Pekini i bëri thirrje Shteteve të Bashkuara që të konsultohet me Kinën nëse dëshiron të zgjidhë çështjen e fentanilit.

Ambasada kineze në SHBA në një reagim bëri të ditur se Kina është “e gatshme të luftojë nëse kjo është ajo që duan Shtetet e Bashkuara”.

“SHBA-ja ka këmbëngulur në përdorimin e çështjes së fentanilit si një justifikim për të vendosur edhe një herë tarifa për produktet kineze të eksportuara në Shtetet e Bashkuara. Kina ka deklaruar vazhdimisht kundërshtimin e saj dhe ka marrë kundërmasa legjitime dhe të nevojshme. Nëse SHBA vërtet dëshiron të zgjidhë çështjen e fentanilit, duhet të konsultohet me Kinën mbi bazën e barazisë, respektit dhe interesave reciproke”, tha Lin Jian.

Presidenti i SHBA Trump kishte rritur tarifat për të gjitha importet kineze në 20% nga 10% që ishte në fillim për të ndëshkuar Pekinin për dështimin për të ndaluar dërgesat e fentanilit në Shtetet e Bashkuara.

Tarifat e reja hynë në fuqi të martën së bashku me ato në Kanada dhe Meksikë për të njëjtën çështje. Kundërmasat e Kinës kundër tarifave të Donald Trump përfshijnë tarifa hakmarrëse për një sërë produktesh bujqësore që Uashingtoni eksporton në Pekin.

Tarifat e Presidentit amerikan Donald Trump ndaj Kanadasë dhe Meksikës mund të ndikojnë rëndë në ekonomitë e të dy vendeve, duke ngadalësuar potencialisht prodhimin e mallrave të caktuara, duke rritur çmimet e produkteve dhe duke shkaktuar frikën e një recesioni, paralajmërojnë analistët.

Megjithëse të dyja vendet kanë paralajmëruar gjithashtu se do të vendosin tarifa reciproke që do të ndikojnë në ekonominë amerikane, Kanadaja dhe Meksika do të humbasin shumë më tepër sepse varen shumë nga Amerika për tregti.

Kryeministri kanadez Justin Trudeau tha se edhe Kanadaja do të miratojë tarifa në masën 25% ndaj mallrave amerikane. Ai ishte i ashpër në fjalën e tij, duke thënë se kjo luftë tregtare e paprecedentë u zgjodh dhe u vendos nga Presidenti Donald Trump, dhe e humbur do jetë vetëm Amerika, veçanërisht familjet amerikane.

Nga ana tjetër, Sheinbaum tha se vendi i saj do të përgjigjet gjithashtu me tarifa hakmarrëse dhe masa të tjera jo-tarifore, të cilat ajo është vendosur të shpallë të dielën.

Klan News