Më shumë se 5 mijë zjarrfikës janë në “luftë” me flakët në Portugali. Sipas mediave lokale, të paktën 2 persona kanë ndërruar jetë si pasojë e zjarreve. Temperaturat në Portugali janë të larta dhe priten të mbeten të tilla për ditë të tëra.

Autoritetet portugeze thonë se rreziku më i lartë për shpërthimin e zjarreve ekziston në shumë rajone qendrore dhe veriore të vendit deri të premten. Agjencia e lajmeve “Lusa” raportoi se 10 mijë hektarë tokë janë djegur midis Porto dhe Aveiro në veri. Që nga mbrëmja e djeshme, janë 128 vatra zjarri aktive.

Sipas raportimeve, ka shumë persona që kanë pësuar djegie, vështirësi në frymëmarrje dhe lëndime të tjera si pasojë e flakëve. Të paktën 12 zjarrfikës janë lënduar, 2 paraqiten në gjendje të rëndë shëndetësore.

Policia ka mbyllur autostradat, duke përfshirë rrugën kryesore midis kryeqytetit, Lisbonës dhe Portos. BE do të dërgojë 8 avionë zjarrfikës në Portugali për të ndihmuar vendin në shuarjen e flakëve. Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen tha se blloku po mobilizohej në mënyrë urgjente dhe u bëri thirrje vendeve të tjera anëtare që të dërgojnë ndihma për Portugalinë./tvklan.al