Tarifat prej 25% të Presidentit Donald Trump ndaj Meksikës dhe Kanadasë hynë në fuqi këtë të martë. Një veprim që nxit një luftë të re tregtare të SHBA me tre partnerët kryesorë tregtarë dhe sjell dobësim të ekonomisë e Amerikës së Veriut, përfshirë atë të Shteteve të Bashkuara.

Trump gjithashtu dyfishoi tarifën për të gjitha importet kineze në 20% nga 10% që paralajmëroi. Këto detyrime janë në krye të tarifave ekzistuese për qindra miliarda mallra kineze.

Pak para hyrjes në fuqi të tarifave, Shtëpia e Bardhë thanë një deklaratë se “ndërsa Presidenti Trump i dha Kanadasë dhe Meksikës mundësi të mjaftueshme për të frenuar aktivitetin e rrezikshëm të kartelit dhe fluksin e drogës vdekjeprurëse që hyn në SHBA, ata nuk kanë arritur ta trajtojnë siç duhet situatën”.

Tarifat vijnë në një kohë kur inflacioni mbetet problematik. Ekonomia amerikane në tërësi është në një terren jo fort të qëndrushëm, siç raportojnë të dhënat e fundit.

Tarifat do të rrisin çmimet që amerikanët paguajnë për një gamë të gjerë mallrash që importohen nga të tre vendet, të cilat së bashku kanë dërguar mallra me vlerë 1.4 trilion Dollarë në SHBA vitin e kaluar, sipas të dhënave të Departamentit të Tregtisë. Kjo përbën më shumë se 40% të vlerës së të gjitha mallrave që SHBA importoi vitin e kaluar.

Të vetmet mallra që nuk do të përballen me një tarifë prej 25% nga Kanadaja janë artikujt e lidhur me energjinë si nafta e papërpunuar, një nga mallrat kryesore që SHBA importon nga atje. Në vend të kësaj, ata do të përballen me një tarifë prej 10%.

Prodhimet e freskëta, makinat dhe pjesët e tyre, pajisjet elektronike, duke përfshirë telefonat dhe kompjuterët, janë ndër mallrat kryesore që SHBA importon nga Meksika, Kanadaja dhe Kina që tani do të përballen me tarifa midis 20% dhe 25%.

Kina u përgjigj menjëherë pas afatit, duke njoftuar tarifa shtesë prej 10%-15% për disa importe amerikane nga 10 Marsi dhe një seri kufizimesh të reja eksporti për entitetet e caktuara amerikane.

Kanadaja dhe Meksika, të cilat kanë gëzuar një marrëdhënie tregtare praktikisht pa tarifa me SHBA-në për tre dekada, janë gati të hakmerren menjëherë kundër aleatit të tyre të gjatë.

Kryeministri kanadez Justin Trudeau tha se Otava do të përgjigjet me tarifa të menjëhershme prej 25% për importet amerikane me vlerë 30 miliardë Dollarë dhe 125 miliardë Dollarë të tjerë nëse tarifat e Trump do të ishin ende në fuqi në 21 ditë. Ai tha më parë se Kanadaja do të synonte birrën amerikane, verën, burbonin, pajisjet shtëpiake dhe lëngun e portokallit në Florida.

 “Tarifat do të prishin një marrëdhënie tregtare tepër të suksesshme”, tha Trudeau, duke shtuar se ato do të shkelnin marrëveshjen e tregtisë së lirë SHBA-Meksikë-Kanada të nënshkruar nga Trump gjatë mandatit të tij të parë.

Ndërkohë, Trump ka lënë të kuptohet se më shumë tarifa do të ketë në vazhdim, duke përmendur ato për importet bujqësore. Këto i shtohen planeve të tij për “tarifa reciproke” më të larta për t’u përshtatur me taksat e vendeve të tjera dhe për të kompensuar barrierat e tjera tregtare të tyre, një veprim që mund të godasë fort Bashkimin Evropian.

Klan News