Një shqiptar 42-vjeçar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është qëlluar për vdekje nga policia, pasi po lëvizte i armatosur në një bllok banimi.

Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë në Paterson të New Jersey. Policia amerikane u lajmërua nga banorët e zonës se një person i armatosur po qarkullonte në rrugë.

Në vendngjarje mbërritën me urgjencë automjetet e policisë dhe rrethuan shqiptarin, i cili sipas mediave amerikane është identifikuar si Luan Agolli.

Një kamera amatore ka filmuar të gjitha ngjarjen. 42-vjeçari Agolli shihet që po mban një pistoletë në dorë. Ai bën ecejake në një kryqëzim rrugësh, teksa shpërfill thirrjet e policisë për të hedhur armën në tokë.

Kjo skenë zgjat për rreth 3 minuta. Oficerët e policisë i bënë thirrje disa herë shqiptarit për të hedhur pistoletën dhe për t’u dorëzuar, por 42-vjeçari refuzonte këtë gjë.

I rrethuar nga policia, Luan Agolli tentoi të ngrinte pistoletën. Por, u qëllua pa hezitim nga agjentët e policisë, të cilët e lanë të vdekur në vend. Ndërsa asnjë punonjës policie apo banor i zonës nuk u lëndua.

Për këtë ngjarje, policia amerikane ka nisur një hetim. Sipas mediave vendase, ka dyshime që 42-vjeçari shqiptar të ketë qenë i dehur në momentin e ngjarjes, por kjo teori nuk është konfirmuar zyrtarisht. /tvklan.al