Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, dialogun Kosovë-Serbi e sheh si veprim produkt të qeverisë së Albin Kurtit për katër vjet të mandatit të tij.
Çitaku ka theksuar se Kurti kishte marrë detyrën duke pasur në tryezë letra nga presidentët amerikanë që kërkonin një marrëveshje finale gjithëpërfshirëse, me njohjen reciproke në qendër.
“Falë sjelljes së papërgjegjshme dhe qasjes aventureske të kësaj qeverie, ne përfunduam më një marrëveshje, e cila nuk është as finale, as gjithëpërfshirës, nuk e ka në qendër njohjen reciproke, por mosnjohjen reciproke.”
Sipas saj, edhe Asociacioni për Komunat me Shumicë Serbe, i pranuar nga qeveria aktuale, është një autonomi territoriale dhe politike.
“Dhe nuk flitet më për asociacion, por për një autonomi territoriale dhe politike, në këtë pikë kemi arritur për shkak se kryeministri me kokëfortësi ka refuzuar që të bashkërendoj hapat me aleatët tanë kryesor dhe si rezultat çështja e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë nga aleatët tanë ka pushur se trajtuara si problem politik dhe është trajtuar ekskluzivisht nga thjerrëzat e sigurisë, pra të ruajtjes së paqes, mirëmbajtjes së paqes dhe kjo shihet edhe me shtimin e ushtarëve të KFOR-it.”
Çitaku ka shtuar se Kurti ka shkelur premtimet e tij që nuk do të hynte në procesin e dialogut pa njohje, pa kërkim falje, pa zbardhjen e fatit të të pagjeturve e pa kompenzimin e dëmeve të luftës.
Ajo kritikoi qeverinë Kurti se është përpjekur që të nënshtrojë sindikatat, bizneset, opozitën dhe institucionet e pavarura, përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese dhe mediat.
Tv Klan