Trajneri Luan Pinari, në “Klan News” analizoi listën e Kombëtares, për dy ndeshjet e Ligës së Kombeve, ndaj Çekisë dhe Ukrainës. Sipas tij, lista lë gjithmonë vend për diskutime, por janë ftuar lojtarët që janë më në formë për momentin.

Pinari theksoi se sipas mendimit të tij, stafi dhe trajneri Silvinjo kanë bërë zgjedhjet më të mira të mundshme.

“Lista e Kombëtares lë gjithmonë vend për diskutime, por janë ftuar të gjithë lojtarët që janë në formë. Janë marrë 28 lojtarë. Janë lojtarët më në formë të momentit. Mendoj se janë bërë zgjedhjet më të mira të mundshme. Janë marrë disa emra të rinj, që do të jenë edhe për të ardhmen.

Nuk ka shumë kontestime. Është shumë e thjeshtë për të bërë listën, duke parë formën e lojtarëve dhe dëmtimet. Mendoj se janë të gjithë lojtarët që duhen thirrur. Janë dy ndeshje që do të thonë shumë për Shqipërinë. Duhet parë mirë, sesi të menaxhohen kartonët për ndeshjen e dytë ndaj Ukrainës. Është një grup shumë i komplikuar, mund të dalësh në çdo vend.”

 Luan Pinari, deklaroi se cilësia e kampionatit arab, ku u transferua Mitaj, është shumë e mirë. Ndër të tjera ai tha se Hysaj nuk do e ketë problem për të luajtur dy ndeshjet e radhës, ndërsa me batutë u shpreh se mbrojtësi do kritikohet para ndeshjes, që të bëjë mirë.

“Kombëtarja i ndihmon shumë lojtarët, por edhe ekipet ku luajnë. Ne mund ta mendojmë formacionin në kokë, sepse e njohim Kombëtaren. I vetmi që kishte probleme fizike, ishte Asllani, por mori minuta në mesjavë. Është shumë i rëndësishëm për formacionin e Shqipërisë, sepse formojnë dyshen me Ramadanin. Transferimi i Bajramit ishte lëvizje e zgjuar. Kemi probleme ndoshta në krahët e mbrojtjes. Mitaj ka shkuar në një kampionat, ku thuhet se nuk ka nivel të mirë, por nuk jam dakord. Atje është një kampionat shumë i fortë dhe po shkojnë emra të mëdhenj. Cilësia e kampionatit është shumë e mirë.

Problemi do mbetet te Hysaj, ku jemi mësuar me këtë problematikë, ku nuk mendoj se do të ketë probleme edhe në këto dy ndeshje për të luajtur. Sa herë e kritikojmë, në ndeshjen tjetër luan mirë. Do e kritikojmë para ndeshjes, që të luajë shumë mirë me Çekinë. Eksperienca e këtij lojtari, mënyra si luan, është një lojtar që duhet të jetë i kujdesshëm prapa dhe përpara”, deklaroi Pinari.

/tvklan.al