëve të mëngjesit, në rrugë, pranë makinës së tij të marrë me qira. Rreth një kilometër larg skenës së krimit, policia gjeti një makinë të djegur, që dyshohej se ishte përdorur nga autorët e krimit.
Në atë kohë, pista kryesore e ngritur nga autoritetet ishte ajo e hakmarrjes. 27-vjeçari ishte person me precedentë penale. Ai jetonte mes Shqipërisë, Holandës dhe Italisë.
(Video nga vendi i ngjarjes)