Dita e sotme do të jetë nën mbizotërimin e motit të kthjellët, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë edhe për fundjavën. Në një lidhje direkte për Klan News, sinoptikani Hakil Osmani nga “MeteoAlb” thotë se pritet që e shtuna dhe e diela të jenë nën mbizotërimin e motit të paqëndrueshëm duke sjellë reshje shiu si dhe dëbore në territorin e vendit.

“Fundjava sjell ndryshim të kushteve të motit përsa i përket territorit shqiptar duke bërë që në orët e para të mëngjesit të ditës së shtunë të kemi vranësira të dendura në të gjithë territorin, ku në orët e para të mëngjesit pritet që reshjet e shiut të jenë prezente si fillim në zonat veriore dhe më pas, gradualisht reshjet e shiut do të përfshijnë të gjithë territorin shqiptar. Duke bërë që gjatë orëve të mesditës, i gjithë vendi ynë të jetë nën mbizotërimin e vranësirave të dendura dhe reshjeve të shiut, herë pas here dhe në formën e rrebesheve. Edhe në zonat malore do të kemi rishfaqje të reshjeve të dëborës.

Jo vetëm dita e shtunë do të jetë nën mbizotërimin e motit të paqëndrueshëm, edhe ditën e dielë pritet që t’i kemi prezente vranësirat. Do të kemi lagështirë të lartë në ajër, çka do të bëjë që herë pas here këto vranësira të pësojnë zhvillime duke bërë që në Ultësirën Perëndimore të kemi prezente reshjet e shiut, ndërsa në zonat malore, sërish kemi rishfaqje të reshjeve të dëborës”, thotë Hakil Osmani.

Por si pritet të jenë temperaturat gjatë fundjavës në vlerat minimale dhe maksimale? Na e thotë sinoptikani Hakil Osmani.

“Përsa i përket temperaturave të ajrit, gjatë kësaj fundjave kemi një rritje të temperaturave në orët e para të mëngjesit duke bërë që vlerat minimale nga minus 4 gradë Celsius që shënohen mëngjesin e sotëm, pritet që ditën e shtunë, vlerat minimale të shënohen minus 2 gradë Celsius në qytetet e zonave malore maksimumet do të jenë jo më shumë se 15 gradë Celsius në qytetet e zonës së ulët. Ditën e dielë kemi një rritje të lehtë të temperaturave të ajrit në orët e para të mëngjesit, duke bërë që në qytetet e zonave malore të kemi vlera minimale në 0 apo minus 1 gradë Celsius, ndërsa maksimumet do të mbeten rreth vlerës 15 apo 14 gradë Celsius”, shprehet Hakil Osmani.

/tvklan.al