Fundjava do të vijojnë me të njëjtat kushte atmosferike si gjatë javës. Sipas sinoptikanëve, nuk parashikohen reshje shiu, por moti do të jetë i qëndrueshëm dhe me diell.

“Territori shqiptar do të vijojë të jetë në mbizotërimin e masave ajrore të qëndrueshme, duke bërë që të kemi intervale të gjata me diell në pjesët e para të ditës, përgjatë ditës së shtunë, po ashtu dhe ditën e dielë, të cilat më të fokusuar do të jenë kryesisht në zonat veriperëndimore dhe në zonat jugperëndimore”, tha Hakil Osmani.   

Këtë fundjavë, temperaturat do të jenë të ulëta, vlerat minimale zbresin nën zero, ndërsa maksimalet arrijnë në 14 gradë Celsius.

“Do të kemi një rritje të lehtë të tyre duke bërë që minimumet të regjistrojnë në -3 gradë Celcius, në qytetet e zonave malore, ndërsa maksimumet do të kenë një rënie të lehtë të tyre gjatë ditës së shtunë, ndërsa ditën e dielë sërish do të kemi maksimumet, të cilat do të jenë në vlerën 14 apo 15 gradë Celcius në zona të izoluara, kryesisht në jugperëndim të territorit shqiptar”, tha Osmani.  

Meteorologët parashikojnë që parametri i erës nuk do të jetë problematik gjatë fundjavës, duke bërë që të mbizotërojnë alternimet e gjata me diell.

Klan News