Mijëra mbështetës të opozitës serbe u mblodhën të martën në qytetin e Novi Sadit në Serbi, në një protestë të dhunshme, pas aksidentit vdekjeprurës në një stacion hekurudhor, për të cilin ata fajësojnë ‘moskokëçarjen dhe korrupsionin qeveritar’.

Fatkeqësia ndodhi të premten kur çatia mbi hyrjen e stacionit u shemb papritmas, duke vrarë 14 persona dhe duke plagosur rëndë tre të tjerë.

Policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën, pasi protestuesit thyen xhamat në hyrje të bashkisë, një ndërtesë e shekullit të 19-të në qendër të qytetit dhe hodhën fishekzjarrë brenda si dhe pleh organik të lëngshëm nga një cisternë.

Më herët, demonstruesit e maskuar hodhën vezë, shishe dhe tulla në një zyrë të Partisë Përparimtare Serbe në pushtet.

“Njerëzit janë shumë të zemëruar … ky është një pikëllim i madh”, tha Radomir Lazoviç, një deputet i opozitës që iu bashkua protestës.

Protestuesit mbanin pankarta ku shkruhej “I keni duart e përgjakura” dhe “Ju do të përgjigjeni për këtë”, si dhe brohoritën “Hajdutë” dhe “Arrestoni (Presidentin Aleksandar) Vuçiç”.

Policia rrethoi gjithashtu zyra të tjera shtetërore dhe bashkiake në qendër të qytetit.

Politikanët opozitarë, aktivistët dhe grupet e të drejtave të njeriut në Serbi, akuzojnë autoritetet besnike të Presidentit Vuçiç dhe partisë së tij për korrupsion të shfrenuar, lidhje me krimin e organizuar, nepotizëm dhe burokraci të tepruar.

Presidenti Vuçiç dhe aleatët e tij mohojnë akuzat e tilla.

Ai tha të martën se policia “po tregonte përmbajtje”, ndërsa duke iu drejtuar qytetarëve nëpërmjet rrjeteve sociale, tha se “dhuna nuk është e lejuar”.

“Të gjithë ata që marrin pjesë në incidente do të ndëshkohen”, shkroi ai.

Të hënën, ministri serb i Transportit Goran Vesiç, dha dorëheqjen për shkak të incidentit në stacionin e trenit.

Prokurorët thanë se kanë marrë në pyetje 48 persona deri më tani, duke përfshirë Vesiçin dhe kanë siguruar prova të rëndësishme për hetimin./VOA