Policia franceze u vu në alarm pas sulmit me mjete shpërthyese të një sinagoge hebreje në qytezën e La Grande Motte të Francës pasditen e së shtunës. Nga shpërthimi u lëndua një efektiv policia që gjendej në hyrje të saj ndërsa 5 besimtarë që ndodheshin brenda saj nuk pësuan lëndime.

Autoritetet franceze thanë se arrestuan në qytetin e Nimes një person të akuzuar si autor të ngjarjes. Mediat franceze raportuan se i dyshuari u qëllua dhe u plagos nga policia pasi hapi zjarr edhe ndaj oficerëve që shkuan për ta arrestuar.

Shpërthimi dëmtoi edhe disa makina të parkuara jashtë saj. Sipas të njëjtave burime, njëri nga automjetet e djegur kishte të fshehur një bombël gazi. I dyshuari mbante të veshur një flamur palestinez në momentin e ngjarjes.

Presidenti Emmanuel Macron tha se incidenti ishte “një akt terrorist”. Sulmi u dënua nga krerët e politikës që kërkuan ruajtjen e qetësisë. Komuniteti hebre francez është vënë menjëherë nën masa të larta sigurie me forca të shtuara policie në sinagoga dhe shkolla. Një raport i janarit të ktij viti zbuloi për një trefishim të akteve antisemitike në Francë nga 2022 në 2023.

Tv Klan