Vetëm pak ditë pasi I’u drejtuan zyrtarisht përmes një shkrese Prokurorit të Përgjithshëm, Oerd Bylykbashi dhe Ivi Kaso u ngjitën në zyrën e Olsian Çelës për t’i kërkuar hartimin e një plani masash, me qëllim ndaljen e krimeve elektorale dhe përdorimin e shtetit në zgjedhjet e 11 Majit.

“Dominancën e çështjeve e mbulon kjo prokurori dhe me fokus përdorimin masiv të shtetit. Kërkuam që prokurori të ketë plan masash të qartë, tani, pa vonesë, për të goditur paraprakisht krimin zgjedhor si atë të që po ndodh këtu dhe në diasporë.“

Për numrin dy të demokratëve shqetësim serioz mbetet përfshirja e policisë në zgjedhje.

“Policia është organ i politizuar e shndërruar e tëra piramida në funksion të zgjedhjeve edhe policia duhet të ndjeje goditje për shkak të shpërdorimit të detyrës, apo çdo përfshirje tjetër në vepra zgjedhore.”

Opozita kërkon që për të parandaluar dhe hetuar krimet elektorale të ndiqet modeli i Kosovës, ku një sërë organesh të bashkëveprojnë mes tyre, ndaj dhe ngritjen e task forcës nga ana e SPAK-ut e sheh të vonuar.

“Janë shumë vonë. Ai ka refuzuar të merret me krimin zgjedhor, ndërkohë që është ndërtuar si mekanizëm për të goditur një nga aspektet më të rënda si shitblerja e votës.”

Task forca e SPAK-ut do të ketë në përbërje dy grupe të posaçme që do të luftojë krimet elektorale, para dhe pas zgjedhjeve të 11 Majit. Në përbërje të saj krahas drejtuesit Altin Dumani, prokurorë dhe hetues të BKH-së në 12 qarqet e vendit.

Tv Klan